1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me forcë kundër piraterisë

Ulrike Bose 2 Tetor 2008

BE do të veprojë me masa më të forta ushtarake kundër veprimeve të piratëve para bregdetit të Somalisë. Edhe Gjermania do të japë për këtë një kontribut më të madh, përmes dërgimit të një fregate,

https://p.dw.com/p/FT4M
Piratët në një anije ukrainase në Somali
Piratët në një anije ukrainase në SomaliFotografi: AP

Më e vonta në fund të këtij viti, ushtarë gjermanë mund të jenë pjesëmarrës edhe në një angazhim tjetër në botën e jashtme. Ministri gjerman i mbrojtjes, Franc Jozef Jung ritheksoi se marina federale do të marrë pjesë në aksionin ushtarak të planifikuar të BE, për luftë kundër piratëve. "Besoj se këtu do të marrim pjesë me një fregatë"

Në tërësi, shtetet e BE duan të vënë në dispozicion tri fregata, një anije furnizimi dhe tri avionë për zbulime detare për luftën kundër piratëve. Bregdeti somalez konsiderohet si një prej ujërave më të rrezikshëm për transportin ndërkombëtar detar. Piratët sulmojnë si anije tregtare, ashtu edhe jahte private ose anije me ndihma të programit të ushqimit të OKB-së. Sipas vlerësimit të OKB-së, gjithsej piratët arrijnë të marrin me presion rreth 100 milionë dollarë në vit. Pirateria ka marrë ndërkohë përmasa të tilla, sa është e drejtë që të dërgohet kundër saj një mision i BE, theksoi ministri gjerman i financave, Franc Jozef Jung: "Fillimisht fjala është që këtu të sprapset pirateria, të rivendoset siguria në dete dhe të garantohet sërish një tregti e lirë detare."

Ministri francez i mbrojtjes dhe kryetar i radhës i BE, Herve Morë (Morin) tërhoqi vëmendjen në vendimin e qershorit të KS të OKB-së, i cili autorizon të gjitha shtetet të veprojnë në ujërat territoriale somaleze kundër piratëve.

"Bëhet fjalë për një mision të vështirë, sepse shtrihet në një zonë gjigande, por thjesht nuk mund t'i lëmë gjërat të ecin edhe më tej kështu."

Nga ana e BE, për të luftuar piratët para bregdetit të Somalisë ndodhen aktualisht një fregatë franceze dhe një avion zbulimi spanjoll. Në kuadër të misionit "Enduring freedom" Gjermania ka në rajon një avion për zbulim detar nga larg, për të luftuar terrorizmin. Prej muajit nëntor, në Kepin e Afrikës do të stacionohet fregata "Shlesvig-Holshtajn".