1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Zgjedhjet më 11 dhjetor

9 Janar 2017

Liderët e katër partive nënshkruese të marveshjes së Përzhinës VMRO-DPMNE, BDI, LSDM dhe PDSH u dakorduan që zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Maqedoni të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti.

https://p.dw.com/p/1Jtaf
Mazedonien Parlament in Skopje
Fotografi: picture-alliance/AA/B. Ademi

Kryetari i VMRO-DPMNE-s Nikolla Gruevski ka thënë se qëllimi i partisë maqedonase në pushtet tashmë një vit ka qenë që të ketë zgjedhje për zgjidhje. LSDM krijonte kriza për t'i shtyrë zgjedhjet, zgjedhjet e 11 dhjetorit do ta dënojnë këtë politikë, ka thënë Gruevski.

“Kemi bërë shumë hapa që ta sjellim LSDM-në në një situatë që të mos kërkojë më shtyrjen e zgjedhjeve, ku më të mos mundet t'u ikë zgjedhjeve, të mund të përballen me popullin dhe t'i mundësojë popullit të dalë në zgjedhje për të thënë fjalën e tij. E di saktë që populli në zgjedhje do ta dënojë LSDM-në për atë që i ka bërë Maqedonisë në këtë një vit e gjysëm të kaluar. Është mirë që LSDM nënshkroi në dokumentin për zgjedhje më 11 dhjetor, megjithëse çdo firmë që hedh LSDM duhet parë me rezervë, pasi nuk dihet si do veprojnë më tej”, u shpreh Gruevski.

Një ditë e mirë për Maqedoninë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se kjo është një ditë e mirë për Maqedoninë, pasi që të gjitha forcat politike parlamentare arritën marrëveshje. “U arrit marrëveshje, me çka u pajtuan që janë plotësuar të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, u shpreh Ahmeti. 

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë se për PDSH zgjedhjet janë të rëndësishme dhe se shpresa dhe garanca kryesore e PDSH mbetet  tek faktori ndërkombëtar.

“Ne do të vazhdojmë të kemi sjellje konstruktive, shpresa kryesore dhe garanca për PDSH mbetet faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE dhe institucionet që do të monitorojnë zgjedhjet në Maqedoni”, ka theksuar Menduh Thaçi.

Lideri i opozitës maqedonase, kryetari i LSDM-s Zoran Zaev ka thënë se nga sot regjimi i Gruevskit shkon në histori.

“Luftuam që qytetarët e  Maqedonisë në 11 dhjetor të mund të votojnë të lirë. Koha për zgjedhje të dhunshme dhe e falsifikimit të vullnetit të qytetarëve, ka përfunduar. Në 11 dhjetor do të mundim varfërinë, kriminalitetin, korrupsionin, ndarjet etnike, urrejtjen, partizimin e institucioneve, aferat, proceset e montuara gjyqësore dhe mafian. Paralajmërojmë VMRO-DPMNE-në, të mos mendojë sërisht të shkelë marrëveshjen e dakorduar duke lënë peng Maqedoninë. LSDM do të përgjigjet ashpër ndaj çdo shkeljeje të  Marrëveshjes së Përzhinës, veçanërisht shkatërrimin e Prokurorisë Speciale Publike”, është shprehur lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev.

Përkrahja e ndërkombëtarëve nuk mungon

Bashkësia ndërkombëtare është krenare që mundi t'u ndihmojë liderëve të dakordohen që më 11 dhjetor të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Besojmë se ky do të jetë një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike, porositi ambasadori amerikan Xhes Bejli pas nënshkrimit të marrëveshjes.

"Do të bëjmë gjithçka që mundemi në javët dhe në muajt e ardhshme që të sigurohemi se do të ketë zgjedhje kredibile që do t'i plotësojnë kushtet dhe të cilat do t'u mundësojnë qytetarëve pa frikë lirshëm të votojnë. Ajo që është më me rëndësi është se çka do të bëjnë partitë, mediat, qytetarët. Këto janë ato vendime të cilat në fund do ta sjellin vendin në zgjedhje kredibile dhe do të mundësojnë që shteti të shkojë para në reforma të cilat do të sjellin në integrime euroatlantike. Kjo do të jetë pika kritike që do të ndodhë. Mediat do të kenë rol të rëndësishëm”, ka theksuar ambasadori amerikan Bejli.

Lukash Melka nga delegacioni i BE-së në Maqedoni tha se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor tregon se ka vullnet politik që vendi të shkojë përpara.

"Tani mbetet që partitë të sigurohen se qytetarët do të kenë zgjedhje të lirë në zgjedhjet kredibile dhe se të thënat për parregullsi zgjedhore gjatë procesit zgjedhor do të trajtohen në mënyrë përkatëse nga institutet relevante dhe nga vetë partitë", është shpreha Melka.

Marrëveshjen e arritur për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare me 11 dhjetor e kanë përshëndetur edhe përfaqësuesit e lartë evropian, Komisioneri Johannes Hahn dhe Federica Mogherini, të cilët kanë kërkuar nga katër liderët politikë që të respektojnë marrëveshjen e arritur.

Të premten (02.09) zgjidhet qeveria teknike

Në qeverinë kalimtare do të marrë pjesë opozita maqedonase, ku do të emërojë pozitat në sektorët e punëve të brendshme dhe për punë dhe politikë sociale, si dhe zëvendësministrave plotësues për financa, shoqëri informatike dhe administratë dhe për bujqësi. Qeveria e re pritet nesër të miratohet në Parlament. Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë teknike duke mos ndryshuar kuadrot e ministrave dhe zv/ministrave. Jashtë qeverisë teknike edhe kësaj radhe do të mbetet PDSH-ja, e cila nuk ka pranuar të hyjë në qeverinë teknike me vetëm dy ministra duke ua lënë përgjegjësinë për organizimine zgjedhjeve, tri partive të tjera.

 Fatos Musliu

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut