1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta për pushtet në Serbi ende s´ka marrë fund

VFB13 Maj 2008

Rezultati i zgjedhjeve në Serbi gjen jehonë në shtypin gjerman

https://p.dw.com/p/Dyeb
Fotografi: DW / Görner

Gazeta "Stuttgarter Zeitung" komenton: "Serbia mbetet e pastabilizuar, një shtet i përçarë vazhdimisht prej partive të paafta ta drejtojnë atë. Vendi karakterizohet prej korrupsionit, që shihet me mosbesim prej qytetarëve të deprimuar. Një shtet nën hije i përbërë nga klane, punonjës të sigurimeve sekrete, njësi paraushtarake dhe nga një aparat jodemokratik drejtësie, që ushtron kontroll të gjerë. Këto zgjedhje parlamentare, ashtu si edhe ato të mëparshmet në janar të 2007-ës, treguan, se raportet me ngadalësi të pafund zhvendosen drejt demokracisë perëndimore, sepse kjo premton më së shumti përmirësim të gjendjes ekonomike. Por lufta për pushtet ende nuk ka marrë fund."



Në të përditshmen "Leipziger Volkszeitung" komentatori nënvizon: "Serbët duhej të vendosnin, nëse ata pamëdyshje donin BE-në ose jo. U dha një përgjigje e qartë: ata e duan BE-në. Por megjithatë mëdyshje ka shumë. Fillimisht një pengesë përbën Kosova, për statusin e së cilës BE-ja dhe Serbia grinden duke pasur pozicione të papajtueshme. Një tjetër mëdyshje ka të bëjë me vështrimin restrospektivë drejt viteve 90-të: duhet të turpërohemi apo të jemi krenarë për ato që kanë ndodhur? Janë oficerët serbë dhe udhëheqësit e luftës heronj apo kriminelë lufte? Kush duhet bërë përgjegjës për bombat, që na u hodhën mbi kokë para nëntë vjetësh: Sllobodan Millosheviçi, apo NATO dhe shtetet e BE-së?"


Zgjedhësit pro-perëndimorë në Serbi meritojnë mbështetjen e BE-së, thekson komentatori i gazetës "Westfälischer Anzeiger" që del në Ham: "Me marrëveshjen mjaft të diskutueshme të Stabilizim-Asocijimit BE-ja i hapi portat Serbisë në fund të prillit. Tani duhet të këmbëngulet për rendimentet përkatëse, madje ato duhen arritur në rast nevoje edhe duke kërcënuar me anullimin e kësaj marrëveshjeje. Sepse zgjedhësit, që votuan pro Evropës, dëshirojnë të mos mbeten të vetëmit ata që të ushtrojnë presion ndaj qeverisë së tyre."