1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mëkëmbësi ideal - Portret i Dmitri Medvedevit

Christina Nagel11 Dhjetor 2007

Zëvendëskryeministri rus, Dmitri Medvedev planifikohet të bëhet pasardhës i kryetarit të shtetit Vladimir Putin. Ai njihet si bashkëluftëtar i shefit të Kremlinit. Por kush është Medvedevi?

https://p.dw.com/p/Ca6J
Dimitri MedvedevFotografi: AP

Pamja e jashtme nuk duhet të të gënjejë në rastin e Dmitri Medvedevit. Ai duket i ri, nganjëherë edhe i ngathët. Tiparet i ka të buta, nuk rrezatojnë ashpërsinë dhe ftohtësinë e një Vladimir Putini. Në paraqitjet e tij në vend ai dëgjon plot mirëkuptim. Vetëm në dukje ai është tërësisht në anën e popullit. Në muajin shkurt ai kritiko: 'Ka mungesë kontaktesh midis shoqërisë civile dhe aparatit të pushtetit. Kjo mungesë është kronike.'

Medvedev - politikan me përvojë

Juristi 42 vjeçar është prej kohësh politikan i regjur. Shokun e vet të kohëve të Shën Petërburgut ai e ka ndihmuar gjithnjë. Edhe atëherë kur ishte fjala për shmangie telashesh. Për shembull në fillim të viteve nëntëdhjetë kur shumë ngatërroheshin dhe të dy punonin ende në bashkinë e Shën Petërburgut.

Atëherë qyteti lidhi me disa firma marrëveshje jotransparente. Në këmbim për dru, naftë dhe lëndë të tjera të para do të livroheshin ushqime, prej të cilave një pjesë e madhe nuk mbërriti kurrë. Parlamenti i qytetit fajësoi drejtorin e sektorit për marrëdhënie me jashtë, Vladimir Putin, se ishte pasuruar. Medvedev ia doli që hetimet të mbylleshin.

Njohuritë si jurist e ndihmojnë kandidatin Medvedev

Për Sergej Mironovin, kryetarin e partisë së dytë të Kremlinit Rusia e Drejtë, njohuritë prej eksperti të Medvedevit janë një plus i madh: 'Medvedevi është një jurist i shkëlqyer, i cili nuk njeh shkëlqyeshëm vetëm të drejtën civile, por edhe atë ndërkombëtare. Kësaj i shtohet fakti që ai di shumë për sektorët e mbrojtjes dhe të sigurisë së brendshme. Shkurt: Ai është profesionist. Dhe çka për mua është shumë e rëndësishme, ai është një këshilltar i ngushtë i Vladimir Putinit.'

Putini ishte ai që e solli në Moskë teknokratin fillimisht të zbehtë. Këtu ai u ngjit në rangun e zëvendësdrejtorit të administratës presidenciale, drejtoi në vitin 2000 fushatën zgjedhore të Putinit dhe u bë në fund zëvendëskryeministër. Në të njëjtën kohë ai bëri karrierë edhe në koncernin Gazprom: derisa u bë kryetar i bordit mbikqyrës. Pra në politikë dhe ekonomi ai gjendet prej kohësh në levat e pushtetit - megjithëse qëndron shpesh në prapavijë.