1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mali i Zi fillon negociatat për anëtarsim në BE

Bahri Cani26 Qershor 2012

Ministrat e jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian kanë propozuar që të premten të fillojnë negociatat me Podgoricën për anëtarësimin e Malit të Zi në BE. Vendimin konfirmoi komisioneri për zgjerimin e BE-së.

https://p.dw.com/p/15LZ0
Fotografi: picture-alliance/dpa

Komisioneri për zgjerimin Stefan Füle në një mesazh të shkurtër përmes rrjetit social twiter, shkruan se e "vlerëson lartë sugjerimin e ministrave evropianë që të premten të fillojnë negociatat me Podgoricën për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian". Këtë vendim duhet ta mbështesë edhe Këshilli i Evropës, thuhet në konkluzionet e miratuara gjatë takimit të ministrave në Luksemburg. Gjermania dhe Belgjika ishin ndër vendet të cilat kanë kërkuar përcaktimin e datës së fillimit të negociatave me Malin e Zi, ndonëse disa vende të tjera ishin të mendimit se duhet pritur garanci të reja të Podgoricës për gatishmërinë e vazhdimit të reformave dhe vendosjen e shtetit të plotë ligjor.

Në foto, Stefan Füle
Në foto, Stefan FüleFotografi: picture-alliance/dpa

Mbështetja dhe rezervat

Sekretari gjerman i shtetit Michael Link tha se:"Gjermania mbështetë fuqishëm vendimin për fillimin e negociatave me Malin e Zi". Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë përparime të mjaftueshme dhe se Bashkimi Evropian duhet t'i mbetet besnik premtimeve të dhëna për mbështetjen e vendeve që kanë bërë përparime në reformat e kërkuara. Ndërsa ministri i Jashtëm belg Didier Reinders tha se "janë bërë përparime në zbatimin e reformave, ndonëse kanë mbetur edhe disa shkaqe për shqetësim". "Megjithatë është e domosdoshme që të fillojmë negociatat. Kjo është mbështetur edhe nga Komisioni Evropian", tha shefi i diplomacisë belge. Në anën tjetër, Suedia dhe disa vende të tjera anëtare të BE-së kanë kërkuar garanca edhe më të fuqishme përpara fillimit të negociatave për anëtarësimin e Malit të Zi. Përfaqësuesi i Suedisë tha se nuk duhet krijuar një hendek tepër të thellë mes Malit të Zi dhe Serbisë, me shpjegimin se "kjo mund të shkaktojë probleme të sigurisë në rajon".

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture alliance/dpa

Negociatat do të fillojnë në sektorët e sundimit të ligjit, punëve të brendshme dhe drejtësisë, si dhe të drejtave dhe lirive elementare të njeriut. Më pas do të trajtohen të gjithë sektorët tjerë të rëndësishëm për funksionimin e një shteti juridik.