1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia në prag të regjistrimit të popullsisë

14 Shtator 2011

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të realizohet nga 1 deri më 15 tetor të këtij viti. Ky proces i rëndësishëm demografik duhej të realizohej në fillim të vitit, por për shkak të zgjedhjeve u shty për në tetor

https://p.dw.com/p/12Yv7
Qytetarë në Shkup të Maqedonisë
Qytetarë në Shkup të MaqedonisëFotografi: DW

Komisioni shhtetëror i zgjedhjeve në përgatitjet për regjistrimin e popullsisë është ballafaquar me shumë mosmarrëveshtje për përbërjen e ekipeve regjistruese në rajonet ku dominon nje etnitet shumicë. Anëtarët shqiptarë të komisionit shtetëror zgjedhor kanë kërkuar që dy anëtarë në ekipet regjistruese  të jene shqiptarë në zonat ku dominon etniteti shqiptar.

“Ky model u ofrua si koncept i yni papraprak që të përfshihen bashkësitë etnike në rrafshin e nivelit të komunës. Kuptohet se është një zgjidhje kompromisi, mund të themi optimale, por nuk është ajo maksimalja që ne kemi kërkuar”, thotë Abdylmenaf Bexheti, nënkryetar i Komisionit.

Drejtoresha e Entit të Statistikës Bllagica Novkovska ka konfirmuar fillimin e trajnimit të 180 instruktorëve shtetërorë të cilët do të kryejnë trajnimin e mbi 1500 instruktorëve tjerë rajonal.

Fëmijë shqiptarë në rrethinën e Shkupit
Fëmijë shqiptarë në rrethinën e ShkupitFotografi: picture-alliance/ dpa

Trajnim në të gjitha nivelet

“Instruktorët shtetëror janë më kryesorët në procesin e regjistrimit sepse ata kanë shumë obligime të cilat janë të definuara me ligjin e regjistrimit, një nga më kryesoret është që ata të trajnohen për përcjelljen e të gjitha bazave të metodologjisë në terren” thotë Bllagica Novkovska.

Në mesin e 180 instruktorëve shtetërorë, 40 prej tyre janë shqiptarë.

“Trajnimi është i ndarë në tre ditë për arsye që të shpjegohet më mirë sepse këta të njejtit do t' ju mbajnë pastaj trajnime instruktorëve rajonalë dhe më pas ata, regjistruesve”, thotë Bekim Berisha instruktor shtetëror për regjistrim.

Regjistrimi i popullsisë është një nga proceset statistikore më të ndërlikuara dhe më voluminozi në çdo vend, por në Maqedoni ai ka një specifikë të veçantë pasi i tërë sistemi politiko-juridik në vend korrespondon me rezultatet e procesit të regjistrimit, thotë Bujar Osmani zëdhënës i BDI-së, partisë shqiptare në koalicionin qeveritar.

Kontributi i shqiptarëve, i rëndësishëm

“Reth 15 mijë shqiptarë do të jenë drejtëperdrejt të angazhuar në terren për realizimin dhe mbarëvajtjen e regjistrimit. Apeloj tek të gjithë ata që i plotësojnë kushtet që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të japin kontributin e vet personal në realizimin e sukseshëm të tij”.

Studentë në Shkup të Maqedonisë
Studentë në Shkup të MaqedonisëFotografi: Petr Stojanovski

Partitë opozitare shqiptare disa herë kanë kërkuar shtyrjen e regjistrimit meqë sipas tyre një numër i konsiderueshëm i popullatës shqiptare në këtë periudhë gjendet jashtë vendit.

“Regjistrimi i trejkalon kornizat partiake, i tejkalon kornizat e interesave të politikës ditore. Çdo pengesë dhe çdo shantazh që mund ti bëhet këtij procesi, në fakt drejtëperdrejtë kërcënon interesin vital shqiptar dhe historia do të gjykojë për këtë”, shprehet Bujar Osmani.

Regjistrimi i popullsisë do të realizohet nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në bashkëpunim me Entin Shtetëror për Statistikë, ndërsa do të vëzhgohet nga Eurostat. Për procesin e regjistrimit nga buxheti i shtetit janë ndarë 14 milionë euro.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Mimoza Kelmendi