1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lojë nervash Iran-SHBA: Bllokimi i Hormuzit do të thotë luftë në Gjirin Persik

31 Dhjetor 2011

Irani do të tregojë forcën e tij. Në njoftime kundërthënëse Irani pohoi, dhe përfundimisht shtyu të shtunën provat me raketa me rreze të gjatë veprimi për ditët e ardhshme.

https://p.dw.com/p/13cEk
Prova me raketa në Iran
Prova me raketa në IranFotografi: picture-alliance/dpa

Provat me raketa të anoncuara për ditën e shtunë, pas një manovre detare të forcave iraniane janë shtyrë për ditët e ardhshme. Admirali iranian, Mahmud Musaui tha në televizionin iranian PressBllokimi i Hormuzit do të thotë luftë në Gjirin Persik TV të shtunën në mëngjes se megjithatë përgatitjet do të vazhdojnë. Që këtë të shtunë do të vendosen objektivat imagjinarë për të bërë provat e parashikuara me raketa, tha Musaui.

Luftë verbale

Të premten ishin bërë publike njoftimet se Irani do të testojë raketa të ndryshme në zona strategjike. Marina iraniane ka zhvilluar manovra detare më 24. Janar në ngushticën e Hormuzit në Gjirin Persik, manovra që zgjasin deri të hënën. Në këtë kontekst zhvillohen edhe testimet, kanë bërë të ditur ushtarakë iranianë.

Manovra në Gjirin Persik
Manovra në Gjirin PersikFotografi: MEHR

Por prej ditësh Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë ashpërsuar tonet e luftës verbale. Si shkas shërbyen deklaratat e zëvendëspresidentit iranian, Mohamed Resa Ibrahimi, i cili të martën deklaroi se në rast të ashpërsimit të mëtejshëm të sanksioneve kundër Iranit në kontekstin e konfliktit atomik, Irani do të bllokojë transportet e naftës në Gjirin Persik, pikërisht rrugën tepër strategjike të Hormuzit. Përmes ngushticës detare, 200 kilometra të gjatë, mes Gjirit Persik dhe Detit Arabik kalojnë rreth 40% e furnizimeve botërore me naftë.

SHBA reaguan, duke bërë të qartë se nuk do të tolerojnë mbylljen e rrugës së rëndësishme detare dhe e paralajmëruan me fjalë të qarta Iranin nga një bllokadë e tillë. Në këtë kuadër, qeveria amerikane njoftoi se do t'i livrojë Arabisë Saudite 84 avionë modernë luftarakë të tipit F15.

Amerikanët nuk do të lejojnë bllokimin e Hormuzit

Këto kërcënime të Iranit kanë zgjuar frikën e një lufte të re në rajon. Bllokada do të kishte pasoja të rënda për furnizimin me naftë në të gjithë botën. Rrugët e transportit do të zgjateshin dhe kostot e energjisë do të shpërthenin pa kontroll. Publicisti iranian, Bahman Niruman mendon se amerikanët nuk do të lejojnë bllokimin e kësaj rruge. "Bllokada do të thotë luftë". Këtë e di edhe qeveria iraniane, mendon Nirumand. Fuqia ushtarake e SHBA-së është shumë e madhe përballë Iranit.

Shtëpia e Bardhë
Shtëpia e BardhëFotografi: dapd

Askush nuk beson se Irani do t'i futet një rreziku të tillë. Megjithatë në aparatin shtetërore iranian ka forca që e përshëndesin një konflikt ushtarak. "Në Iran ka një luftë të ashpër mes fraksioneve. Kjo duket edhe në atë se çfarë gjuhe përdor ministri i Jashtëm i vendit. "Çështja është se cili fraksion do të fitojë në fund."

Megjithatë edhe ekspertët perëndimorë si Volker Perthes nga fondacioni gjerman për Shkencë dhe Politikë janë të mendimit, se nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake konflikti me Iranin. Shumë më i rëndësishëm është kthimi tek diplomacia dhe gjetja e një koncepti afatgjatë për konfliktin atomik iranian.

Autor: AG/Arapi

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi