1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë trafikimit të organeve

Heimo Fischer / Pandeli Pani22 Nëntor 2013

Këshilli i Evropës ka formuluar një projekt-konventë gjithëpërfshirëse për luftimin e trafikimit të organeve.

https://p.dw.com/p/1AM9u
Fotografi: picture alliance/chromorange

Lista e tmerreve është e gjatë. Në Bangladesh, fshatarët e varfër shesin veshkat e tyre për 1.400-1.900 euro. Në shkretëtirën e Sinait në Egjipt thuhet se refugjatëve nga Afrika u kanë prerë organet pa narkozë. Në Kinë përfundojnë në sallën e operacionit veshkat, mushkëritë dhe zemra e atyre që ekzekutohen. Dhe edhe në Ballkan ka raste të tregtisë me organe.

Shifra të sakta nuk ka, por Manfred Nowak, i cili deri në vitin 2010 ishte raportues i OKB-së për torturën tha për DW, se tregtia e organeve vitet e fundit është shtuar shumë dhe se kjo është pjesë e kirminalitetit të organizuar, dhe po rritet me ritme të shpejta.

Hap i rëndësishëm për të drejtat e njeriut

Për t'i frenuar këto praktika kriminale, Këshilli i Evropës ka vendosur të marrë një hap të rëndësishëm. Projekt-konventa gjithëpërfshirëse për luftimin e trafikimit të organeve pritet të miratohet nga Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare në Vjenë të premten (22.11.2013) dhe mund të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Fshatarë të varfër në Pakistan duke shitur veshkat e tyre
Fshatarë të varfër në Pakistan duke shitur veshkat e tyreFotografi: picture-alliance/dpa

Projekt-konventa parashikon ndëshkime për ata që u heqin të tjerëve organet duke i vënë nën presion ose për para, dhe i përdorin për qëllime tregtare. I ashtuquajturi turizëm për transplantimin e organeve duhet të ndalet. Në klinikat kineze, pakistaneze apo indiane, për shembull, pacientëve të pasur u transplantohen organe origjina e të cilave shpesh nuk është e qartë.

Por miratimi i konventës nuk do të thotë se rregullat hyjnë automatikisht në fuqi, sepse ato duhet të ratifikohen prej shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Gjithësesi në Evropë tregtarët e organeve nuk mund ta ndjejnë veten të sigurt. Në fund të prillit një gjykatë ndërkombëtare dënoi pesë vetë nga Kosova, që kishin blerë veshka për t'i shitur më tej për pacientë të pasur në Izrael, Gjermani, Kanada dhe Poloni. Procesi nxorri në dritë se dhuruesve u ishin dhënë rreth 12.000 euro për një veshkë, ndërkohë që ato ishin shitur për dhjetëfishin e këtij çmimi.

Forcimi i të drejtave të më të varfërve

Nëse Konventa do ta ulë ndjeshëm trafikun e organeve, ende nuk mund të thuhet. Për profesorin e drejtësisë Manfred Nowak, rëndësi ka edhe sinjali që jepet. "Konventa ka të bëjë me dinjitetin njerëzor." Dhe edhe në qoftë se ajo është vetëm një hap simbolik, ajo synon respektimin e të drejtave të më të varfërve. Ajo tregon se veprimtaria e bandave kriminale, që rrëmbejnë njerëz që t'u heqin organet kundër vullnetit të tyre, nuk duhet të pranohet me duar kryq.

Manfred Nowak
Manfred NowakFotografi: picture-alliance/dpa

Një zyrtar i qeverisë kineze tha në fillim të nëntorit se duke filluar nga viti 2014 vendi i tij nuk do t'u heqë më organe të burgosurve që ekzekutohen, për t'i shitur ato që t'u transplantohen të tjerëve. Prej kësaj praktike janë krijuar rrjete dhe struktura mafioze prej të cilave përfitojnë gardianët e burgjeve, policët, firmat e transportit dhe spitalet, tregon Nowak, i cili kur ishte raportues i OKB-së për torturën ka qenë edhe në Kinë për të hetuar në lidhje me tregtinë e organeve.

Ka gjasa pra që Konventën e Këshillit të Evropës ta nënshkruajë edhe Kina, sepse kjo konventë është e hapur jo vetëm për pjesëtarët e Këshillit të Evropës, por për të gjitha vendet e botës.