1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lira turke pëson rënie rekord si rrjedhojë e skandalit të korrupsionit

dpa,afpe/Angjelina Verbica27 Dhjetor 2013

Skandali i korrupsionit në Turqi ka tronditur besimin e tregjeve financiare në ekonominë turke. Vlera e lirës turke ra në një nivel shumë të ulët kundrejt dollarit.

https://p.dw.com/p/1AhYe
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Këtë të premte për një dollar amerikan është dashur të paguhen 2,1761 lira turke, aq shumë si kurrë më parë. Krahas monedhës edhe obligacionet e qeverisë turke dhe tregu i aksioneve të vendit u vunë nën presionin e madh të shitjes, pasi një pjesë e investitorëve të huaj janë larguar nga tregu.


Matje forcash mes qeverisë dhe gjyqësorit

Për më shumë se një javë Turqia po tronditet nga një skandal korrupsioni, që është kthyer në krizë qeveritare. Kryeministri Rexhep Taip Erdogan, i cili ndodhet nën një trysni të madhe, akuzon gjyqësorin dhe policinë se ka inskenuar aferat e korrupsionit për të dëmtuar qeverinë e tij.

Hetimet kryhen ndër të tjera për të zbuluar, nëse janë paguar rryshfete për lëshimin e lejeve të paligjshme të ndërtimit dhe, nëse janë shkelur sanksionet tregtare kundër Iranit. Të arrestuarit akuzohen, se kanë bërë pjesë në një rrjet kriminal, i cili thuhet se ka organizuar dhënien e rryshfetve politikanëve për të mbuluar bizneset e paligjshme.

Erdogan, i cili është në pushtet prej njëmbëdhjetë vjetësh, u përpoq të shpëtojë nga situata përmes ristrukturimit të qeverisë. Përveç Ministrit të Ekonomisë, atij të Brendshëm dhe ministrit të Mjedisit, që dhanë dorëheqjen, u zëvendësuan edhe shtatë ministra të tjerë.

Protesta në Stamboll
Protesta në StambollFotografi: picture-alliance/dpa

"Erdogan do ta shkatërrojë kontrollin demokratik "

Por situata nuk është qetësuar. Opozita akuzon kryeministrin se me ristrukturimin e kabinetit ndjek synime konspirative. Kryeministri në luftën për të mbajtur pushtetin kërkon të krijojë një shtet brenda shtetit, tha kreu i partisë më të madhe opozitare opozitare, CHP, Kemal Kiliçdaroglu, njfotojnë mediat turke. Kiliçdaroglu akuzoi Erdoganin se do të krijojë një qeveri me ministra të bindur. Ato janë pjesë e strukturave të pushtetit të Erdoganit, me të cilat ai do të qeverisë vendin pa kontroll demokratik. Një rol qendror këtu luan ministri i Brendshëm i sapoemëruar Efkan Ala.
Demonstruesit në Stamboll, Ankara dhe Izmir i bënë thirrje Erdoganit të japë dorëheqjen. Qeveria në Ankara është e korruptuar tërësisht, ajo ështe e paaftë të reformohet, është konkluzioni i shumë demonstruesve.

AKP ka nisur një proces për përjashtimin nga partia të tre deputetëve kritikë, ministrit të deritanishëm të Kulturës Ertugrul Günay si dhe deputetëve Erdal Kalkan dhe Haluk Özdalga të akuzuar, se kanë dëmtuar partinë dhe qeverinë e me komentet e tyre, njoftuan mediat turke.

Bujë në Turqi ka bërë edhe zevëndësimi i prokurorit të Stambollit Muammer Akkas nga hetimet për korrupsion. Akkas ishte ankuar publikisht, se ndaj tij ishte ushtruar presion. Policia e kishte injoruar urdhrin e tij për të arrestuar të dyshuarit.