1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lunaçek: Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa njohjen e Kosovës

9 Nëntor 2012

"Nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet normalizimi i raporteve, ndërsa Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE, pa njohjen e Kosovës", shprehet për DW Ulrike Lunacek, raportuese e posaçme e PE për Kosovën.

https://p.dw.com/p/16gGb
Fotografi: DW

DW: Zonja Lunaçek, çfarë prisni ju nga dialogu mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq?

Ulrike Lunaçek: Së pari, dua të them se është shumë mirë që vetëm pak javë pas takimit të parë, të organizuar nga zonja Ashton, u mbajt edhe takimi i dytë mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq. Pres që në këto takime të thuhet qartë se cilët hapa duhen ndërmarrë dhe që palët të saktësojnë se cilët hapa mund të fillojnë t'i realizojnë deri në fund të vitit. Por bashkëbiseduesit nuk duhet të ndalen vetëm tek realizimi i marrëveshjeve të arritura më parë. Ata duhet të arrijnë edhe marrëveshje të tjera. Një prej temave që duhet të trajtohet është edhe heqja e strukturave paralele në veri të Kosovës, që është një temë shumë e rëndësishme. Daçiqi do ta ketë shumë të vështirë, por këto masa janë të domosdoshme për të arritur deri tek zgjidhjet e duhura. Kjo është edhe në interesin e serbëve në Kosovë.

DW: Serbia dhe Kosova kanë zhvilluar disa herë dialogje, por kanë dështuar. Ku i bazoni shpresat se ky dialog do të rezultojë me sukses?

Ulrike Lunaçek: Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës raportet mes këtyre dy vendeve janë karakterizuar nga incidentet dhe konfliktet. Kjo është përpjekja e parë që të fillohet një bashkëpunim mes tyre. Unë jam shumë e lumtuar që kjo po ndodh nën drejtimin e zonjës Ashton. Me rëndësi është që në këto takime po marrin pjesë të dy kryeministrat, që të them të drejtën, nuk e kam pritur. Në veçanti kontestuese ka qenë pjesëmarrja e kryeministri të Serbisë Daçiq. Daçiqi personalisht angazhohet për ndarjen e Kosovës, ndonëse në takimin e fundit nuk e ka përmendur këtë mundësi. Pjesëmarrja e tij nuk ka qenë e sigurt edhe për faktin se në Serbi ende flitet për përzierjen e mundshme të kryeministrit të Kosovës në tregti me organe njerëzish. Ndaj është shumë me rëndësi që Daçiqi ka pranuar të ulet në një tavolinë me Thaçin. Kam përshtypjen se qeveria e re serbe, e cila vjen nga krahu nacionalist, do ta ketë më lehtë të vendosë sesa ish-presidenti Tadiq, i cili nuk ka mundur apo edhe nuk ka dashur të marrë vendime. Nga ai kemi pritur shumë më shumë, por për fat të keq ai nuk i ka realizuar këto pritje.

DW: Ju edhe vetë e përmendët se Daçiqi angazhohet hapur për ndarjen e Kosovës. Mendoni se është e mundur kjo ndarje?

Ulrike Lunaçek: Jo. Bashkimi Evropian nuk do ta pranojë ndarjen. Ndërkohë që nuk mund ta besoj se Thaçi dhe Daçiqi mund të bien dakord për ndarjen e Kosovës. Asnjë njeri në Parlament apo në Bashkimin Evropian, që e njeh pak më mirë rajonin, nuk është për ndarjen e Kosvoës, apo për kufij të rinj në Ballkan.

DW: Pala serbe me siguri që siguri që do të kërkojë të paktën një autonomi me të gjërë e ndoshta edhe ndonjë status special për serbët në në veri të Kosovës. Mendoni se duhet gjetur një zgjidhje tjetër, apo mjafton korniza e paraqitur në Planin e Ahtisaarit?

Ulrike Lunaçek:  Ajo që parashikon Plani i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës është e mjaftueshme. Këto mundësi po i shfrytëzojnë serbët në pjesët tjera të Kosovës, ku është bërë decentralizimi i pushtetit. Serbët në pjesët tjera kanë organizuar zgjedhje në bazë të Kushtetutës së Kosovës, kanë kryetarët e komunave dhe organet e veta të pushtetit. Këto gjëra mund t'i kenë edhe serbët e veriut të Kosovës. Ndaj nuk ka nevojë për rregulla të reja për serbët në veri.

DW: Cilat do të jenë problemet më të mëdha gjatë këtij dialogu?

Ulrike Lunaçek: Një prej problemeve më të mëdha do të jetë zbatimi i marrëveshjes për kontrollin e integruar të kufijëve (IBM). Kjo nënkupton që në kufi të ketë një godinë të përbashkët, ku në njërën anë është një polic kosovar dhe në anën tjetër një polic serb. Kjo me siguri që nuk do të jetë e lehtë. Por pala serbe na ka premtuar gjatë vizitës së fundit në Beograd se me të vërtetë do t'i zbatojë këto marrëveshje. Ndër problemet e tjera janë edhe heqja e strukturave paralele dhe në radhë të parë heqja e strukturave serbe të sigurisë në veri, policisë dhe forcave tjera që mbështeten nga Beogradi. Por kam përshtypjen se Beogradi është i gatshëm t'i realizojë këto marrëveshje. Besoj se Serbia nuk do të luajë me perspektivën e saj evropiane.

DW: Po, por Serbia me siguri që si shpërblim pret lëshime të tjera në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në qoftë se tregohet konstruktive në dialogun me Kosovën. Kur do t'i jepet Serbisë drita jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE?

