1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masat e sigurisë në brezin kufitar Kosovë-Maqedoni

18 Maj 2010

Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se incidentet e armatosura, që ndodhën në Maqedoni, në afërsi të kufirit me Kosovën, nuk mund ta destablizojnë sigurinë deri në atë masë, sa mund të cilësohet si rrezik për rajonin.

https://p.dw.com/p/NQfY
Ushtarë të KFOR-it në KosovëFotografi: picture-alliance/dpa

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse dhe të policisë së Kosovës thonë se situata e sigurisë përgjatë brezit kufitar Kosovë-Maqedoni paraqitet e qetë pas incidenteve, që ndodhën javën e shkuar. Megjithkëtë sipas tyre, patrullimet e shpeshta dhe masat e ngritura përgjatë brezit ketij kufitar do të vazhdojnë. Forcat paqeruajtëse me njësitet e tyre sipas zëdhënësit të KFOR-it Michael Koeting, tash janë më të koncentruara përgjatë brezit kufitar Kosovë-Maqedoni dhe këto masa të shtuara do të vazhdojnë edhe për një kohë.

Deutsche KFOR Soldaten
Kontroll i KFOR-itFotografi: AP

“Ne do të qëndrojmë aty, për sa kohë që është e nevojshme. Forcat paqeruajtëse janë duke e monitoruar situatën nga afër dhe pas një vlerësimi të përgjithshëm atëherë do të vendosim për masat e tjera përgjatë këtij brezi kufitar”, thotë Michael Koeting.

Edhe policia e Kosovës shton kontrollin në kufi

Ndërkohë edhe policia e Kosovës thotë se së bashku me forcat paqeruajtëse ka ngritur vigjilencën e kontrollit përgjatë kufirit Kosovë-Maqedoni. Zëdhënësi i policisë Arber Beka, thotë për programin tonë se policia kufitare nuk ka vërejtur ndonjë lëvizje të dyshimtë përgjatë brezit kufitar Kosovë-Maqedoni.

Arber Beka
Zëdhënësi i policisë, Arber BekaFotografi: DW

“Pas incidenteve, që ndodhën në afërsi të kufirit me Kosovën, por në pjesën e republikës së Maqedonisë, policia e Kosovës ka shtuar aktivitetet policore, ka ngritur vigjilencën, kryen patrullime më të shpeshta, jo vetëm në vendkalimet kufitare, por edhe përgjatë vijës së gjelbër e shpesh herë edhe patrullime të përbashkëta edhe me njësite të forcave paqerujatëse”, thotë Arbër Beka.

Beka: policia e Kosovës bashkëpunon me policinë e Maqedonisë.

“Në përgjithësi ne kemi pranuar informata nga policia maqedonase pas incidenteve, që ndodhën atje, mirëpo jo edhe hollësi se çfarë ka ndodhur në ato incidente. Megjithatë ekziston një bashkëpunim edhe me policinë e republikës së Maqedonisë ”, thotë Arbër Beka.

Ndërkohë njohës të çështjeve të sigurisë thonë se incidentet e armatosura, që ndodhën në Maqedoni në afërsi të kufirit me Kosovën, nuk mund ta destablizojnë situatën e sigurisë deri në atë masë, sa mund të cilësohet si rrezik për rajonin. Kështu thotë për DW, Rrustem Mustafa, kryetar i komisionit parlamentar të Kosovës për çështje të sigurisë.

Rrustem Mustafa
Rrustem Mustafa, kryetar i komisionit parlamentar të Kosovës për çështje të sigurisëFotografi: DW

“Pavarësisht këtyre potencialeve të vogla për destabilizim, që janë angazhimet politike të Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe të vendeve tjera të rajonit të Ballkanit, janë të interesuara për një kontroll të situatës në rajon dhe nuk mendoj se do të ketë destabilizm të situatës”, thotë Rrustem Mustafa.

Zoti Mustafa thotë se megjithatë incidentet, që ndodhën në afërsi të kufirit me Kosovën, kanë ngritur pak tensionet në atë pjesë dhe për këtë ai thotë se përgjegjësia duhet kërkuar te udhëheqësit e lartë politikë të shtetit fqinjë ata maqedonë dhe shqiptarë.

“Kësaj radhe fajtore më shumë e shoh politikën. Ata, që janë legjitimuar si udhëheqës politikë deri te kryeministri i Maqedonisë. Ata duhet të bartin përgjegjësitë për mënyrën e udhëheqjes së vendit dhe po ashtu për zbatimin e marrëvëshjeve nga e kaluara dhe kujdesin për njerëzit siç kujdeset Kosova. Kosova siç e dini, pakicat i sheh si pasuri kombëtare”, thotë Rrustem Mustafa.

Kosovo Polizei Mitglieder während der Ausbildung an der Basis-Ausbildung in Lebane
Pjesëtarë të policisë së Kosovës gjatë një manovreFotografi: AP

Sidoqoftë zyrtarë të forcave paqeruajtëse dhe ata të policisë së Kosovës thonë se masat e shtuara të sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Maqedoni do të vazhdojnë edhe për një kohë, derisa të konstatohet se përgjatë brezit kufitar nuk ka rrezik të destabilizimit të situatës së sigurisë. Policia e Kosovës dhe trupat e KFOR-it tashmë janë në fazën përfundimtare të arritjes edhe të një marrëveshjeje, që patrullimet përgjatë kufirit Kosovë-Maqedoni t'i bëjë vetëm policia e Kosovës, ashtu siç po ndodh tash e disa javë përgjatë kufirit me Shqipërinë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi:Angjelina Verbica