1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Financimi i partive për zgjedhjet në Shqipëri

Arben Muka17 Maj 2013

Aktivistë të shoqërisë civile në Shqipëri shprehin shqetësim për mostransparencën e burimeve të donacioneve dhe të shpenzimeve që realizojnë partitë politike kryesore gjatë procesit zgjedhor.

https://p.dw.com/p/18Z0H
Fotografi: picture-alliance/dpa

Mentor Kikia, drejtues i Forumit të Mendimit të Lirë, FML, shprehet se nga pikëpamja formale partitë politike bëjnë raportime sipas ligjit për financimet dhe shpenzimet gjatë fushatës. Ata mbushin formularët duke i qëndruar besnikë ligjit në këtë aspekt dhe në finale, sipas Kikisë, gjithçka del e kopsitur duke kirjuar perceptimin e rremë se çdo lek që hyn dhe shpenzohet në fushatë është konform ligjit. Auditi që bëhet pas zgjedhjeve jep një pamje të normalitetit, që përligj në fakt praktika korruptive me pasoja shumë të rënda për të gjithë sistemin, thotë Mentor Kikia për DW. 

Shtabet elektorale e kanë bezdi transparencën

"Organizata jonë ka bërë hulumtime në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 mbi financimet dhe shpenzimet e partive politike gjatë fushatës elektorale. Zbuluam mashtrime me evidentimin e shpenzimeve që shkonin nga 5 deri 7 herë më të larta se sa u raportuan zyrtarisht nga shtabet elektorale të partive kryesore. Ajo që ndriçoi FML nuk ishte as gjysma e shpenzimeve të partive gjatë fushatës së para 4 viteve. Pra, ishte e qartë se kishte financime të zeza, të paeviendtuara, që e komprementuan procesin. Në selitë e partive politike kanë mbërritur në zgjedhjet e vitit 2009 dhe thasë me para të paregjistruara kërkund. Por ata që i morrën në dorëzim e dinin shumë mirë pronarin e tyre. Sepse u ndoq rregulli i pashkruar: kush sponsorizon ose financon fushatën elektorale, atëherë pas zgjedhjeve meriton rimbursim, nëpërmjet favoreve dhe lehtësirave në përdorimin e forndeve publike, ose shkarkime nga detyrimet fiskale. Sipas këtij mentaliteti të konsoliduar i bie që korrupsioni i pushtetit të ardhshëm paracaktohet që gjatë fushatës elektorale. Parablehet korrupsioni, parablehet fitimi i tenderave, parablehet trajtimi selektiv nga organet e fiskut, parablehet monopoli që prish konkurrencën e ndershme në treg."

Albanien - Mentor
Mentor Kikia, drejtues i FML në ShqipëriFotografi: DW/A. Muka

Mentor Kikia kujton njërin nga rekomandimet që bëri organzata që ai drejton për publikimin nga partitë të llogarive bankare, për ti dhënë akses organeve të specializuara, medias, shoqërisë civile dhe çdo të interesuari për të marrë info mbi financimet dhe shpenzimet reale, se kush ka financuar, sa ka financuar dhe a janë këta financues në listën e të privilegjuarve të qeverisjes. Por, sipas tij, ky rekomandim ka krijuar bezdi, dhe është përcjellë me indiferencë nga shtabet kryesore të partive politike.

"Shikoni, kur vjen puna tek transparenca e financimeve dhe shpenzimeve gjatë fushatës elektorale, partitë politike kanë kompromis mes tyre, që të mos ketë transparencë. Mazhoranca e opozita kanë divergjenca dhe përplasje për shumë çështje, por ama tek puna e transparencës së këtij aspekti dukshëm janë në kompromis mes tyre. Çfarë pengon që çdo donacion të bëhet në rrugë bankare? Pse preferojnë shtabet elektorale donacione me para kesh, apo me fatura si letra bakalli?"

