1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lojërat Olimpike e të Drejtat e Njeriut

Helena Baers8 Shkurt 2014

Qeveria ruse dhe IOC kritikohen për shkeljen e të drejtave të njeriut në lidhje me Lojërat Olimpike të Soçit. Sa përgjegjësi mban sporti dhe sa politika?

https://p.dw.com/p/1B5As
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Soçi, në vendin e pushimeve në Detin e Zi, që prej së premtes do të luftohet për medalje dhe rekorde. Për "lojëra të superlativave" është folur që paraprakisht. Të paktën shuma prej 37,5 miliardë dollarësh, që ka kushtuar ndërtimi i qendrave sportive, i fshatit olimpik, i autostradave dhe hoteleve, i bën Lojërat Dimërore të Soçit më të shtrenjtat e të gjitha kohërave - me sa duket në kurriz të të drejtave të njeriut.

Punëtorët e kantierieve të ndërtimit të qendrës olimpike "shpesh janë shfrytëzuar, i strehuan në strehime të këqia, nuk kishin kontrata dhe nuk janë paguar në përputhje me punën e bërë", përmbledh Wolfgang Büttner nga Human Rights Watch.

Kantier i ndërtimit të fshatit olimpik në Soci 2014
Fotografi: Getty Images

Dymijë familje u zhvendosën me detyrim për të hapur vend për qendrat sportive olimpike - dëshpërblim duket se kanë marrë më të paktat prej tyre. Për më tepër: "Ka pasur herë pas here arrestime dhe frikësime të kritikëve, të cilët kanë kritikuar planet e ndërtimit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të lidhur me këtë", thotë Büttner për arbitraritetin e autoriteteve, të dokumentuar që më 2009 nga organizata e tij.

Kujtesë: Pekin 2008

Protesta të Amnesty International në Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa

Si "lojëra të superlativave" mbahen mend edhe Lojërat Olimpike të Verës, më 2008 në Pekin: festime spektakolare të hapjes dhe mbylljes, lojëra të organizuara në mënyrë perfekte dhe ambjentet më moderne kanë lënë përshtypje. Por edhe atëherë pati kritika. Kritikë të qeverisë të arrestuar, lagje të bëra rrafsh me tokën, censurë mediatike.

I Ngarkuari i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut, Christoph Strässer e konsideron gabim caktimin e Soçit si vend të Lojërave Olimpike. "Gjithçka që ndodh atje - shkatërrimi i ambjentit, gjendja e sigurisë janë gjëra që i kanë ditur ata që i çuan lojërat në Soçi", thotë Strässer.

"Argumentin e IOC, që gjendja e të drejtave të njeriut përmirësohet vetëm përmes Lojërave Olimpike në Rusi, për momentin ne nuk e konfirmojmë", thotë Janna Sauerteig, eksperte për Rusinë e Amnesty International Deutschland.

Masa sigurie për Lojërat Olimpike në Soci
Fotografi: Reuters

Por edhe veprimtarët e të drejtave të njeriut nuk e konsiderojnë ide të mirë bojkotimin e Lojërave Olimpike. Ata kanë në qendër të vëmendjes IOC-në vetë. "Ajo që kritikojmë në mënyrë të veçantë është që IOC u beson veçanërisht deklaratave të autoriteteve ruse, për të cilat ajo nuk është e sigurtë që do të vihen në jetë", thotë Wolfgang Büttner, i cili kujton se shkeljet e të drejtave të njeriut në Rusi për qendrat olimpike njiheshin që më 2009. Ndaj kërkesës së DW për të dhënë një intervistë për kritikat, IOC nuk reagoi.