1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mediat në Europën Juglindore

Ani Ruci21 Shtator 2013

Sfidat e mediave të rajonit sot. Përfundon në Tiranë konferenca “Media në Europën Juglindore” e organizuar nga OSBE, ku merr pjesë edhe përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović.

https://p.dw.com/p/19lX9
Fotografi: DW/A. Ruci

Për të tretin vit, OSBE me seli në Vjenë, organizon në vende të ndryshme të EJL konferenca për situatën e mediave në rajon dhe rrugën për t'iu pergjigjur sfidave të zhvillimit teknologjik dhe gazetarisë së hapur. Këtë vit ajo u zhvillua në Tiranë. Më shumë se 150 ekspertë të njohur nga vendet e BE dhe rajonit dhe drejtues mediash analizuan situatën e medias ne vendet e EJL nën prizmin e lirisë së medias dhe procesit të digjitalizimit tokësor, të lidhura ngushtë mes tyre permes pluralizmit mediatik dhe aksesit të qytetarëve tek informacioni. Në këtë process ka arritje, por ritmi është i ngadalshën pohuan pjesëmarrësit në konferencën e Tiranës.

Europa Jug- Lindore - moment stanjacioni

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, që hapi konferencën dhe paraqiti edhe konkluzionet e saj, tha për DW se rol vendimtar në këtë proces luajnë qeveritë, shoqëria civile dhe vetë gazetarët.

“Kjo konferencë synon të nxisë qeveritë e Europës Jug- Lindore dhe shoqëritë civile të lëvizin më shpejt, si për digjitalizimin tokësor ashtu edhe për procese të tjera që realizohen në Europë, edhe në rajone të tjera të botës. Për fat të keq, Europa Jug- Lindore i realizon ato në momentin e fundit. Kam shpresa që EJL nuk do të qëndrojë pas, kur është fjala për progresin teknologjik, ku ka shumë çështje që duhen realizuar paraprakisht. Përfitimet që do të vijnë nga dixhitalizimi dhe përdorimi në masë i ITC kanë nevojë për një mjedis mediatik më të shëndetshëm, më të zhvilluar, për më shumë kanale dhe mundësi që qytetarët edhe në skajin më të largët të përfshihen, komunikojnë dhe marrin informacion. Digjitalizimi duket si një proces teknik por në të njëjtën kohë është i lodhur ngushtë me lirinë dhe pluralizmin e mediave” tha për DW, Dunja Mijatović.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja MijatovićFotografi: DW/A. Ruci

Një nga rekomandimet kryesore të konferencës që përfundoi dje në Tiranë, është nxitja nga ana e OSBE-së e ministrave të jashtëm të vendeve të EJL për ta përshpejtuar procesin e dixhitalizimit duke parë atë në një perspektivë rajonale. Në këtë proces prioritare për vendet e EJL mbetet reformimi i operatorëve publikë dhe pavarësia e enteve rregullatore te rajonit për transmetimet dixhitale. Përfaqësuesjae OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović nxiti qeverinë e re të kryeministrit Edi Rama të dekriminalizojë shpifjen, të sigurojë akses në informacion dhe të përshpejtojë ritmet e dixhitalizimit të medias elektronike.

“Transmetuesi publik në Shqipëri, RTSH ka nevojë për një reformim të plotë për t'i dhënë publikut lajme dhe informacion të ekuilibruar, edukuar dhe argëtuar ata. Digjitalizim i medias është i rëndësishëm. Nëse ai kryhet si duhet do të sigurojë një pluralizëm më të madh mediatik në Shqipëri” tha Dunja Mijatović .

Media në Europën Jug- Lindore vulnerabël ndaj financimeve të privatëve

Çështja e lirisë së medias dhe epoka e digjitalizimit ishte një nga temat qëndrore të diskutimeve në konferencën e Tiranës. Gazetari Andreas Ernst, korrespondent për Ballkanin i gazetës gjermane Neue Zϋrcher Zeitung, paraqiti sfifat kryesore me të cilat përballet sot liria e medias në EJL dhe në Perëndim. Ai tha për DW se problemi kryesor që cënon lirinë e medias si në Perëndim ashtu edhe në EJL është ai financiar.

“Modeli i vjetër i biznesit të medias nuk po funksionon më, nuk ka më mundësi që vetëm duke bërë gazetari të kesh të ardhura. Në EJL mediat janë vulnerabël ndaj parave që vijnë në rrugë private nga biznesmenë të fuqishëm që blejnë mediat, jo sepse janë të interesuar të bëjnë para përmes medias, por i duan mediat për të përcjellë mesazhet e tyre, mbështetur bizneset e tyre në sektorë të tjerë si edhe dhe për ë qenë sa më pranë qeverive.” tha për DW Andreas Ernst.

Gazetari, Andreas Ernst
Gazetari, Andreas ErnstFotografi: DW/A. Ruci

Legjislacioni, transparenca mbi pronësisë dhe lirine e medias.

Konferenca u ndal edhe në rolin kyç që luan hartimi i legjislacionit përkatës dhe zbatimi i tij, si një garanci për të mbrojtur lirinë e medias. Ekspertë nga vendet e BE dhe rajon i Europës Jug- Lindore prezantuan praktika ligjore nga vendet anëtare të OSBE-së si edhe mënyra për ta bërë gjithëpërfshirës dhe transparent procesin e hartimit të legjislacionit dhe zbatimin e tij në praktikë. Transparenca lidhur me pronësinë në media u vlerësua në konferencë si një element i demokracisë dhe pluralizmit mediatik. Aftësia për të përcaktuar pronësinë është tepër e rëndësishme kur është fjala për monopole potenciale mediatike si edhe për presion të mundshëm politik dhe ekonomik në media. Ndër rekomandimet kryesore të konferencës së Tiranës për situatën e medias në EJL është funksionimi i plotë dhe në mënyrë të pavarur i enteve rregullatore dhe i departamente editoriale. Gazetaria e hapur, rrjetet e mediave sociale janë tanimë një realitet, që po ndikon botën dhe atyre u duhet paraprirë duke siguruar një mjedis i shëndetshëm mediatik, konkludoi konferenca.