1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për kalimin e kufirit

10 Tetor 2011

Kjo formë e kalimit të kufirit mundëson lehtësim në procedurat kufitare në veçanti në sezonin turistik të verës, kur fluksi i udhëtarëve në vendet e rajonit është më i madh.

https://p.dw.com/p/12oyp
Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankulovska
Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana JankulovskaFotografi: DW

Ministrat e punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe Serbisë, Gordana Jankulovska dhe Ivica Daciç, kanë nënshkruar marrëveshje për kalimin e kufirit midis dy vendeve me letërnjoftim. Marrëveshja e firmosur së shpejti duhet të ratifikohet nga ana e parlamenteve të të dyja vendeve. Sipas ministres së Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankulovska, Maqedonia dhe Serbia kanë plotësuar të gjitha kushtet e sigurisë, siç janë lëshimi në përdorim i letërnjoftimeve biometrike, menaxhimi i suksesshëm me vijën kufitare dhe kontrolli i kufijve për moslejim të kontrabandimeve të ndryshme, andaj kalimi i kufirit midis dy vendeve me letërnjoftim nuk do të paraqesë rrezik për sigurinë e dy shteteve, por përkundrazi do të paraqesë një lehtësim për qarkullimin e lirë të qytetarëve.

Kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim

Prezantimin i sistemit të kontrollimit të kufirit maqedonas
Prezantimin i sistemit të kontrollimit të kufirit maqedonasFotografi: MIA

“Marrëveshja për kalimin e kufirit shtetëror me letërnjoftim në kontest të liberalizimit të vizave paraqet një hap para. Deri para disa viteve vendet e Ballkanit Perëndimor bisedonin se a duhet apo jo të aplikohen viza, ndërsa tani ne po nënshkruajmë marrëveshje, që mundëson kalimin e kufirit shtetëror vetëm me letërnjoftim. Kjo është një arritje e madhe“, thotë Gordana Jankulovska. Për ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daciç, marrëveshja për kalimin e kufirit me letërnjoftim është e një rëndësie të veçantë për ata qytetarë, që shpesh udhëtojnë prej një shteti në shtetin tjetër, ndërsa kjo marrëveshje në të ardhmen atyre do t'ua lehtësojë udhëtimin.

Kalimi së shpejti i mundur edhe në kufirin me Kosovën dhe Shqipërinë

Në takimin e fundit të ministres Jankulovska me homologun e saj kosovar, Bajram Rexhepi, është folur për domosdoshmërinë, që niveli i sigurisë së dokumentave të udhëtimit duhet të jetë i një niveli më të lartë. Kosova vitin e ardhshëm fillon me lëshimin në përdorim të letërnjoftimeve biometrike, që është si parakusht të nënshkruhet marrëveshja për kalimin e kufirit shtetëror vetëm me letërnjoftim. Maqedonia dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshje për formimin e qendrës së përbashkët për shkëmbimin e informatave për menaxhim më të suksesshëm të kufijve. Kjo do të mundësojë thjeshtësimin e angazhimeve në mbikqyrjen e kufirit të përbashkët ndërshtetëror: “Dhe kjo do të ndihmojë në shkëmbimin e informatave, pengimin e krimit të organizuar, emigracionit ilegal dhe shumë çështje tjera“, shprehet ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi. 

Ministri i Brendshëm i Kosovoës, Bajram Rexhepi
Ministri i Brendshëm i Kosovoës, Bajram RexhepiFotografi: DW/Anila Shuka

Kalimi i kufirit me letërnjoftim do të jetë i mundshëm edhe midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, sepse të dyja vendet i plotësojnë kushtet për një gjë të tillë. Kjo formë e kalimit të kufirit duhet të ratifikohet sa më shpejt, për shkak se është në interes të qytetarëve të të dyja shteteve, thotë Bujar Nishani ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Kalimi i kufirit me letërnjoftime do të lehtësonte procedurat e kalimit të kufirit, sidomos në sezonin turistik të verës: “Ka bisedime dhe gadishmëri të shprehur të dyanshme me Maqedoninë për të filluar hartimin e legjislacionit përkatës, nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse në mënyrë të tillë, që edhe midis qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë të realizohet ky lloj kalimi i kufirit”, shprehet Bujar Nishani.

Qytetarët e Maqedonisë kanë mirrëpritur me një simpati të veçantë paralajmerimet për mundësinë e kalimit të kufirit me letërnjoftim në vendet e rajonit.

Autor: Fatos Musliu  

Redaktoi: Angjelina Verbica