1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e xhihadistëve për sundim në Tunizi

Andreas Gorzewski30 Qershor 2015

Shteti Islamik po i bën gjithnjë e më shumë konkurrencë Al-Kaidës në Tunizi. Me sulmet terroriste si ai i fundit në Sus të dyja organizatat po përpiqen të bëjnë sa më shumë për vete përkrahësit radikalë.

https://p.dw.com/p/1FpyA
Tunesien Gedenkfeier für die Opfer des Anschlags
Fotografi: Reuters/Z. Bensemra

Pandalshëm po e përhapin milicët e "Shtetit Islamik" tmerrin edhe në vendet e Afrikës Veriore. Pak pas sulmit të përgjakshëm terrorist në plazhin e metropolit turistik Sus, ku humbën jetën 39 vetë, përmes twitterit e morën përgjegjësinë përkrahësit e Shtetit Islamik.

Nëse vërtet qëndron Shteti Islamik pas sulmit, kjo as nuk mund të verifikohet, por pranimi nga ana e Shtetit Islamik të le të kuptosh se lufta për pushtet mes dy grupeve konkurruese xhihadiste po bëhet e hapur. Disa grupe i kishin shpallur luftë qeverisë në Tuniz, para se kreu Abu Bakr Al-Bagdadi të shpallte shtetin e Kalifatit në Siri dhe Irak. Pas Libisë, Shteti Islamik po përpiqet të zerë vend tani edhe në Tunizi.

Ky vend dukej si një oaz qetësie në zemër të një rajoni të trazuar. Ndryshe nga Algjeria, aty nuk pati një luftë qytetare mes ushtrisë dhe islamistëve. Ndryshe nga Egjipit dhe Libia, Tunizia e kaloi me pak probleme periudhën e pranverës arabe. Por parajsa e pushimeve ka edhe një anë të errët. Shumë rajone janë të pazhvilluara, e pikërisht nga këto rajone vijnë më shumë se 3000 përkrahësit që luftojnë për Shtetin Islamik në Irak dhe Siri. Nga asnjë vend arab nuk vijnë kaq shumë xhihadistë.

Tunesien Demonstrationen gegen den Terrorismus nach dem Anschlag
Shteti Islamik nuk ka bazë të gjerë në Tunizi - Demonstratë kundër terrorizmit pas sulmeve në SusFotografi: Picture-Alliance/AA/Y. Gaidi

Luftë për përkrahës të rinj

Por megjithë këto shifra, Shteti Islamik nuk kishte një bazë të gjerë në këtë vend. Tani kjo duhet të ndryshojë, sipas vullnetit të krerëve të Shtetit Islamik. Eksperti për terrorizmin, Aymen Javad A-Tamimi nga instituti amerikan "Middle East Forum" thotë se Shteti Islamik ftoi në mars "vëllezërit" për të bërë betimin për kalifatin. Në shumë vende afrikane grupet xhihadiste i janë bashkuar formalisht organizatës terroriste të Al-Bgadadit. Në fillim të qershorit një grup i quajtur "Muxhahedinët e Tunizisë" shpalli një provincë të Shtetit Islamik edhe në Tunizi, shpjegon Al-Tamimi.

Nga ana tjetër organizata e Al-Kaidës ka qenë aktive në Tunizi nga viti 2002. Kjo organizatë mori përgjegjësinë për sulmin në ishullin Xherba, ku u vranë 19 turistë, mes tyre 14 gjermanë. Më vonë në këtë territor u ngrit edhe një filial i ri me emrin "Al Kaida në Magrebin islamik". Këtu bën pjesë edhe brigada "Okba Ibn Nafaa", që mban emrin e një komandanti mysliman të ushtrisë nga shekulli i 7-të. Disa sulme kundër politikanëve dhe ushtarëve i adresohen kësaj organizate. Ekspertët janë të mendimit se edhe pas sulmit në muzeun Bardo në Tuniz më 15 mars 2015 ku humbën jetën 20 turistë e një polic ndodhet kjo organizatë.

Ansar Al-Sharia si organizatë bamirësie

Shumë anëtarë të brigadës "Okba Ibn Nafaa" kanë ardhur nga grupi salafist "Ansar al Sharia", një organizatë që funksionon në disa shtete arabe, me themelues Abu Iyadhin, një njeri që ka luftuar në Bosnje dhe Afganistan, organizator i sulmit në ambasadën amerikanë në Tunizi në vitin 2012. "Ansar al Sharia" paraqitet edhe si organizatë humanitare. Wolfgang Pusztai, ekspert për Afrikën Veriore dhe ish-atasheu i mbrojtjes së Austrisë në Libi, thotë se kjo organizatë me këtë aktivitet do të tregojë se mbështet të varfrit.

, mutmaßlicher Attentäter von Soussa
Seifeddine Rezgui, atentatori i dyshuar për sulmin në SusFotografi: picture-alliance/dpa/Social Media

Për Pusztain nuk ka rëndësi se cilit grupim i përket një terrorist. "Shumicën e grupimeve salafiste-xhihadiste e lidh ideologjia e përbashkët dhe vizioni i Shtetit Islamik". Por ndryshe nga Libia, në Tunizi salafistët e dinë se nuk kanë perspektiva për një fitore ushtarake ndaj shtetit. Prandaj qëllimi i tyre i drejtpërdrejtë është themelimi i celulave të rezistencës. Ata përpiqen të rrisin influencën sidomos në malësitë e Hambit në kufi me Algjerinë.

Sipas ekspertit qëllimi afatgjatë është përgatitja e një kryengritjeje popullore. Terrenin ata po e krijojnë përmes sulmeve ndaj forcave të sigurisë dhe turistëve. Nëse turistët nuk do të vijnë më në Tunizi, atëherë gjendja ekonomike e këtij vendi me shumë varfëri do të përkeqësohet edhe më shumë -kjo është llogaria që bëjnë terroristët, duke menduar se kështu do të rriten avantazhet për ta.