Ulrike Lunaçek: Kjo do të ndodhë vetëm pas normalizimit të raporteve me Kosovën, kur Komisioni Evropian të ketë dhënë një vlerësim të tillë. Normalizimi nënkupton edhe hapjen e zyrave për ndërlidhje në Prishtinë dhe Beograd, sepse në këtë moment me siguri që nuk do të quhen ambasada. Për Kosovën është poashtu me rëndësi që të mos pengohet prezantimi i saj jo vetëm organizatat rajonale por edhe ndërkombëtare - duke u nisur nga Këshilli i Evropës, OSBE-ja e deri tek organizatat e sportit. Është plotësisht e pakuptueshme që të pengohet pjesëmarrja e sportistëve kosovarë në lojërat olimpike apo në manifestimet në basketboll dhe sportet e tjera. Kjo nuk mund të tolerohet. E di që Serbia e ka vështirë të dakordohet me këto çështje. Por Beogradi nuk mund të presë lëshime apo dhurata të tjera, vetëm pse tregohet konstruktiv në dialog. Ajo që mund të arrrihet është që serbët e veriut të jetojnë në një shtet juridik dhe jo në frikë për sigurinë e tyre.  



DW: Kryetari i Parlamentit Evropian Martin Schultz, por edhe disa europarlamantarë dhe diplomatë të tjerë, e kanë thënë qartë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa njohjen e Kosovës. A është ky kushti kryesor i Serbisë, apo do të gjendet ndonjë mundësi tjetër, që ajo të anëtarësohet edhe pa njohjen e Kosovës?

Ulrike Lunaçek: Jo, nuk do të ketë ndonjë zgjidhje tjetër. Unë e kam thënë disa herë shumë qartë edhe për mediat serbe se nuk do të lejohet një Qipro e re në Bashkimin Evropian. Pra në BE nuk do të anëtarësohet asnjë vend pa definimin e saktë të kufirit. Ndaj Serbia nuk do të anëtarësohet në BE pa njohjen e Kosovës. Unë do të doja që Serbia dhe pesë vendet e tjera të BE-së të njohin Kosovën menjëherë, por për momentin është me rëndësi normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Unë kërkoj që edhe pesë vendet e tjera të BE-së të njohin Kosovën. Kjo me siguri që do të lehtësonte edhe pozitën e Serbisë.

DW: Mendoni se është e mundur njohja e shpejtë e Kosovës prej këtyre pesë vendeve?

Ulrike Lunaçek: Shpresa vdes e fundit, por problemi është që këto pesë vende dhe në radhë të parë Spanja, kanë probleme të brendshme me minoritetet e veta. Mendoj se serbët e Kosovës nuk janë kaq të rëndësishëm për këto vende. Ato kanë frikë nga minoritetet e veta. Pozitive është që Sllovakia ka njohur pasaportat e Kosovës. Sllovakia dhe Greqia kanë në Kosovë madje edhe përfaqësitë e tyre, që do të thotë se gjërat po lëvizin ngadalë.

DW: Ky dialog me siguri që mund të ndihmojë zbutjen e këtyre qëndrimeve, apo jo?

Ulrike Lunaçek: Me siguri, sepse këto vende thonë edhe hapur se nëse Serbia dhe Kosova arrijnë ndonjë marrëveshje edhe ne do ta njohim Kosovën. Kjo është thënë hapur edhe në parlamentin e Sllovakisë.

DW: Kosovarët me siguri që presin edhe liberalizimin e vizave. Kur mund të ndodhë kjo?

Ulrike Lunaçek: Nëse kryhet të gjitha detyrat që janë paraqitur, besoj se kjo mund të ndodhë më së largu brenda dy vitesh. Por kjo varet nga pala kosovare.

DW: Zonja Lunaçek, pse ka dështuar Eulexi?

Ulrike Lunaçek: Eulexi nuk ka dështuar...

DW: Ndoshta nuk ka dështuar totalisht, por misioni nuk e ka treguar suksesin e pritur?

Ulrike Lunaçek: Në raportin e fundit nuk thuhet që Eulexi ka dështuar, por ai për shumë shkaqe - që pjesërisht kanë të bëjnë edhe me historinë e Kosovës - nuk e ka treguar suksesin e pritur. Në raport thuhet angazhimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të jetë më i madh. Në raport thuhet po ashtu se këtë mision e ka penguar edhe mosnjohja e Kosovës prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian. Vendet anëtare të BE-së kanë dërguar atje shumë pak ekspertë të përgatitur mirë. Ndërkohë që gjykatësit dhe prokurorët shumë shpejt duhet të kthehen në vendet e tyre. Disa madje pas vetëm gjashtë muajsh. Ndaj mendoj se nëse paguajmë kaq shumë para, duhet të kujdesemi që misionit të ketë edhe sukses.

DW: Do të thotë, në këtë mision duhet të bëhen disa ndryshime serioze, në qoftë se mendohet që ai të rezultojë me sukses?

Ulrike Lunaçek: Vendet anëtare duhet të dërgojnë më shumë ekspertë të kualifikuar në Kosovë. Unë kam biseduar edhe me ministrinë e Drejtësisë në Austri dhe ata thonë se po përballen me mungesën e kuadrove të kualifikuara edhe në vendin e tyre. Kjo skizofreni e pjesshme e vendeve anëtare duhet të ndërpritet. Me siguri që në Kosovë duhet të ndryshojnë shumë gjëra, por ne nuk mund t'i fajësojmë vetëm kosovarët për gjendjen atje. Në Kosovë duhet të dërgohen ekspertët e duhur për të siguruar suksesin e këtij misioni.

Intervistoi: Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi


 

Lunaçek: në BE nuk do të anëtarësohet asnjë vend pa definimin e saktë të kufirit
Lunaçek: në BE nuk do të anëtarësohet asnjë vend pa definimin e saktë të kufiritFotografi: DW