1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

111111 Berlusconi Italien

13 Nëntor 2011

Epokës së Berluskonit i erdhi fundi. Por, çfarë do të ndodhë me të tani që dha dorëheqjen si kryeministër i Italisë? Do të përqëndrohet tek sipërmarrjet, do të përfundojë në burg, apo do të mbetet në politikë?

https://p.dw.com/p/139gs
Silvio Berlusconi
Silvio BerlusconiFotografi: dapd

Kur Silvio Berluskoni festoi disa javë më parë 75 vjetorin, urimi që i bëri udhëheqësi i opozitës Pierluigi Bersani, ishte i shkurtër dhe i saktë. „Do të ishte mirë që të shkonte të pushonte pak“, tha Bersani për kryesministrin. Pas kësaj fundjave (12./13.11.), Berluskoni do të ketë kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë. Por kërkush nuk do të imagjinojë Berluskonin si person privat, që i kalon ditët e pleqërisë në vilën e tij në Sardenja, i shoqëruar nga familja ose nga shoqëruese simpatike në moshë të re. 

„Ai është gënjeshtar i madh," thotë gazetari Marco Travaglio, i cili dyshon në dorëheqjen e Berluskonit. „Nëse jep vërtet dorëheqjen, atëherë ai do të mundohet të sigurojë bizneset e tij. Nëse del nga politika ai do të mendojë si të mbrojë veten nga proceset dhe kryesisht si të mbrojë sipërmarrjet e tij, të cilat nuk i kanë punët dhe aq mirë aktualisht.“

Sipërmarrjet e Berluskonit vuajnë nën krizën qeveritare. Ditën e mërkurë (9.11.), kur pasiguria ishte shumë e madhe, sipërmarrja e tij Mediaset humbi në burse 9,8 përqind. Silvio Berluskoni mund të bëhet sërish sipërmarrës, kjo është një teori e mundshme, e cila i përshtatet imazhit të tij, sepse ai nuk e ka parë veten kurrë si politikan. „Tre nga sipërmarrjet e mia janë në bursë, e cila është duke më groposur përditë. Unë e di çfarë është duke ndodhur në tregje."

Silvio Berlusconi mbetet kryesisht sipërmarrës mediash, nëpërmjet kanaleve televizive dhe gazetave ai do të vazhdojë të ndikojë shumë mendimin publik italian. Këtë e dëshirojnë të paktën ata, që ndodhen afër Berluskonit politikisht. Si përshembull gazetari i tij i preferuar, moderatori Bruno Vespa. „Nëse do të kemi tani një qeveri kalimtare, atëherë do të jetë ai që do të japë sinjalin e nisjes. Pastaj do të vijë eminenca gri. Ai nuk do të largohet nga politika."

I Silvio Berlusconi
Silvio BerlusconiFotografi: AP

Ka mundësi që ai të vazhdojë të jetë politikisht aktiv, për shembill si deputet i thjeshtë apo si senator i përjetshëm, në mënyrë që të sigurojë imunitetin për pjesën tjetër të jetës. Sepse kundër Berluskonit janë duke u zhvilluar aktualisht tre procese, një i katërt është duke u përgatitur. Por juristët janë të një mendimi, se në asnjë prej proceseve ai nuk kërcënohet seriozisht me heqje lirie, sepse edhe nëse, ai është me 75 vjeç i moshuar për këtë.


Autor: Tilmann Kleinjung/ Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti