1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë banorë në sajë të emigrantëve

dpa / Esat Ahmeti28 Gusht 2013

Pas regjistrimit të fundit të popullsisë papritur u bë e qartë: Në Gjermani jetojnë më pak njerëz, se sa mendohej. Tani emigrantët kanë bërë që numri të rritet përsëri - në 80.5 milionë.

https://p.dw.com/p/19Y2I
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania në kohë të mira ekonomike është shtuar sa me një qytet të madh. Megjithë deficitin e madh të lindjeve popullsia është shtuar me rreth 196 000 njerëz në vitin 2012, më shumë njerëz se sa jetojnë në qytetin Kassel dhe pothuajse aq sa jetojnë në Mainz. Ata kanë ardhur nga vendet e tjera, aq shumë sa nuk mbahen mend që nga viti 1995. Megjithatë përfitues janë vetëm rajonet me zhvillim ekonomik dhe metropolet. Një zhvillim i cili sipas ekspertëve nuk ka të ndalur.

"Ndryshimi demografik është stërkompensuar nga fluksi i hyrjeve", thotë Herbert Brücker nga Instituti për Tregun e Punës (IAB) në Nuremberg. Megjithatë, shifrat e kanë bërë po ashtu të qartë se: landet e forta ekonomikisht, të tilla si Bavaria dhe Baden-Vyrtembergu, bëjnë pjesë në mesin e përfituesve nga ky fluks, Lindja dhe landi i Zarës bëjnë pjesë te humbësit.

Sociologu Steffen Kröhnert nga Instituti i Berlinit për Popullsinë dhe Zhvillimin, thotë: "Gjermania po përfiton nga emigrantët, por ata nuk kompensojnë diferencat rajonale". Sepse: "Njerëzit shkojnë kryesisht atje, ku gjendja ekonomike është më e mirë dhe që janë më tërheqëse në aspektin kulturor, si për shembull në Baden-Vyrtemberg dhe Bavari, si dhe në zonat urbane, për shembull, Berlin, apo Hamburg".

"Emigrantët shkojnë gjithnjë e më shumë në rajonet urbane, atje ku ka punë", thotë eksperti Brücker. Për këtë dëshmon më së miri prania e tyre e madhe në Mynih, apo Shtutgart, në rajonin e Rinit dhe Majnit, si dhe në Hamburg. Tendenca që gjithnjë e më shumë njerëz duan të jetojnë në qendra të mëdha urbane dhe në landet me rritje më të madhe ekonomike vërehet edhe brenda Gjermanisë. "Migracioni vetëm përshpejton këtë proces", sqaron Brücker.