1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita në Maqedoni bojkoton pushtetin lokal

Fatos Musliu22 Tetor 2013

Opozita maqedonase vlerëson se pushteti me mjete jo demokratike po ballafaqohet me individë, që s'kanë mendime të njëjta me pushtetin, paraburgimi dhe proceset e montuara janë bërë vegël kryesore e veprimit të qeverisë.

https://p.dw.com/p/1A3sF
Fotografi: DW

Opozita maqedonase e kryesuar nga LSDM vlerëson se Maqedonia e udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski i ngjason një shteti, në të cilin aplikohet persekutimi politik dhe arrestimi i kundërshtarëve politikë të montuar nga ana e pushtetit. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se në shenjë proteste për ngulfatjen e demokracisë nga ana e pushtetit opozita ka marrë vendim për të bojkotuar pjesëmarrjen në pushtetin lokal dhe në punimet e grupit punues për zbardhjen e incidentit te 24 dhjetorit në Kuvend.

“Do t'i rishikojmë të gjitha masat demokratike, që janë para nesh si opozitë. Një gjë është e qartë, ne menjëherë do ta ngrijmë pjesëmarrjen tonë në grupin e punës në Parlament, gjithashtu kryetarët e komunave nuk do të marrin pjesë në punimet e Bashkësisë së njësive së vetëadministrimit lokal”, shprehet Zaev.

Gjithnjë sipas opozitës, Maqedonia po shndërrohet në shtet të të ndjekurve dhe burgosurve politikë. Montime dhe arrestime po bëhen ndaj individëve, që mendojnë ndryshe nga pushteti. Lista e personave të arrestuar është tejet e gjatë, thotë deputetja e LSDM-së, Ana Pavllovska-Daneva. “Raportet e organizatave ndërkombëtare dhe qeverive, që vëzhgojnë Maqedoninë thonë se ka indikacione serioze se gjyqësori është drejtpërdrejt i kontrolluar nga ekzekutivi. Paraburgimi po behet nje mjet i rëndesishëm në duart e qeverisë”, shprehet Daneva.

Jep dorëheqje kryetari i KSHZ

Në vazhdën e bojkotit të institucioneve, që po ndërmerr opozita ndaj pushtetit, është edhe dorëheqja e kryetarit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Boris Kondarko, i cili është propozuar në këtë post nga partia opozitare.

Sipas opozitës, Maqedonia po shndërrohet në shtet të të ndjekurve dhe burgosurve politikë.
Sipas opozitës, Maqedonia po shndërrohet në shtet të të ndjekurve dhe burgosurve politikë.Fotografi: DW/P. Stojanovski

Opozita tanimë kohë ka kërkuar pastrimin e listës zgjedhore nga, siç thonë ata, numri fiktiv i votuesve. Kjo kërkesë e opozitës nuk është marrë seriozisht nga pushteti, andaj dorëheqja e kryetarit të KSHZ pritej.

Të gjitha akuzat e opozitës partia në pushtet VMRO-DPMNE i vlerëson si të pabaza. Iniciativën e opozitës për bojkot të institucioneve lokale, VMRO e quan skandaloze dhe si përzierje të opozitës në punën e pushtetit ligjëvënës dhe atij gjyqësor.

Savevevski: opozita në situatë të palakmueshme

Vendimi i opozitës për bojkot nga analist politik komentohet në forma të ndryshme. Profesori universitar Zdravko Savevski thotë se në Maqedoni në masë të madhe nuk po respektohen standardet demokratike në shumë sfera. Sipas tij opozita me paralajmërimin e bojkotit është në një pozitë të palakmueshme. “LSDM mbështet integrimin euroatlantik të vendit, por nëse ajo vepron jashtë institucioneve me këtë pengohet procesi i eurointegrimeve. Në një situatë të tillë duhet patur shumë kujdes në veprime”, shprehet Savevski.

Përplasjet pozitë-opozitë, thellojnë krizën politike

Sipas analistit Mersel Bilalli përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së thellojnë edhe më tepër krizën politike në vend. Sipas profesorit Bilalli masat, që po i ndërmer opozita janë normale. “Partia në pushtet mosmarrëveshjet me opozitën i pastron përmes metodave jodemokratike, shpesh edhe përmes metodave jo ligjore. Kjo i ngjan një politike mesjetare të ndjekjes së shtrigave, por ajo, që është më e keqë në këtë situatë, ka të bëjë me faktin se pasojat e një politike të tillë i përjetojnë të gjithë qytetarët”, thotë Bilalli.

Raportet e acaruara mes pozitës dhe opozitës dëmtojnë të ardhmen evropiane të vendit, thotë profesori i së drejtës ndërkombëtare, Bekim Kadriu. Brukseli në mënyrë të barabartë vlerëson veprimet si të pozitës ashtu edhe të opozitës. “Bojkoti i institucioneve nuk është një masë, që parapëlqehet nga institucionet e BE-së. Brukseli në vazhdimsi bën apel që të gjitha problemet, që ekzistojnë ndërmjet pozitës dhe opozitës, të zgjidhen brenda institucioneve”, shprehet Kadriu.

Që opozita këmbëngul në vendimin e bojkotimit të pjesëmarrjes në pushtetin lokal, flet fakti se në shumë komuna të Maqedonisë këshilltarët nga opozita kanë ngrirë pjesëmarrjen në seancat e këshillave komunalë, madje në disa qytete janë organizuar edhe protesta në rrugë.