1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftime të përgjakshme në Libi

uh/dh (afp, dpa, rtr) / Esat Ahmeti16 Nëntor 2013

Në kryeqytetin libian Tripoli, ka pasur përleshje të përgjakshme mes milicisë dhe qytetarëve të armatosur. Si pasojë jetën humbën të paktën 32 njerëz. Shkaktar i luftimeve ishte një protestë e grupeve paqësore.

https://p.dw.com/p/1AIiN
Fotografi: Mahmud Turkia/AFP/Getty Images

Ata kishin dëgjuar thirjet e imamëve myslimanë dhe pas faljes së xhumasë kishin dalur në rrugë për të protesuar kundër milicëve në pushtet në Libi. Qindra njerëz mbanin në duar flamuj të bardhë për të treguar se bëhet fjalë për një protestë paqësore. Po ashtu ata po mbanin në duar flamuj dhe po këndonin himnin kombëtar.

Luftëtarët duhet të largohen nga qyteti

Së bashku, ata marshuan drejt selisë së brigadave luftarake të ardhura nga Misrata dhe kërkuan që ata të largohen nga Tripoli. Njerëz të armatosur brenda ndërtesës fillimisht u përgjigjën me të shtëna paralajmëruese. Por kur njerëzit vazhduan të afrohen më shumë u qëlluan nga forcat e milicisë ndër të tjera edhe me një armë kundërajrore.

Qytetarët u armatosën

Demonstruesit u tërhoqën fillimisht por një pjesë e tyre, megjithatë u kthye e armatosur për të sulmuar objektin. Ata arritën t'i japin flakën ndërtesës. Më vonë, ushtria arriti në vendin e ngjarjes dhe u përpoq për të ndarë grupet. Sipas informatave të fundit të autoriteteve, të paktën 32 njerëz u vranë dhe më shumë se 300 të tjerë u plagosën. Vëzhguesit folën për luftimet më të ashpra në rrugë që nga rënia e sundimtarit Muamar Gadafi.

Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje njerëzve për të dhuruar gjak. Ende nuk dihet se sa të vdekur dhe të plagosur ishin nga radhët e protestuesve dhe sa prej milicisë.

Milicët rrëmbyen edhe kreun e qeverisë

Fillimisht para një jave milicia rivale kishte zhvilluar luftime të ashpra. Si pasojë jetën pati humbur një njeri. Shumë prej "brigadave revolucionare", të cilat u forcuan në luftën kundër pushtembajtësit Muamar Gadafi, deri sot nuk duan as të çarmatosen e as të përfshihen në aparatin e sigurimit të shtetit. Ato luftojnë njëra-tjetrën dhe nuk zbatojnë thirrjen e qeverisë së dobët qendore që të largohen nga Tripoli. Në muajin tetor milicët patën rrëmbyer edhe kryeministrin Ali Seidan duke e mbajtur disa orë peng.

Sipas diplomatëve perëndimorë, situata në vendin afrikano-verior është "gjithnjë e më kritike". Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Italia lëshua​nnjë deklaratë të përbashkët me të cilën i bëhet thirje libanëve që të tejkalojnë mosmarrëveshjet e brendshme.