Ndryshimet e ligjit nuk kanë dhënë impaktin e duhur

Çështjen e transparencës së financimeve të fushatës elektorale e ka në fokus dhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, një rrjet organizatash joqeveritare, që monitoron prej vitesh proceset elektorale në Shqipëri. Një nga përfaqësuesit e Koalicionit është Premto Gogo, drejtor ekzekutiv i KRIIK Albania. Ai thotë për DW-në se mjaft ndryshime që i janë bërë kohët e fundit Kodit Zgjedhor dhe ligjit për partitë politike nuk kanë pasur impaktin e duhur në evidentimin sa më të saktë të shpenzimeve dhe financimeve në fushatat elektorale.

Albanien - Premto Gogo
Premto Gogo nga KRIIK në TiranëFotografi: DW/A. Muka

"Të drejtën e kontrollit të shpenzimeve dhe financimeve e ka pasur Kontrolli i Lartë i Shtetit, por tashmë e institucioni përgjegjës është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ. Nëse më parë KQZ mund të niste hetime plotësuese në bazë të dyshimeve që inicionin subjekte të ndryshme, kjo e drejtë ju hoq nga ndryshimi në Kodin Zgjedhor të vitit të kaluar. Kjo ka qenë një hap prapa, pasi KQZ nuk mund të mjaftohet vetëm nga vullneti dhe përmbajtja e raportimeve që bëjnë auditët. Po ti referohemi disa raportimeve që kanë bërë auditët e financimeve dhe shpenzimeve të partive gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-s dhe zgjedhjeve lokale të 2011-s shikon nonsense të tilla, që subjektet politikanë nuk kanë paraqitur doumentacion, ose kur është raportuar për mangësi të dokumentacionit, psh në rastin e mungesës së faturave tatimore. Atëherë këto mangësi duhet të kalojnë, duhet të mbyllen? Apo duhet të hetohen më tej? Ndaj them që ndryshimi në ligj ka frenuar iniciativën e KQZ-së për të thelluar verifikimet e dokumentacionit."

Premto Gogo nga KRIIK Albania mendon se në këtë mënyrë shkelet e drejta e barazisë në fushatë, për të cilën dokumentet ndërkombëtare parashikojnë ndëshkime serioze kur evidentohet ky fenomen. Gjithashtu ai thotë se ligji aktual për financimin e partive kërkon specifikime në favor të transparencës për publikun. Një mangësi i ligjit është kufizimi kohor për kontrollin e financimeve vetëm për një muaj të fushatës elektorale, kur në fakt në Shqipëri kjo fushatë nis realisht disa muaj para afatit që parashikon Kodi Elektoral.

Partitë të japin shembull me vetëkontroll për financimet

Lutfi Dervishi, drejtor ekzekutiv i Transparency International - Albania, TIA, mendon se Kodi Zgjedhor është një bazë e mirë për transparencën e financimit gjatë fushatës, por sipas tij problem është si zbatohet Kodi dhe si bëhet mbikqyrja. Nëse media dhe organizatat joqeveritare do të kishin më shumë vëmendje në këtë aspekt atëherë dhe publiku do të jetë më i informuar e për rrjedhojë presioni mbi konkurrentët dhe KQZ-në do të ishte më i madh, thotë Dervishi për DW

Lutfi Dervishi
Lutfi Dervishi, drejtor ekzekutiv i TIA-s në ShqipëriFotografi: DW

"Auditimi është thembra Akilit. Nëse funksionon do të ishte mrekulli, por për fat të keq ende nuk ka sinjal pozitiv konkret. Le ta quajmë më mirë si pseudoauditim të asaj që bëhet aktualisht! Auditet duhet të zbulojnë dhe denoncojnë deri me pasoja fatale abuzimet e subjekteve me financimin. KQZ duhet të tregojë tolerancë zero ndaj raporteve sipërfaqësore apo manipulative ndaj auditeve. Në anën tjetër vetë partitë duhet të japin shembull, të kenë vetëkontroll për manaxhimin e financimit me instrumenta të rreptë ndëshkues për devijimet që mund të vijnë nga kandidatët. E thënë më troç: ditën që kryetarë partish do të japin dorëheqje për devijime dhe shkelje të sanksioneve të neneve për financimin, atëherë mund të themi se sistemi funksionon. Deri më tani le ta themi që sistemi funksionon shumë mirë në letër".