1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: ambasadorët e BE dhe SHBA apel krerëve politikë

Fatos Musliu13 Maj 2016

I dërguari special i Gjermanisë për Maqedoninë, Johannes Haindl, i cili po qëndron për vizitë dyditëshe në Shkup, u takua me liderët e partive nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinës.

https://p.dw.com/p/1InRJ
Mazedonien das Parlament stimmt für die Selbstauflösung
Fotografi: MIA

I dërguari special i Gjermanisë për Maqedoninë, Johannes Haindl ka biseduar me krerët e partive në Maqedoni për gjendjen aktuale politike, krizën e krijuar, si dhe për qëllimet strategjike të shtetit, duke përfshirë edhe integrimet euroatlantike. Lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski tha, se ata janë të përkushtuar drejt gjetjes së zgjidhjes së krizës. Nevojitet vullnet dhe përkushtim i të gjitha subjekteve, si dhe pjesëmarrja aktive e tyre dhe qasje e sinqertë. Në pikëpamje të proceseve integruese, interes strategjik për shtetin është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se në mënyrë të vazhdueshme po ndërmerren masa dhe aktivitete lidhur me agjendën reformuese, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Takimi i krerëve të LSDM-së, Zoran Zaev dhe Radmilla Sheqeinska me përfaqësuesin special të Gjermanisë, Johanes Haindl zgjati rreth 45 minuta. Në dalje nga takimi Zaev tha, se nuk ka asgjë konkrete nga takimi dhe se këto janë bisedime fillestare.

Ahmeti: Rikthimi i Parlamentit zgjidh krizën

Pas takimit me përfaqësuesin special të Gjermanisë për Maqedoninë, Johannes Haindl, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se në takim janë diskutuar shumë çështje në drejtim të tejkalimit të krizës politike në vend. “Ne i kemi dhënë qëndrimet tona për zgjidhjen e krizës. Ia bëmë me dije se ne kemi marrë masa që Parlamenti të vendoset në funksion. Dhe pasi të rikthehet Parlamenti hapen shumë çështje për zgjidhje. Jemi konsultuar me ekspertë se si ta arrijmë rikthimin e Parlamentit. Do t'i kërkojmë të gjitha rrugët”, theksoi kreu i BDI-së.

Ali Ahmeti e ka komentuar gjendjen e fundit politike duke thënë se mosdorëzimi i listave të kandidatëve për deputet nga BDI, LSDM dhe PDSH e ka thelluar edhe më tej kriza politike në vend. Ahmeti i ka inkurajuar të gjitha partitë politike që t'i bashkangjiten nismave për rikthimin në funksion të Parlamentit.

Thaçi kërkon marrëveshje të re

Është shumë me rëndësi që perendimorët vazhdojnë të interesohen për Maqedoninë, rezultatet konkrete nga ky ineresim mund të priten që nga fillimi i javës në vijim, ka thënë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi pas takimit me përfaqësuesin special të Gjermanisë për Maqedoninë Johannes Haindl.

“Marrëveshja e Përzhinos ka dështuar, kjo është definitive. Mua shumë më pengon kur thuhet marrëveshja politike mes katër partive ka dështuar, marrëveshja është e 4 partive politike, por përgjegjësinë për dështimin e marrin 3 partitë që janë pjesë e qeverisë. Unë mendoj se duhet marrëveshje e re, dhe duhet çështjet t'i kemi më të qarta dhe afatet t'i respektojnë të gjitha së bashku”, ka deklaruar Menduh Thaçi.

I pyetur në lidhje me iniciativën e Ali Ahmetit për thirrjen e Parlamentit, Thaçi tha, se iniciativa e Ahmetit është për të fituar aurën e një politikani të kujdesshëm dhe ky nuk është veprim korrekt. Ai tha se do të vazhdojnë me bisedimet por se nuk mund të pranojnë përgjegjësi për disa çështje, për të cilat nuk janë të sigurtë se ashtu do të rrjedhin.

Apeli i ambasadorëve

Ambasadorët evropian, ai i BE-së Aivo Orav, i Britanisë Charles Garett dhe i Holandës Walter Plomp u kanë apeluar liderëve të partive politike që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje për daljen nga kriza. Sipas ambasadorëve zgjedhjet e 5 qershorit nuk mund të jenë të besueshme duke pasur parasysh se nuk janë arritur pikat e Marrëveshjes së Përzhinës. “Ekzistojnë ende probleme me listën e zgjedhësve, lirinë e mediave, dhe ka një problem shumë serioz me vendimin e presidentit Ivanov. Qëllimi i Marrëveshjes së Përzhinës ishte që të arrihen zgjedhje e besueshme dhe ideja e këtyre zgjedhjeve ishte që t'i jepet fund krizës, por kjo nuk po arrihet, dhe pikëpyetje mbetet se si këto zgjedhje do të jenë të besueshme”, thotë Orav.

“Urgjentisht duhet të arrihet marrëveshje dhe Maqedonia të dalë nga qorsokaku. Mendoj se duhet të arrihet zgjidhje për amnestinë, sepse në çdo shtet më e rëndësishëm është sundimi i së drejtës e ku të gjithë qytetarët të jenë të njejtë para ligjit” , thotë ambasadori britanik Charles Garett.

Shtetet e Bashkuara apelojnë tek partitë politike që të mblidhet Parlamenti, të anulohen zgjedhjet dhe të shfuqizohet amnesita e presidentit.

“Fakti që vetëm një prej partive të mëdha dorëzoi listë të kandidatëve për 5 qershor, përforcon dhe shton brengën se kushtet nuk janë në favor të zgjedhjeve të besueshme. Nëse mbahen zgjedhje më 5 qershor, ato nuk do të bëjnë asgjë në drejtim të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni, apo ndërtimit të besimit në institucionet e vendit, por vetëm do të venë në rrezik integrimin Euro-Atlantik të vendit”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane. SHBA në partneritet me BE-në, mbetet e përkushtuar të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj situate, mirëpo, zgjidhja kërkon demonstrim të qartë të vullnetit politik, vlersojnë nga ambasada.