1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhënie e vonuar e udhërrëfyesit për vizat

Aida Cama15 Qershor 2012

"Dhënia e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave me Kosovën i jep hov të ri procesit të afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian," thotë Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

https://p.dw.com/p/15Ftx
Ulrike Lunacek
Europarlamentarja Ulrike LunacekFotografi: AP

Në një deklaratë për shtyp duke komentuar dhënien nga Komisarja e BE-së Cecilia Malmström Kosovës të udhërrëfyesit për zhvillimin e dialogut për vizat Ulrike Lunacek, zëdhënëse e politikës së jashtme të fraksionit të Të gjelbërve në Parlamentin Evropian thotë se "Dhënia e udhërrëfyesit për liberalizimit e vizave me Kosovën, e pritur për një kohë të gjatë realizon më në fund kuadrin konkret dhe objektivat për dialogun për vizat të filluar në muajin janar."

"Në këtë mënyrë fillojnë hapat konkret për t`i dhënë fund politikës së përjashtimit të Kosovës", shkruan Lunacek. Të gjithë qytetarët e tjerë të Ballkanit perëndimor lëvizin të lirë në BE që nga fundi i vitit 2010. "Me këtë udhërrëfyes për realizimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës plotësohet një nga kërkesat kryesore të raportit të pranuar nga shumica e Parlamentit Evropian në fund të muajit mars, duke nxitur hapat e tjerë në drejtim të Marrëveshjes së stabilizim asocijimit (SAA)," deklaron Lunacek duke shtuar se: duhet përshëndetur që "Komisioni ka aprovuar për Kosovën të procedohet si zakonisht për Ballkanin Perëndimor, në një proces që përmban vetëm një hap dhe jo si në rastin e Ukrainës dhe Moldavisë me dy hapa".

"Fakti që Kosova duhet të plotësojë pozitivisht 100 kritere, në vend të 50 standarteve që janë parashikuar për vendet e tjera të rajonit, nuk duhet parë si disavantazh. Ato duhen parë në kuadër të procesit të përshpejtuar të afrimit, i cili në përgjithësi është në dobi të Kosovës", thotë Lunacek, reportere e Kosovës në PE.

Lunacek i drejtohet qeverisë së Prishtinës duke i kujtuar se "ajo ka tani si detyrë të zbatojë detyrat në rrugën e heqjes së vizave, duke përfshirë në këtë proces edhe parlamentin dhe shoqërinë civile". Lunacek i bën thirrje si Brukselit ashtu edhe Prishtinës "që të nxjerrin qytetarët kosovarët nga izolimi i pamerituar".