1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CONTRA CO2-Reduzierung

21 Qershor 2010

Më 22 qershor në nis punimet Forumi Global i Medias, që sivjet ka në fokus mbrojtjen e klimës. Një ndër objektivat në luftën kundër ndryshimit të klimës është reduktimi i emisioneve të dioksidit të karbonit.

https://p.dw.com/p/NyIM

Qysh prej 20 vjetësh çdo konferencë për klimën mbyllet me një dështim. Kjo megjithatë nuk e pengon karvanin e pjesëmarrësve në bisedimet për mbrojtjen e klimës të kërkojnë masa edhe më të ashpra në konferencat që zgjasin me javë. Kësisoj lufta kundër ndryshimit të klimës kthehet në qëllim në vetvete.

Është një ritual i politikës së mjedisit: Rritja e temperaturës mesatare globale nuk duhet të tejkalojë 2 gradë Celsius. Për t' ia arritur këtij qëllimi, duhet të reduktohet ndjeshëm emisioni i dioksidit të karbonit të atmosferë - sipas dëshirës së Bashkimit Evropian kuota e uljes duhet të jetë 20 përqind deri në vitin 2020.

Kjo tingëllon si një marrëveshje e qartë, si një masë e vendosur tashmë në luftën kundër ndryshimit të klimës. Duket se me këtë synohet t' i krijohet përshtypja opinionit, se Perëndimi qëndron në krye të lëvizjes për mbrojtjen e klimës, ndërkohë që vendet në ekspandim industrial si Kina apo India nisur nga motive egoiste duan t' i pengojnë këto objektiva.

Por nisma, për t' u përqëndruar vetëm tek reduktimi i dioksidit të karbonit (CO2) është e gabuar: Kjo është një masë politike sa gjigante aq edhe e kushtueshme deri në absurd, që tek e fundit do të kushtojë më shumë para se sa rezultantja e të gjitha pasojave të ngrohjes së Tokës.

Ekonomisti i klimës Richard Tol, i cili punon edhe për Këshillin Botëror për Klimën, ka përllogaritur, se për këtë objektiv duhet të vendoset një taksë prej 45 eurosh për çdo ton dioksid karboni. Deri në vitin 2100 reduktimi i CO2-it do të kushtojë kësisoj 14 herë më shumë se sa dëmet që pritet të shkaktojë deri atëherë ndryshimi i klimës. Pra kemi të bëjmë thjeshtë me shpërdorim parashë.

Jo vetëm nga këndvështrimi ekonomik masat vetëm për reduktimin e emisioneve janë të diskutueshme. Vendeve si India dhe Kina as që mund t' ua përçosh masa të tilla në aspektin politik: Modelet e klimës tregojnë, se ngrohja e Tokës mund të ketë për Kinën pasoja pozitive: Prodhimi bujqësor dhe shëndeti i popullsisë do të përmirësohen, më pak njerëz do të vdesin nga të ftohtit - sepse ndryshimi i klimës ka pasoja shumë më të rënda ndaj temperaturave minimale të dimrit se sa ndaj temperaturave maksimale të verës.

Këto konflikte interesash mes vendeve në ekspandim industrial dhe vendeve të industrializuara nuk mund t' i zgjidhë asnjë konferencë për klimën, për aq kohë sa në to bëhet fjalë vetëm për reduktimin e CO2-it. Veprimi më i mençur dhe konseguent i politikës do të ishte, që më në fund të rrisë të ardhurat për studimin e energjive alternativë. Studimet tregojnë, se burimet e energjive që nuk dëmtojnë klimën ende nuk kanë arritur nivelin e shfrytëzimit.

Njëkohësisht nevojat globale për energji do të dyfishohen deri në mesin e shekullit. Për këtë ne nuk kemi as zgjidhjet teknike dhe as ato politike. Gjetja e këtyre zgjidhjeve, mund të kushtojë shumë para, por në plan afatgjatë kjo kosto do të jetë shumë më e ulët krahasuar me financimet që bëhen për ritualin e konferencave mbi mbrojtjen e klimës. Brezat e ardhshëm nuk do të na vlerësojnë për atë që kemi dashur, por për atë që kemi arritur në të vërtetë.

Autor: Marc Koch

Redaktoi: Aida Cama