1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190209 NATO Polen

Christoph Hasselbach 20 Shkurt 2009

Në takimin e ministrave të NATO-s në Poloni u njoftua për dërgimin e ushtarëve shtesë në Afganistan. 17 mijë do të jenë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 600 nga Gjermania

https://p.dw.com/p/Gy9b
Fotografi: AP

Në Krakovën e mbuluar me borë janë ndërrmarrë masa të ashpra sigurie. Për nikoqirin polak takimi i ministrave në vitin e dhjetë të anëtarësimit në NATO është edhe çështje e prestigjit kombëtar. Megjithatë gjendja në Afganistan i prish pak NATO-s atmosferën festive. Megjithë angazhimin disavjeçar të bashkësisë ndërkombëtare vendi ende nuk është stabil sa duhet. Prandaj presidenti amerikan Barack Obama ka paralajmëruar shtimin e trupave amerikane për 17 000 ushtarë në Afganistan. Hapi i amerikanëve shtrëngon aleatët, që edhe ata të bëjnë diçka në këtë drejtim. Reagimi i ministrit gjerman të mbrojtjes Fraz-Jozef Jung në Krakov:

Nato Treffen in Krakau Polen
Ministri gjerman i mbrojtjes, Franz Josef Jung, në takimin e NATO-s në Krakov të PolonisëFotografi: AP

"Fillimisht e përshëndes dërgimin e ushtarëve shtesë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës posaçërisht duke patur parasysh sigurimin e gjendjes kritike në kufirin afgano-pakistanez. Kjo e rrit sigurinë, ndaj mendoj që është një hap i drejtë. Por natyrisht ne nuk duhet të shohim vetëm aspektin e sigurisë. Ne duam të shpiejmë procesin përpara. Kjo do të thotë se ne garantojmë sigurinë, por edhe shpiejmë konkretisht përpara rindërtimin civil".

Ministri Jung nuk ka shkuar duarbosh në Poloni. Gjermania do të dërgojë edhe 600 ushtarë shtesë në Afganistan. Një pjesë e tyre do të angazhohet për sigurimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve në muajin gusht. Jung beson ndërkohë se administrata e re amerikane nën drejtimin e Obamës do t'i kushtojë më shumë rëndësi barazpeshës mes aspektit ushtarak dhe civil. Megjithatë NATO duhet të ballafaqohet edhe me një problem tjetër. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, vetëm gjatë vitit të kaluar në Afganistan janë vrarë nga trupat qeveritare apo ushtarët e huaj rreth 1000 civilë. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike NATO Jaap de Hoop Scheffer tha se aleanca është duke bërë gjithçka është e mundur për të evituar viktimat e tilla.

Afghanistan Soldaten des 373 Batalions der Bundeswehr patroullieren in der afghanischen Hauptstadt Kabul
Ushtarë gjermanë duke patrulluar në KabulFotografi: AP

"Fatkeqësisht evitimi i plotë nuk do të jetë i mundur. Por unë nuk kam parë ende dhe nuk do të shoh asnjëherë një ushtar të NATO-s, apo një ushtar të vendeve partnere, që të vrasë me qëllim civilë të pafajshëm. Qëllim për të vrarë mijëra civilë të pafjashëm kanë kundërshtarët tanë, talebanët e jo NATO".

Përveç Afganistanit NATO planifikon edhe një mision tjetër kundër piratëve në Somali. Bashkimi Evropian ka marrë përsipër një mision të mëparshëm të NATO-s. Por për shkak të rëndësisë së kësaj problematike NATO dëshiron të dërgojë sërish anije në ujërat e Afrikës së Veriut.