1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lunacek: Së pari realizimi i marrëveshjeve, pastaj statusi kandidat për Serbinë

25 Nëntor 2011

Para se të vendoset për ndarjen e statusit të kandidatit Serbisë, shtetet anëtare të BE-së duhet të shohin nëse janë aplikuar marrëveshjet e arritura gjatë dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës, thotë Ulrike Lunacek.

https://p.dw.com/p/13HBM
Ulrike Lunacek
Ulrike LunacekFotografi: AP

Edhe pse pranon se Serbia ka bërë shumë progres për marrjen e statusit të kandidatit, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit me Tribunalin për krime të luftës në Hagë, reformimin e gjyqësorit dhe ekonomisë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek, vlerëson se rifillimi i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës solli 'rezultate zhgënjyese': "Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga parimet e BE-së. Unë i bëj thirrje Këshillit të BE-së dhe krerëve të shteteve dhe qeverive, të cilët më 9 dhjetor do të vendosin për statusin e kandidatit (për Serbinë), të shohin nëse janë zbatuar marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut. Disa prej tyre mund të zbatohen ende deri në atë datë. Tani çdo gjë është në duart e Serbisë, autoriteteve serbe dhe të zotit Tadiq", tha Lunacek.

Parlamenti serb në Beograd
Parlamenti serb në BeogradFotografi: AP

Bashkëpunimi dhe fqinjësia e mirë - parime themelore të BE-së

Lunacek konsideron gjithashtu se aplikimi i marrëveshjes për vulat doganore duhet të jetë kusht për statusin e kandidatit për Serbinë. Kjo marrëveshje tani ekziston në letër dhe mund të jetësohet për një ditë, thekson Lunacek. Duke u përgjigjur në pohimin e gazetarëve se Gjermania është gjithnjë e më e izoluar në qëndrimin e saj se eliminimi i strukturave paralele në veri të Kosovës duhet të jetë një kusht për përparimin e mëtejshëm të Serbisë drejt BE-së, përfaqësuesja e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, në një konferencë për shtyp në Bruksel tha se sipas mendimit të saj, strukturat paralele "e dëmtojnë jetën e qytetarëve në veri të Kosovës" dhe se plani i Ahtisaarit është "rruga për stabilitetin dhe përparimin në Veri".

"Ekzistojnë modele se si serbët dhe Serbia mund të mbështesin bashkëatdhetarët e tyre në Kosovë dhe askush nuk ka asgjë kundër kësaj mbështetje. Por kjo duhet të bëhet në mënyrë të hapur dhe transparente, çka nuk mund të thuhet tani."

Edhe pse thotë se statusi i kandidatit të Serbisë do të ishte një sinjal i mirë për rajonin e tërë Ballkanit Perëndimor, Lunacek edhe një herë theksoi se BE-ja është e ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe jo konfrontimit, dhe se ky parim kërkohet nga të gjitha vendet që duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

Autor: Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi