1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marshim homazhi në Tiranë

28 Janar 2011

Mijëra qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit kanë marrë pjesë sot pasdite në një marshim homazh zhvilluar në bulevardin kryesor të Tiranës.

https://p.dw.com/p/106nd
Marrshim homazhi në TiranëFotografi: DW

Marshimi u organizua nga koalicioni opozitar për të kujtuar e nderuar 3 qytetarët që u vranë një javë më parë po në të njëjtin vend gjatë një demonstrate antiqeveritare. Në radhët e para të pjesëmarrësve ishin familjarë dhe të afërm të viktimave si dhe drejtuesit kryesorë të opozitës. Gjatë këtij aktiviteti që u mbyll në mënyrë paqësore qytetarët mbanin në duar qirinj dhe lule. Forca të shumta të policisë dhe të gardës së republikës u përqëndruan rreth selisë së qeverisë.

Gjatë gjithë marshimit qindra aktivistë të opozitës në mënyrë të dukshme ishin angazhuar për mbarëvajtjen e gjithshkaje. Një ditë më parë policia e Tiranës kishte njoftuar se nuk kishte dhënë lënë leje për këtë marshim duke e etiketuar si “me rrezik për sigurinë kombëtare”. Organizatorët për të evituar incidente apo shenja të dhunës nuk kishin planifikuar asnjë fjalim, apo mbajtje të parrullave dhe banderolave, por gjithë lëvizja prej rreth 2 km do të bëhej në mënyrë të heshtur dhe nën tingujt e muzikës funebër që dëgjohej thuajse në të gjithë bulevardin.

Proteste Tirana Albanien
Qytetarët mbanin në duar qirinj dhe luleFotografi: DW

Të parët ishin familjarët dhe të afërmit e viktimave dhe më pas me ta u bashkuan dhe udhëheqësit kryesorë të opozitës. Pas një parakalimi në mënyrë të heshtur tek vendët ku u vranë tre viktimat, pas vendosjes se luleve e kurorave e ndezjes së qirinjve pjesëmarrësit u larguan qetësisht. Megjithëse policia kishte paralajmëruar se nuk mund ta siguronte marshimin, forca të shumta të saj, mes tyre dhe të pajisur me skafandara e pajisje mbrojtëse qëndruan në disa rradhë rreth selisë së qeverisë.

Drejtori i të përditshmes së pavarur “MAPO”, Henri Çili tha për DW se e mendonte të tillë marshimin homazh të opozitës. Ai e vlerësoi qëllimin e zhvillimit të tij si një inerci e detyrushme e pozicioneve dhe aksionit opozitar, sipas tij për t`i dhënë një kuptim gjithë atyre lëvizjeve në të shkuarën apo ato që pritet të bëhen në të ardhmen. "Unë mendoj se në planin politik e diplomatik ka lëvizje dhe presione për ato që po ndodhin aktualisht në Shqipëri, por që janë në dorë kryesisht të mazhorancës," thotë për DW analisti Henri Çili.

Proteste Tirana Albanien
Me familjarët u bashkuan dhe udhëheqësit kryesorë të opozitësFotografi: DW

“Kjo e fundit ka dashur bërë që në fund të vitit të kaluar dhe aq më tëpër tani. Ajo duhet të japë një garanci për opozitën që të riintegrohet në sistem dhe për garantimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe çdo zgjedhje të ardhshme në Shqipëri. Nga ana tjetër duhet që opozita me këto garanci të një marrëveshje të gjerë duhet të presë garën lokale dhe më pas ato të përgjithshme. Pra, këto dy të vërteta -mbarimi normal i mandatit të zotit Berisha të fituar më 28 qershor 2009, nga ana tjetër garancitë e opozitës për riintegrim në sistem dhe për t`i dhënë besim sistemit politik shqiptar- janë dy pikat e zgjidhjes së krizës”.

Përveç forcave te rendit dhe ekipeve të shumta të gazetarëve, marshimi homazh i opozitës u vëzhgua nga afër dhe nga përfaqësues të trupit diplomatik dhe të institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama