1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbledhja dhe ruajtja e të dhënave të telekomunikacionit në BE në pikëpyetje

Kiesel, Heiner (DW Berlin)8 Janar 2014

Gjykata Evropiane e Drejtësisë pritet ta hedhë poshtë direktivën për mbledhjen e të dhënave të telekomunikacionit.

https://p.dw.com/p/1Amf1
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kush do ta kishte menduar se informacioni mbi zarf do të ishte një ditë edhe më i rëndësishëm se sa përmbajtja? Sot e dimë se nga informacioni se me kë komunikojmë, kur dhe në ç'mënyrë, mund të nxirren përfundime të shumta. Të dhënat e mbledhura përmes komunikimit në internet bëjnë të mundur rindërtimin e lidhjeve shoqërore edhe më shpejt se çdo analizë përmbajtjeje. Pra nuk është çudi që mbledhja e këtyre informacioneve ngjall interes, sidomos kur është fjala për luftimin e terrorizmit dhe formave të tjera të kriminalitetit.

Symbolbild - Vorratsdatenspeicherung
Fotografi: Getty Images

Pikërisht për këtë shkak Parlamenti Evropian ka miratuar një direktivë për mbledhjen e të dhënave të komunikimit (2006/24/EG) më 15. mars 2006. Të dhënat duhet të ruhen të paktën gjashtë muaj dhe maksimalisht dy vjet. Fjala është për ruajtjen e të dhënave që kanë të bëjnë me numrat e telefonit, adresat e IP-ve dhe të të dhënave për vendndodhjen e telefonave celularë. Në Gjermani direktiva e BE-së u adaptua në legjislacionin gjerman në fillim të vitit 2008. Por kjo nuk pati jetë të gjatë.

Rezistencë ndaj direktivës së BE-së

Dispozitat e Brukselit u pëlqyen sidomos në qarqet e shërbimeve sekrete dhe nga politikanët konservatorë. Kurse kompanitë e shërbimeve të telekomunikacionit u zemëruan sepse atyre u duhet të paguanin kostot për ruajtjen e informacioneve. Mbi të gjithë kundër kësaj direktive ishin aktivistët e internetit dhe avokatët që merren me çështjen e ruajtjes së privatësisë. Ata i paraqitën shqetësimet e tyre në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (ECJ) në Luksemburg. Irlanda vërente në ankesën e saj se kjoi direktivë justifikohet me harmonizimin e tregut të brendshëm, por jo me bashkëpunimin ligjor për luftimin e krimit dhe kërkoi anulimin e kësaj direktive.

Në Gjermani ishte ankesa e grupit Arbeitskreis Vorratsdatenspeicherung 2010 pranë Gjykatës Kushtetuese që bëri që kjo gjykatë ta hidhte poshtë ligjin gjerman për mbikqyrjen e telekomunikacionit. Ankesa pati edhe ne Austri.

Tani thuhet se edhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë do ta hedhë poshtë këtë direktivë. Sipas avokatit të përgjithshëm të BE-së Pedro Cruz Villalón kjo direktivë bie ndesh me të Drejtën Evropiane dhe Kartën e të Drejtave Themelore. Jursti spanjoll Villalón nuk është në parim kundër ruajtjes së të dhënave të telekomunkacionit, sepse e konsideron këtë si mjet të rëndësishëm për luftimin e kriminalitetit. Por ai mendon se afati i ruajtjes është tepër i gjatë. Vendimi i gjykatës pritet në pranverën e vitit 2014, ndërkohë që BE-ja ka nisur me rishikimin e direktivës.

Konfuzion në Gjermani

Në lidhje me ligjin për për mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave të komunikimit në Gjermani u diskutua edhe në kuadër të marrëveshjes për koaliconin. Gjermania do të angazhohet për shkurtimin e kohës së ruajtjes së të dhënave dhe që vetëm një gjyqtar të kishte të drejtë të jepte urdhër për analizimin e të dhënave të komunikimit të qytetarëve dhe kjo vetëm në rastet e krimeve tepër të rënda apo të rreziqeve akute. Qeveria gjermane synonte të përgatiste një ligj të ri.

Deutschland Symboldbild Online Durchsuchungen
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Tani ministri i ri i Drejtësisë Heiko Maas (SPD) tha tani se deri sa të bëhet publike ekspertiza e Gjykatës Evropiane në Luksemburgu nuk do ta zbatojë direktivën e BE-së. Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière (CDU) tha se rekomandimet e Pedro Cruz Villalón përputhen me ato të marrëveshjes së koalicionit.

Ish-i ngarkuari i qeverisë gjermane për mbrojtjen e të dhënave personale Peter Schaar nuk është dakord me mendimin e ministri të Brendshëm dhe mendon se rifutja e procedurës së ruajtjes së të dhënave nuk është kaq e thjeshtë, sepse bazohet në një direktivë që bie në kundërshtim me ligjet evropiane. Pasuesja e tij në këtë post Andrea Voßhoff e konsideron ruajtjen masive të të dhënave të telekomunikacionit si mjet të mirë për luftimin e kriminalitetit. Po ashtu ajo është pro hetimeve online dhe bllokimeve të intenetit. Jens Kubieziel aktivist për të drejtat e njeriut mendon se mbledhja dhe ruajtja masive e të dhënave të tilla është ide totalitare.

Edhe në SHBA ku mbledhja dhe ruajtja e të dhënave të telekomunikacionit zbatohet në masë ka dyshime për efektivitinin e kësaj metode. Sipas vëzhgimeve të atjeshme në SHBA ka pasur vetëm një rast të vetëm që e justifikonte këtë procedurë e cila lidhet me shpenzime të mëdha.