1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Jo plan B për prokurorin special

Fatos Musliu12 Shtator 2015

Zgjedhja e prokurorit special është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar nga të gjitha partitë në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/1GVEH
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Maqedoni deri më 15 shtator duhet të zgjidhet prokuror special, i cili duhet të fillojë nga puna më 16 shtator. Kështu u shpreh ambasadori i BE-së në Maqedoni Aivo Orav. Sipas tij katër partitë më të mëdha në Maqedoni me marrëveshjen e qershorit kanë rënë dakord që deri më 15 shtator të zgjidhet prokurori special i cili duhet të udhëheqë procesin gjyqësor për aferën e përgjimeve.

“Mbeten edhe disa çështje të konkretizohen në bisedimet e grupit të punës dhe shpresoj që nëse jo në orët e ardhshme, atëherë në ditët e ardhshme këto çështje të zgjidhen në mënyrë konstruktive dhe në interes të vendit. Kështu që më 15 shtator të arrihet marrëveshje, ndërsa më 16 shtator prokurori i ri special të fillojë nga puna”, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Maqedoni Aivo Orav.

Sipas ambasadorit Orav, tani vjen procesi më i vështirë i implementimi të marrëveshjes, por ai është i bindur se palët do të punojnë në përputhje me interesin më të mirë të vendit.

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo OravFotografi: MIA

“Marrëveshja politike që u arrit ndërmjet katër partive politike ishte arritje e jashtëzakonshme për të gjitha partitë. Ai ishte një proces shumë i vështirë, ndërsa tani partitë janë në fazë akoma më të vështirë të implementimit të marrëveshjes. Jam i kënaur që shumë punë të mira tashmë janë arritur”, thotë Orav.

Për zgjedhjen e prokurorit special është prononcuar edhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Ivo Vajgël. Ai thotë se akuzat që u zbardhën përmes bisedave të përgjuara janë një nga arsyet e krizës politike andaj ato duhet të hetohen. Sipas marrëveshjes politike të qershorit, pikërisht këtë obligim e ka prokurori special.

“Zgjedhja e prokurorit special është pjesë e Marrëveshjes së nënshkruar nga të gjitha partitë dhe ai nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës. Është shumë me rëndësi që të gjitha partitë të qëndrojnë pas marrëveshjes që e kanë nënshkruar”, vlerson Ivo Vajgël.

Mosrespektimi i kësaj marrëveshje do të ishin skenari më i keq për Maqedoninë dhe për të ardhmen e saj evropiane thotë Ivo Vajgël raportues për Maqedonin në Parlamentin Europian.

Partitë nuk po harmonizojnë qëndrimet për prokurorin

Partitë politike në Maqedoni ende nuk kanë arritur të harmonizojnë qëndrimet për prokurorin special edhe pse deri në zgjedhjen e tij kanë mbetur edhe 4 ditë. Dallimet kryesore kanë të bëjnë me ekipin e tij dhe ndryshimet ligjore që duhet bërë për zyrtarizimin e tij nga ana e Parlamentit.Opozita maqedonase kërkon që prokurori të ketë një staf të zgjeruar prej së paku 12 zëvendësprokurorëve dhe një buxhet të posaçëm që do të garantonte pavarësi në punën e tij në hetimin e aferës së përgjimeve. VMRO-DPMNE partia maqedonase në pushtet fillimisht kërkonte që i gjithë hetimi të bëhet vetëm nga prokurori, por së fundi ka pranuar që ai te ketë një ekip, por jo në formën siç kërkon opozita maqedonase. Partia shqiptare në qeveri BDI perms përfaqësuesve të saj në grupin punues propozon që përveç prokurorit special të ketë edhe 8 prokurorë ndihmës prej të cilëve 3 shqiptarë.

Shpresa tek ndërkombëtarët

Profesori universitar, Jove Kekenovski vlerëson se bashkësia ndërkombëtare duhet t'u bëjë presion liderëve të Maqedonisë që të respektohen afatet për emërimin e prokurorit të ri special. Nëse dështon marrëveshja e qershorit ky do të jetë një sulm i fuqishëm ndaj integritetit të BE-s thotë Kekenovski. Ai është i mendimit se Maqedonia doemos më 15 shtator duhet të ketë prokuror special sepse vetëm në këtë mënyrë mund të flitet për daljen e vendit nga kriza e thellë politike.

Jove Kekenovski
Jove KekenovskiFotografi: Jove Kekenovski

“Për funksionimin e prokurorit special zgjidhja më e mirë do të ishte që të angazhohen 12 apo 8 prokurorë.Prokurorit të ri i duhet një ekip profesional dhe autonomi e plotë veprimi”, vlerëson Jove Kekenovski.

Njohësit e çështjeve politike thonë se pa ndërhyrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, vështirë se partitë do të merren vesh për zgjedhjen e prokurorit special në afatin e paraparë.

"Vlerësoj se partitë e dinë se ndërhyrja nga jashtë nuk do të mungojë se kjo çështje nuk mund të anashkalohet andaj edhe ndjehen komode. Partitë jo rrallë herë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve e përdorin edhe si arsyetim para anëtarësisë së tyre“, thotë Albert Musliu. drejtues i Iniciativës Demokratike.

Opozita maqedonase ka paralajmëruar se nëse nuk zgjedhet prokurori special në afatin e konkretizuar atëher ajo do të vazhdoj me publikimin e bisedave nga afera e përgjimeve si dhe do të shqyrtoj rikthimin e sajë në Parlament pas bojkotit të të njejtit për 16 muaj me radhë.