1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësim feje apo etike? Përgjigje me referendum

23 Prill 2009

Të dielën (26 prill) në Berlin zhvillohet një referendum për të marrë përgjigje për pyetjen a duhet mësuar feja në shkollë, apo duhet lënë vetëm etika si deri tani. A mund të zgjidhet mes të dyjave?

https://p.dw.com/p/Hcfe
Chrissi, është 13 vjeçare, ka lindur në Gjermani, por prindërit i ka nga Shqipëria.
13 vjeçarja Chrissi, ka lindur në Gjermani, por prindërit i ka nga Shqipëria. Ajo shkon në një shkollë, ku feja është lëndë brenda programit mësimorFotografi: DW/Shuka

“Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me përçmuesit,“ thuhet në një pasazh të biblës, që kisha i dhuroi Chrissit me rastin e pagëzimit. Ajo është 13 vjeçare, vetë ka lindur në Gjermani, por prindërit i ka nga Shqipëria. E ëma ishte pagëzuar fshehurazi gjatë diktaturës komuniste, por nuk e quan veten besimtare. Gjithsesi, respekti për kishën katolike i ka mbetur, prandaj edhe nuk ngurroi ta çonte Chrissin në një shkollë, ku feja është lëndë brenda programit mësimor. Lëndët e preferuara të Chrissit janë matematika e fizika: "Feja nuk është shumë e lezetshme", thotë ajo dhe qesh.

Ndryshe qëndron puna me Melisën, shoqen e Chrissit. Ajo i ka prindërit me prejardhje turke dhe fenë e saj, atë islame, mund ta mësojë vetëm jashtë shkolle, në xhami. Në shkollat publike të Berlinit, mësimi i fesë është fakultativ. Melisa do të dëshironte që ta bënte fenë në shkollë, edhe pse ajo, ashtu si Chrissi, nuk kupton shumë nga kurani. Vlerat bazë të shoqërisë ajo i mëson në orën e etikës: “Aty mësojmë që të mos i neglizhojmë të tjerët, që të mos rrihemi me njëri-tjetrin dhe të mos lëndojmë kërkënd.”

Shkollë në Berlin.
Nën drejtimin e kishave qytetarët janë bashkuar në nismën “Pro Reli” dhe kërkojnë trajtim të barabartë të mësimit të etikës dhe atij të fesë.Fotografi: picture-alliance / dpa

Berlini është një nga landet e pakta në Gjermani, që mësimin e etikës e ka lëndë të detyrueshme. Ky rregull u vu nga senati i Berlinit në vitin 2006, si reagim ndaj vrasjes së një turkeje të re, nga i vëllai. Drejtori i një shkolle berlineze, ku shumica e nxënësve ishin me prejardhje myslimane, alarmoi senatin e Berlinit me një letër, ku informonte se si e justifikonin vrasjen disa nxënës.

Por, shumë qytetarë nuk janë dakord me këtë rregull. Nën drejtimin e kishave ata janë bashkuar në një nismë të quajtur “Pro Reli” (shkurtim i frazës Pro Religion) dhe kërkojnë trajtim të barabartë mes mësimit të etikës dhe atij të fesë. Me një fushatë të fuqishme reklamash, duke përdorur dhe persona të famshëm, si zëvendëskryetarin e parlamentit gjerman, Wolfgang Thierse, prezantuesin e televizionit, Gunther Jauch e futbollistin e kombëtares, Anne Friedrich, ata kanë arritur të mbledhin mbi 300 mijë nënshkrime për organizimin e një referendumi (26 prill). Në rast se këta do të fitojnë, atëherë senati i Berlinit do të duhet të punësojë 80 mësues të fesë, mes tyre edhe të fesë myslimane.

Kjo do t'i pëlqente Melisës, sepse në këtë mënyrë ajo do të kuptojë se ç'thuhet në kuran. Chrissi në të kundërt e konsideron pak të mërzitshëm mësimin e fesë në shkollë dhe do të preferonte etikën. Feja do t'i përçante nxënësit thotë ajo: Po të mësojë çdonjëri vetëm për fenë e vet, myslimanët vetëm për veten, katolikët vetëm për veten, atëherë do të ziheshim të gjithë dhe nuk do të kuptoheshim me njëri-tjetrin. Prandaj është etika, që të kuptohemi.”

Autor: Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama