1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

111111 Südafrika ANC Malema

Tamas Szabo11 Nëntor 2011

Ish-stari i Kongresit Kombëtar Afrikan ka humbur mbështetjen. Partia në pushtet në Afrikën e Jugut do ta përjashtojë për pesë vjet nga partia shefin e diskutueshëm të Ligës së rinisë, Malema.

https://p.dw.com/p/138lg
Malemen e suspenduan nga partia
Malemen e suspenduan nga partiaFotografi: AP

Në çelje të procedurës partiake, udhëheqësi i diskutueshëm i rinisë, Julius Malema mobilizoi mbështetësit e tij - duke bërë që udhëheqja e partisë të zemërohet me të vërtetë me të. Mbështetësit e Malemas këndonin, bënë rrëmujë, kërkuan kokën e presidentit Jacob Zuma. Një mbështetëse deklaroi: "Për aq kohë sa nuk do të ringjallet Jezui, ne do ta ndjekim pas Maleman".

Këtë herë nuk kishte ardhur askush në mbështetje të Malemas, ndoshta kjo është qetësia politike e varrit për populistin 30 vjeçar. Kongresi Kombëtar Afrikan ANC ia mori pushtetin shefit të Ligës së rinisë dhe e përjashtoi atë për pesë vjet. Ky është lajmi kryesor i ditës:Komiteti disiplinor i partisë e kritikoi atë për sjellje që dëmton partinë, për përçarje dhe mungesë disipline - midis të tjerash ai erdhi pa u ftuar në një mbledhje me shefin e shtetit dhe të partisë, Zuma dhe minonte direktivat udhëheqëse të partisë nënë.

Malema mbron kërkesat e tij

Malemës i duhet të dorëzojë kryesinë e Ligës së rinisë të ANC-së. Në shpalljen e vendimit ai nuk ishte i pranishëm, por e mori fjalën pak më vonë. Koha e të folurit me dorashka kadifeje ka kaluar, tani armiku duhet luftuar hapur, tha ai. "Ne nuk jemi në asnjë mënyrë të frikësuar nga ky rezultat. Ne mbetemi të vendosur dhe luftojmë më tej, sepse ANC është atdheu ynë. Ne nuk kemi tjetër, veç Kongresit Kombëtar Afrikan."

Jacob Zuma, president afrikanojugor
Jacob Zuma, president afrikanojugorFotografi: AP

Udhëheqësi i dashur, por edhe i urryer i rinisë lufton për shpronësimin e tokës dhe për shtetëzimin e minierave, ka simpati me Robert Mugaben dhe bëri shkollë te Hugo Chavezi, por njëkohësisht bën një jetë luksoze me limuzinë të shtrenjtë, shampanjë dhe orë Breitling.

Malema pati luftuar me këmbëngulje për Jacob Zumën si kryetar partie dhe shteti, por kohët e fundit ai pati kërkuar pak a shumë hapur shkarkimin e tij. Për këtë ai kishte mbështetës të fuqishëm në ANC. Prandaj lufta e Presidentit Zuma kundër zjarrvënësit të ri Malema është edhe një luftë për mbijetesën e tij politike. Janë shumë ata që duan të shpëtojnë prej tij në kongresin e ardhshëm partiak në fund të vitit 2012. Tani kundërshtarët e tij janë dobësuar në mënyrë vendimtare, për këtë vëzhguesit janë të të njëjtit mendim.

Vendimi për përjashtim në revizion

Malema do ta kalojë në revizion vendimin për ta përjashtuar atë pesë vjet nga partia, por analistët nuk besojnë se ai do të ketë sukses me këtë. Para dy javësh ai drejtoi një marshim proteste drejt pallatit presidencial në Pretoria, dhe aty u shfaq i shkujdesur:

"Po të përjashtohem nga ANC-ja, kjo nuk është problem për mua. Jeta vazhdon. Unë kam luajtur rolin tim dhe emri im do të hyjë në histori." Kjo është e sigurtë që do të ndodhë - si emri i udhëheqësit të parë të rinisë të ANC-së që e suspenduan.

Autor: Klaus Stäcker/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi