1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masat për refugjatët - jo shkak për kënaqësi

Bernd Gräßler7 Nëntor 2015

Koalicioni i partive CDU/CSU dhe SPD u ka dhënë fund grindjeve rreth zonave të tranzitit për refugjatë. Por as ideja tjetër nuk është tepër e besueshme, mendon Bernd Gräßler.

https://p.dw.com/p/1H1VE
Angela Merkel Horst Seehofer Sigmar Gabriel Berlin Deutschland
Fotografi: Reuters/F.Bensch

Është mirë që nuk do të ketë mure, pas të cilave mijëra refugjatë duhet të presin "tranzitin" - pra që një ditë të dëbohen. Këto të ashtuquajtura zona tranziti, ku azilkërkuesit nuk futen formalisht në territorin gjerman, i ka propozuar CSU nga Bavaria. Një përpjekje e pashpresë në landin e mbingarkuar me refugjatë, që të largohen sa më parë të "ardhurit e pa perspektivë". Por kampet e tilla, edhe pse nuk mund të krahasohen në asnjë mënyrë me ato në Guantánamo apo kampet famëkeqe të përqendrimit, nuk përshtaten me kohën.

CSU megjithatë ia arriti që të vendosen korniza për një administrim dhe kontroll më të mirë të valës së refugjatëve në Bavari. Në vend të "zonave të tranzitit", do të krijohen "qendra të posaçme pranimi", ku parashikohet regjistrimi më i shpejtë. Refugjati mund të lëvizë i lirë, por duhet të mbetet në landin e dërguar. Kjo është e domosdoshme për të shqyrtuar kërkesën e azilit dhe për t'i ndarë ndihmat. Është e mundur që shumë refugjatë ndoshta do t'i ikin kësaj procedure, por ata nuk do të kenë shanse që t'u njihet statusi. Mijëra refugjatë kanë ardhur së fundi në Gjermani pa u regjistruar fare. Koha do të tregojë se si do të veprohet me ta. Spanja legalizon prej vitesh me mijëra "sin papeles", njerëz pa letra, të cilët megjithatë integrohen.

Marrëveshje e arsyeshme, por jo më shumë

Koalicioni ka arritur një marrëveshje të arsyeshme, pas grindjeve për zonat e tranzitit, të cilat Sigmar Gabriel i ka quajtur plotësisht të papranueshme. Por ai nuk ka asnjë shkak për vetëkënaqësi. Për shkak të ritmit të ardhjes së refugjatëve, vendosjes dhe furnizimit, përpunimit të kërkesave për azil, dhe largimit të azilkërkuesve, që nuk i plotësojnë kushtet për mbetje, Seehofer, Merkel dhe Gabriel kishin zënë pozicione partiake.

Një shkak tjetër për hezitime: edhe nëse regjistrimi funksionon më mirë dhe dëbimi bëhet më shpejt, Gjermania do ta ketë shumë vështirë të përballet me ritmin e ardhjes se refugjatëve. Në radhë të parë për shkak të ndryshimit të strukturës së njerëzve që po vijnë. Në Gjermani po vijnë gjithnjë e më pak njerëz nga të ashtuquajturat vende të sigurta të origjinës në Ballkan, të cilët do të mund të largoheshin shpejt. Ndërkohë që krahas shtetasve të Sirisë, ka mbërritur gati në 2000 në ditë numri i refugjatëve nga Afganistani, Iraku apo Eritrea - vende të cilat nuk janë të sigurta, siç shihet edhe në kuotat e njohjes së statusit.

Afganët nuk duhet të largohen

Por koalicioni do ta rimendojë tani "praktikën e vendimeve" edhe për afganët, të cilët aktualisht gëzojnë mbrojtje nga largimi. Ndërkohë që do të rimendohen edhe ndihmat gjermane për zhvillim, sikur ky vend të mos kishte probleme të përditshme me terrorin dhe talibanët. Bundeswehri do që të ngrejë në Afganistan "hapësira mbrojtëse", në mënyrë që afganët të mos largohen nga vendi i tyre.

Kjo tingëllon pak e bindshme, sikur edhe koncepti për "zonat e tranzitit". Opozita dhe organizatat e ndihmave nuk do të jenë të kënaqura. Ndërkohë që edhe partia SPD nuk është e kënaqur shumë me marrëveshjen e arritur nga shefi i SPD Gabriel. E sigurt është vetëm një: fjalia e kancelares Angela Merkel se nuk do të kufizohet numri më i lartë i azilkërkuesve do të përballet edhe më tej me sfida të mëdha.