1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbështetje Kosovës - Takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar në Bruksel

Lindita Arapi9 Shkurt 2011

Në Bruksel u mbajt të martën (08.02.2011) takimi i 12-të i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën. Temat: Gjendja aktuale në Kosovë, raporti i Dick Martyt, krijimi i qeverisë së ardhshme, e dialogu Prishtinë-Beograd.

https://p.dw.com/p/10EC1
Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Piter Feith.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura të drejtorëve për Ballkanin të Ministritë e Jashtme të vendeve anëtarë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) uroi fillimisht Kosovën në prag të tre vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe rikonfirmoi mbështetjen për një shtet demokratik dhe shumëetnik në kufijtë e tanishëm.

Në takimin e dymbëdhjetë të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën ishte prezent edhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Piter Feith. Grupi u bën thirrje edhe shteteve të tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe rikonfirmon përkushtimin për integritetin territorial.

Lidhur me zgjedhjet e kaluara parlamentare, Grupi përshëndeti pjesëmarrjen më të lartë të serbëve në votime. Grupi shprehu keqardhje për manipulimet në zgjedhje, por theksoi se "autoritetet e Kosovës, e veçanërisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme i kanë kryer detyrat e veta në mënyrë adekuate, efikase dhe të përgjegjshme".

Eulex Logo
Grupi Drejtues Ndërkombëtar kërkoi bashkëpunim me Eulex-in për pretendimet e Dick Martyt në raportin e tij

Pritshmëritë e Grupit Ndërkombëtar për Kosovën

ISG-ja pret që shumë shpejt të formohet qeveria e re dhe të zgjidhet presidenti i Kosovës. Ndër detyrat kryesore të qeverisë së ardhshme duhet të jenë zhvillimi ekonomik i vendit, zvogëlimi i varfërisë, forcimi i sundimit të ligjit dhe vazhdimi i procesit për integrimin sa më të mirë të serbëve në institucionet kosovare.

Ndër çështjet urgjente që duhet trajtuar, sipas ISG-së, janë miratimi i buxhetit për vitin 2011, vazhdimi i procesit të privatizimit, ndërtimi i kapaciteteve të institucioneve dhe progresi në decentralizimin e pushtetit. Grupi mbështet edhe përgatitjet për themelimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore.

GND kërkon bashkëpunim me EULEX-in

Në këtë takim është bërë fjalë edhe për raportin e fundit të Dick Marty. Grupi i bën thirrje të gjitha organizatave dhe individëve që të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe t'i paraqesin atij dëshmitë e tyre lidhur me pretendimet e raportit të Martyt. ISG mbështet përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, i cili e avancon perspektivën evropiane dhe euroatlantike të rajonit. Poashtu shpreson edhe një dialog të sinqertë dhe konstruktiv ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për cështjet me interes të përbashkët, si shtete të pavarura dhe sovrane.

Në Bruksel po qëndron edhe ministrja e Jashtme në detyrë Vlora Çitaku, e cila tha se ISG-ja ka përkrahur perspektivën euroatlantike për Kosovën. Atje është edhe ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman, i cili këto ditë do të vizitojë edhe Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe kundërshtojnë negociatat e reja për statusin apo për ndarjen e Kosovës.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi