Mbështetje demonstrative për Ukrainën
21 Mars 2014BE-ja dhe kryeministri ukrainas Arseni Jatsenjuk nënshkruan sot në Bruksel pjesën politike të marrëveshjes së asociimit, e cila parashikon një bashkëpunim më të ngushtë politik mes BE-së dhe Ukrainës. Kjo u njoftua nga Këshilli i Ministrave të BE-së.
Mbështetje demonstrative
Nërkohë që Bashkimi Evropian i ashpërsoi sanksionet kundër Rusisë, ai po i mbështet me nënshkrimin demonstrativisht krerët e qeverisë kalimtare në Kiev në konfliktin me udhëheqjen ruse të presidentit Vladimir Putin. "Evropa ka detyrim afatgjatë në Ukrainë," tha presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso. "Ne do ta ndihmojë Ukrainën për t'u reformuar dhe për të forcuar pavarësinë dhe sovranitetin e saj."
Komponentët ekonomikë
Nënshkrimi i pjesës politike marrëveshjes së asociimit me Ukrainën konsiderohej si i sigurt që para fillimit të samitit. Komponentët ekonomikë të kësaj marrëveshjeje, si lehtësimet doganore reciproke do të trajtohen më vonë. Fjala është për marrëveshjen e cila në të vërtetë duhet të nënshkruhej në fillim të muajit nëntor por që më pas presidenti ukrainas Viktor Janukoviç e refuzoi për shkak të Rusisë. Jo-ja e tij shkaktoi demonstratat në Kiev, që më pas çuan në rënien e udhëheqjes së vjetër të Ukrainës.