1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Maqedonia mbijeton vetëm si vend liberal e demokratik"

Boris Georgievski
3 Shkurt 2017

Quo Vadis Maqedoni? Quo Vadis Ballkan? Ish-ambasadorja gjermane në Maqedoni, Gudrun Steinacker mbi zhvillimet në Maqedoni e rajon, investimin politik e ekonomik shumëvjeçar të BE-së e Berlinit dhe mungesën e rezultateve.

https://p.dw.com/p/2Wu2E
Gudrun Steinacker
Ish-ambasadorja gjermane në Maqedoni, Gudrun SteinackerFotografi: DW/P. Stojanovski

Deutsche Welle: Presidenti Ivanov nuk ia dha mandatin për qeverinë e re, partisë kryesore opozitare. Si e shikoni rolin e Ivanovit në krizën politike në vend?

Gudrun Steinacker: Mendoj se është për të ardhur keq, sepse ai nuk po jep një përgjigje, se çfarë duhet bërë për të tejkaluar situatën aktuale në vend. Kështu ndoshta zgjidhje tjetër do të ishtin zgjedhje të reja, që do të thotë edhe disa muaj të tjerë të stanjacionit politik dhe kjo nuk është e mirë për vendin. Kjo do të jetë një zgjedhje e kushtueshme për vende të vogla si Maqedonia.

Por cili do të ishte opcioni më i mirë për vendin? Mendoni se opozita socialdemokrate do të mund të krijojë një qeveri stabël dhe reformiste?

Nuke di këtë, por duhen parë të gjitha opcionet e mundshme, dhe ky është një opcion, pra të pyesësh opozitën për formimin e qeverisë, nëse ata nuk kanë sukses, atëherë sigurisht zgjedhjet e reja janë të paevitueshme.

Ministria e Jashtme ruse, të enjten sërish fajësoi perëndimin për përpjekje destabilizimi në Maqedoni, citoj "qëllimi është i qartë, të pengohen politikanët maqedonas të  papreferuar nga perëndimi." Jeni dakord me Moskën, se Gruevski nuk është i preferuari i perëndimit?

Sigurisht reputacioni i tij është dëmtuar rëndë për shkak të aferës së përgjimeve, e cila ende nuk është zbardhur plotësisht. Ne duhet të shohim, se ç'do të bëjnë prokurorja speciale deri në fund- Ne e dimë

se sa rëndë është sulmuar ajo nga media e afërt me VMRO-DPMNE, gjë që është e papranueshme, për mendimin tim. Asaj i duhet dhënë shansi për të bërë detyrën deri në fund.

Gjatë kohës sime si ambasadore, nuk pashë se Rusia po luante një rol konstruktiv pozitiv në Maqedoni: në pikëpamjen ekonomike, politike, sociale apo kulturore. Jam pak e habitur pak për interesin e ri të Rusisë në Maqedoni. Dhe nuk jam e sigurtë nëse rusët e kanë llogaritur, se kemi të bëjmë me një vend të brishtë, dhe një vend mjaft të përzier nga ana etnike, fetare. Dhe kam ndjesinë, se qeverie rusa, ose nuk është e vetëdijshme për këtë, ose nuk e merr mjaftueshëm në konsideratë. Nuk po shoh që Rusia t'i ofrojë diçka këtij vendi dhe rajonit.

Cili mund të jetë interesi rus psh për Gruevskin?

Nuk e di. Rusët duhet t'i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Disa thonë, se duan të luajnë faktorin zhurmues, të sjellin telashe, të cilat do të pengojnë stabilizimin dhe zhvillimin e vendit.

Zonja Steinacker kam përshtypjen se mjaft politikanë në BE janë të lodhur me krizën maqedonase. Mendoni se tani që BE ndodhet para vështirësive të reja si presidenca e Trumpit, Brexit, apo kriza e refugjatëve, do të dorëzohet dhe do të pranojë në fund një zgjidhje që ofron stabilitet dhe demokraci në plan afatshkurtër?

E kam vështirrë të parashikoj, se ç'do të ndodhë në Bruksel. Ka një lodhje të caktuar me krizën në Maqedoni e situatën në Ballkan, por veçanërisht lidhur zgjerimin e BE-së. Ky ka qenë një argument i përdorur nga politikanët gjermanë për elitat rajonale: Duhet të bëni më shumë përpjekje në drejtim të reformave. Nga ana tjetër, mund të them se ata që merren me Maqedoninë e dinë mjaft mirë, se ata nuk mund të dorëzohen, se duhet të mbesin të angazhuar, por ka edhe qëndrime të ndryshme brenda vendeve të BE-së, shoh një problem të BE-së për të gjetur një qëndrim të përbashkët për atë që duhet bërë e si duhet bërë.

Mendoni se BE po bën mjaftueshëm për Maqedoninë dhe Ballkanin në tërësi?

Si dikush që ka qenë e angazhuar në Ballkan për kaq vite, është mendimi im personal, se nuk po bëhet mjaftueshëm, megjithëse ne bëjmë shumë për Ballkanin në veçanti - mbështetje ekonomike, mbështetje për reforma etj. Por ndoshta duhet të rishikojmë metodat dhe instrumentet, si BE edhe Gjermania, dhe t'ua përshtasin ato më shumë problemeve rajonale.

Si mendoni ju, si mund të zgjidhet kriza në Maqedoni?

Mendoj se në një të ardhme të afërt, duhet të hetohen të gjitha akuzat për akte të padrejta apo edhe kriminale, pa përjashtuar askënd. E të gjitha ata që janë nën hetim duhet të qëndrojnë larg posteve politike, derisa të jenë sqaruar akuzat. Në shumë raste është shumë e paqartë se ç'ka ndodhur. Për shembull në rastin e vrasjes së të rinjve në Smilkovc. Janë raste që ndikojnë fort në atmosferën mes grupeve etnike në vend. Maqedonia do të mbijetojë vetëm si vend liberal e demokratik dhe nëse kthehet në atdheun e të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga etnia apo feja.

Pas përfundimit të misionit të ambasadorit Heindl në Maqedoni duket sikur Berlini ka humbur interesin për vendin. Veç disa deklaratave nga Steinmeier pas zgjedhjeve, nuk ka reagime për zhvillimet në vend. A është kjo një koinçidencë që Berlini nuk i komentn zhvillimet në vend?

Mendoj se ata janë hezitues, sepse situata është konfuze. Deri disa ditë më parë ishte e paqartë, se ç'do të ndodhte...por ka disa zhvillime problematike në rajon, kështu që Berlini është i kujdesshëm që të shprehet për një vend të caktuar. Berlini është i interesuar që Ballkani të shkojë në drejtimin e duhur. Gjermania është një nga investitorët kryesorë në rajon, jo vetëm në terma ekonomikë, por edhe reformën në drejtësi, bashkëpunimin kulturor, bursa etj. Kemi bërë shumë, por nuk po shihen rezultate nga ky investim, prandaj mendoj që Gjermania duhet të rishikojë instrumentat e saj.