1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbështetje me gjysmë zemre

Spiros Moskovou8 Nëntor 2012

Vetëm me shumicë të vogël e kaloi parlamentin grek një paketë e re kursimesh. Kritika ndaj kursimeve është e shtirë, sepse grekët e kanë shkaktuar vetë krizën e tyre, mendon Spiros Moskovou.

https://p.dw.com/p/16fPA
Rubrikenbild Kommentar albanisch. DW-Grafik: Per Sander 2010_06_18_sendungslogos_albanisch.psd

Duket si një ironi e historisë, që në Greqi duhet ta shpëtojnë tani "atdheun" si partnerë në koalicionin qeveritar pikërisht ato parti, të cilat kanë qenë përgjegjëse kryesore në dekadat e kaluara për keqadministrim, korrupsion dhe klientelizëm. Vërtet, parlamenti grek miratoi me një shumicë të ngushtë dhe madje pa të gjitha votat e Nea Dimokratia-s konservatore të kryeministrit Antonis Samaras dhe të PASOK-ut socialdemokratik të Evangelos Venizelos-it paketën e tretë të kursimit dhe të reformave të tri viteve të fundit.

Miratimin e refuzoi madje partneri i tretë i koalicionit, partia e vogël e Të Majtëve Demokratikë e Fotis Kouvelis-it, për të cilën masat e miratuara me troikën e donatorëve ndërkombëtarë për reformimin e së drejtës së punës e kalonin kufirin. Të gjitha partitë e opozitës, mbi të gjitha E Majta Radikale e populistit Alexis Tsipras, e kanë refuzuar kategorikisht paketën e kursimeve si punë të qoftëlargut dhe si të padiferencuar. Këto nuk duken si qeveri e "shpëtimit kombëtar", as si opozitë, që vepron me ndjenjë përgjegjësie dhe në mënyrë konstruktive. Kriza vetëm sa i ka përkeqësuar të gjitha sëmundjet e demokracisë së vonuar neogreke.

Ndarje nga vetëshërbimi

Sistemi politik po ndahet me vështirësi të jashtëzakonshme nga epoka e gjatë e vetëshërbimit, bollëkut dhe ndarjes së prebendës. Debati i ndezur në parlament, që shpesh merrte trajtë retorike pa efekt, si dhe të thënët në mënyrë të përsëritur të njëmijë të zezave për Gjermaninë dhe për donatorët ndërkombëtarë nga ana e përfaqësuesve të popullit të ngjyrave të ndryshme, tregoi edhe një herë fare qartë provincialitetin e thellë dhe shtirësinë e politikës greke. Njëherë ndërmorën për vite të tëra gjithçka ose asgjë për të minuar ekonomikisht sovranitetin e vendit. Tani, kur vendi mbijeton me infuzionin e donatorëve, ankohen për ndërhyrjet e fuqive të huaja, të këqija.

Moskovou, Spiros Programm Mittel-/Südosteuropa, Griechische Redaktion. Foto DW/Per Henriksen 15.11.2011 DW1_7897
Spiros MoskovouFotografi: DW

Kjo, ndërkohë që qeveritë greke kanë hezituar vetë tepër gjatë, për të rimëkëmbur sektorin publik dhe për rigjallëruar ekonominë. Zelli për reforma, i arritur me detyrim nga jashtë, po merr forma të çuditshme, mirëpo ato janë tipike për kulturën politike të vendit. Qysh gjatë debatit parlamentar ministri i Financave Giannis Stournaras u përpoq që me anë të një shtojce urgjente në paketën e reformës, të arrinte heqjen e favorizimeve të ndryshme të nëpunësve të parlamentit. Kur nëpunësit kërcënuan me grevë të menjëhershme, duke rrezikuar kësisoj gjithë votimin, Stournaras-i e tërhoqi propozimin e tij. Dhe nëpunësit e parlamentit vazhdojnë të jenë më mirë sesa nëpunësit e shtetit.

Ogur jo i mirë

Mbështetja me gjysmë zemre e paketës së reformës në parlament nuk është ogur i mirë për të ardhmen. Për momentin mbizotërjnë si në politikë, ashtu edhe në shoqëri, forcat refuzuese. Një kulturë e re e prodhimit nuk duket në horizont. Megjithatë mbetet një fije shprese, transhi i ri i ndihmës ndërkombëtare prej 31,5 miliardë eurosh. Ai nuk do të jetë shpëtimi, por në kombinim me reformat strukturore të miratuara kjo ndihmë mund të përbëjë një shans të vogël për ekonominë e rrënuar. E kësisoj edhe për shëndoshjen e Greqisë, këtij partneri të domosdoshëm dhe të padurueshëm evropian.