1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja Kushtetuse në Gjermani nën presion

Agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti5 Korrik 2012

Shefi i seksionit në entin e Mbrojtjes Kushtetuese, përgjegjës për asgjësimin e shkresave të rëndësishme mbi neonazistët, iu përgjigj pyetjeve të Komisionit Hetimor të Bundestagut.

https://p.dw.com/p/15RZm
Fotografi: dapd

Shefi i seksionit në entin e Mbrojtjes Kushtetuese, përgjegjës për asgjësimin e shkresave të rëndësishme në rastin e celulës neonaziste të terrorit NSU, iu është përgjigjur në hollësi pyetjeve të shumta të drejtuara nga deputetët, u tha të enjten (05.07.) në qarqet parlamentare në Berlin. Koha e planifikuar për marrje në pyetje u desh të zgjatej me të paktën një orë.

Këtë të enjte  u mor në pyetje nga komisioni hetimor edhe presidenti në dorëheqje i entit për Mbrojtjen Kushtetuese, Heinz Fromm. Ky i fundit pranoi se janë bërë gabime dhe tha se pasojat për këto autoritete mund të jenë dramatike. Në veçanti e dëmshme do të jetë humbja e autoirtetit, tha Fromm. Celula terroriste NSU ka vepruar në ilegalitet e pazbuluar nga organet e sigurisë për një dekadë dhe ka vrarë dhjetë vetë.

Në foto, Heinz Fromm
Në foto, Heinz FrommFotografi: dapd

Pasojat

Asgjësimi i të dhënave u bë i njohur javën e kaluar. Fromm kishte kërkuar pastaj pensionimin e tij të parakohshëm. Ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich njoftoi se si pasojë e skandalit, puna e Entit të Mbrojtjes Kushtetuese do të rishikohet hollësisht.

Sipas gazetës"Bild", ai ka emëruar një prokuror të posaçëm. Këtë detyrë do ta marrë përsipër zëvendësdrejtori në Ministrinë e Brendshme, Hans-Georg Engelke. Ai do të fillojë në mes të javës së ardhshme hetimet në selinë qendrore të Mbrojtjes Kushtetutese në Köln. Kryetari i partisë opozitare "Të Gjelbërit", Cem Özdemir kërkoi nga Fromm që gjatë marrjes së tij në pyetje të verë në dispozicion të gjitha njohuritë e tij për rolin e Entit të Mbrojtjes Kushtetuese. Fromm është një prej përgjegjësve kryesorë "të cilët duhet të japin llogari për dështimin e autoriteteve gjermane të sigurisë dhe krizën e thellë të besimit ndaj strukturave të sigurisë gjermane", tha Özdemir  për gazetën "Rheinische Post".

Përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate (SPD), Frank-Walter Steinmeier bëri thirrje për ndryshime në Mbrojtjen Kushtetuese. Kjo agjenci federale duhet të dalë me propozime për mënyrën se si do të organizohej në të ardhmen vëzhgimi i krahut të ekstremizmit të djathtë. Përveç kësaj përkrah ngritjes së cilësisë së punës është i nevojshëm edhe profesionalizimi i kontrollit parlamentar të Mbrojtjes Kushtetuese, tha ai për gazetën ""Passauer Neue Presse".

Eva Hoegl nga Komisioni Hetimor i Bundestagut i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve (4.7.2012)
Eva Hoegl nga Komisioni Hetimor i Bundestagut i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve (4.7.2012)Fotografi: dapd

Deri tani asnjë provë

Hapja e dosjeve sekrete për skandalin me grupin e neonazistëve të mërkurën (04.07.2012) e ka çliruar në një farë mase Zyrën Federale për Mbrojtjen Kushtetuese. Dokumentet nuk japin asnjë provë se shërbimi i fshehtë ka dërguar agjentë të fshehtë në celulën e NSU-së apo në mjedisin e tyre të drejtpërdrejt. Kështu sqaruan unanimisht anëtarët e Komisionit Hetimor të Bundestagut, pas inspektimit të gjithsej 45 dosjeve. Megjithatë, Enti federal për Mbrojtjen Kushtetuese mbetet ende nën presion.

Grupi neonazist i terrorit NSU, i zbuluar nëntorin e vitit të kaluar, veproi për më shumë se një dekadë në ilegalitet, i pazbuluar prej organeve të sigurisë, dhe vrau në Gjermani dhjetë vetë. Të mërkurën (04-07)  u bë e njohur se Mbrojtja Kushtetuese asgjësoi dosje me shkresa ende pa u zbuluar grupi i terrorit. Nga këto shkresa dilte se si bashkëpunohej me informatorë në "Mbrojtjen e Atdheut në Turingji", një bashkim ky me qëndrim të afërt me atë të NSU-së. Rasti skandal i "bërjes fije-fije të shkresave" u pasua  nga fakti që Mbrojtja federale Kushtetuese ka marrë qysh në vitin 2003 të dhëna për një rrjet celulash terrori të djathta në Gjermani. Kjo del nga një shkresë e Mbrojtjes së shtetit italian AISI drejtuar Mbrojtjes Kushtetuese (në Gjermani) në dhjetor 2011, siç ka raportuar gazeta „Berliner Zeitung“. Mbrojtja e shtetit italian i pati përcjellë entit federal në Këln informacione mbi një takim neonazistësh evropianë në Vasmunster ( Waasmunster) të Belgjikës në nëntor 2002. Në këtë takim raportohet të jetë folur për ekzistencën e një rrjeti neonazistësh militantë evropianë. Përveç kësaj neonazistët gjermanë dhe italianë kanë shoshitur atentate të mundshme mbi biznese shtetasish joevropianë.

Komisioni Hetimor i Bundestagut për rastin NSU
Komisioni Hetimor i Bundestagut për rastin NSUFotografi: picture alliance / dpa