1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me muzikë argëtuese kundër neonazistëve

22 Gusht 2012

Prej shtatë vjetësh çdo gusht në Bad Nenndorf të Saksonisë së Ulët takohen neonazistë. Për të marshuar përmes qytetit termal dhe për të inskenuar kësisoj një qendër kulti. Mirëpo banorët mbrohen kundër kësaj. Me sukses.

https://p.dw.com/p/15u7a
Wincklerbad në Bad Nenndorf proteston me pllakata kundër marshimit neonazist
Wincklerbad në Bad Nenndorf proteston kundër marshimit neonazistFotografi: picture-alliance/dpa

Ka gjëra, të cilat bëjnë që neonazistët të humbasin vetëpërmbajtjen: njerëz që qeshin dhe muzikë të gëzueshme. Pikërisht ky është plani me të cilin mbrohen njerëzit në qytezën Bad Nenndorf të Saksonisë së Ulët kundër fantazmës naziste, e cila e pllakos vendin termal çdo vit në javën e parë të gushtit. Veprimtarisë ekstremiste të djathtë i është dhënë emri nga organizatorët "marshimi i përmortshëm" dhe ajo është kthyer ndërkohë në pjesë të domosdoshme për veprimtarët e ekstremit të djathtë nga gjithë Gjermania.

Mirëpo me organizimin e një feste të larmishme përgjatë itinerarit të marshimit banorët e Bad Nenndorfit po bëjnë që spektakli i djathtë të kthehet vit për vit për "marshuesit e përmortshëm" në një kalim nën vështrime armiqësore. Ata vendosen në buzë të rrugës së marshimit për të protestuar, për të prishur pikëllimin e inskenuar dhe për të provokuar neonazistët. Banorët e Bad Nenndorfer-it kanë arsye të fortë të mbrohen, pasi ekstremistët e djathtë me në krye aktivistin neonazist Mathias Schulz kanë kërkuar leje për organizimin e manifestimeve të tyre naziste në vendin termal deri në vititn 2030.

Banorët kërcejnë për talljen e marshimit
Banorët kërcejnë për talljen e marshimitFotografi: picture-alliance/dpa

Faktor pengues afatgjatë

Kur në vitin 2006 i ranë për herë të parë daulles për këtë "marshim të përmortshëm", në Bad Nenndorf erdhën vetëm dhjetëra neonazistë, mirëpo në vitet pasuese numri u rrit rrufeshëm. Thirrjes iu përgjigjën deri në 1.000 ekstremistë të djathtë, sivjet ishin rreth 450. Megjithëse numri i pjesëmarrësve në marshimin nazist është në rënie, "perspektiva e të qenit të detyruar për ta duruar zallahinë deri në vitin 2030 është për ne një katastrofë", thotë kryetarja e përfaqësisë së prindërve në gjimnazin e Bad Nenndorfit, Gitta Matthes.

Këtë zhvillim e sheh me brengosje edhe Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese në Saksoninë e Ulët: Pas ndalimit përfundimtar të marshimeve për përkujtimin e Rudolf Heß-it në Wunsiedel të Frankonisë në vitin 2009, Bad Nenndorfi mund të kthehet në një vend të ri simbol për esktremistët e djathtë, me efekt rrezatues në gjithë republikën. "Neonazistëve u duhen veprimtari të tilla, bile ata ngazëllohen prej tyre", thotë presidenti i Zyrës për Mbrojtjen Kushtetuese në Saksoninë e Ulët, Hans-Werner Wargel.

Glorifikim i ngjarjeve historike

Synimi i falsifikimit të historisë nga ekstremistët e djathtë diktohet lehtë: Ekspertët, si ish-drejtori i Institutit për kërkime mbi antisemitizmin në Berlin, Wolfgang Benz, bëjnë fjalë për një përpjekje "për të relativizuar krimet e Reich-ut të Tretë". Konkretisht është fjala për Banjat Winckler në Bad Nenndorf. Atje ushtria britanike pati ngritur pas Luftës së Dytë Botërore një qendër për marrjen në pyetje të nacionalsocialistëve të kapur. Asokohe vërtet pati raste të veçuara keqtrajtimi të të burgosurve, mirëpo këto shkelje kanë dekada që janë përpunuar në rrugë ligjore dhe politike.

Marshime neonaziste në Wincklerbad
Marshime neonaziste në WincklerbadFotografi: Schölermann


Autor: Stefan Schölermann/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi