1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarkozy und Merkel finden Kompromiss

18 Qershor 2011

Gjermania dhe Franca janë në një linjë për shpëtimin e Greqisë. Të dy vendet kërkojnë sa më shpejt një paketë të re shpëtimi. Merkel dhe Sarkozy demonstruan unitet në takimin në Berlin.

https://p.dw.com/p/11edS
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy në Berlin.
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy në Berlin.Fotografi: picture alliance/dpa

Tri orë zgjati biseda mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Nicolas Sarkozy në Berlin. Në fund të dy ishin të një mendje: Greqisë i nevojitet një paketë e re shpëtimi sa më shpejt të jetë e mundur. Kusht për këtë është që Greqia të përmbushë detyrimet e saj, tha Merkel. Në një bisedë telefonike me kryeministrin grek Papandreu, Merkel është siguruar se ai është i gatshëm për këtë dhe do të luftojë, që vendi të ecë në rrugën e duhur. Do të ishte mirë, shtoi kancelarja Merkel, që edhe opozita greke ta mbështesë kryeministrin në këto përpjekje. Partia më e madhe opozitare greke, "Neo Demokratia", është parti simotër e Unionit Kristiandemokrat (CDU) të Merkelit dhe partisë së Sarkozisë, UMP.

Së shpejti një paketë e re shpëtimi për Greqinë.
Së shpejti një paketë e re shpëtimi për Greqinë.Fotografi: picture alliance / dpa

Pjesëmarrje vullnetare e kreditorëve privatë

Merkel dhe Sarkozy arritën një kompromis sa i takon çështjes se si mund të përfshihet sektori privat në shpëtimin e Greqisë. Në këtë pikë ka pasur diferenca të mëdha në pozicionet e të dy vendeve. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble kërkon të përfshijë në paketën e re të shpëtimit për Greqinë edhe investuesit privatë, pra bankat, shoqëritë e sigurimit dhe fondet e investimeve. Franca e ka refuzuar deri tani në mënyrë strikte këtë pjesëmarrje të investuesve privatë. Tani u ra dakord që kreditorët privatë të marrin pjesë në mënyrë vullnetare dhe me përfshirjen e Bankës Qendrore Evropiane. Presidenti Sarkozy e cilësoi këtë kompromis si një arritje të rëndësishme. Ai theksoi, se Gjermania dhe Franca janë në një linjë sa i takon shpëtimit të Greqisë. Të dy vendet janë të interesuara në ruajtjen e stabilitetit të monedhës së përbashkët, për shkak të ekonomisë dhe tregtisë së jashtme, pasi dy të tretat e eksporteve të tyre kanë destinacion vendet e eurozonës. Sarkozy tha, se pret që Troika e përbërë nga Banka Qendrore Evropiane, FMN dhe Komisioni i BE-së, të japin sa më shpejt rekomandime për paketën e re të shpëtimit dhe propozime masash kursimi për qeverinë greke. "Nuk ka kohë për humbur", tha Sarkozy.

Mbështetje për lëvizjen demokratike në Siri - Berlini dhe Parisi kërkojnë rezolutë nga KS.
Mbështetje për lëvizjen demokratike në Siri - Berlini dhe Parisi kërkojnë rezolutë nga KS.Fotografi: dapd

Parisi dhe Berlini mbështesin rezolutën për Sirinë

Në rendin e ditës së bisedimeve mes Merkelit dhe Sarkozisë ishin edhe çështje të politikës së jashtme. Të dy vendet kërkojnë edhe më tej një rezolutë të Këshillit të Sigurimit për Sirinë. Po bëhen përpjekje në të gjitha nivelet, tha Merkel. Për këtë arsye kancelarja ka biseduar javën e kaluar me kryeministrin turk Taip Rexhep Erdoan. Do të bëhen përpjekje edhe me Rusinë. Dy anëtarët e KS me të drejtë vetojë, Rusia dhe Kina, deri tani refuzojnë një rezolutë për Sirinë.

Asnjë polemikë për politikën energjitike

Biseda mes Merkelit dhe Sarkozisë në kryeqytetin gjerman, ishte takimi i parë dypalësh që prej shtatë muajsh. Marrëdhëniet mes Berlinit dhe Parisit kohët e fundit vlerësoheshin të tensionuara për shkak të një sërë diferencash. Edhe ndryshimet në politikën energjitike të Gjermanisë ndeshën në refuzimin e palës franceze. Presidenti francez theksoi, se vendi i tij edhe në të ardhmen do të mbështetet në energjinë bërthamore, por njëkohësisht i kushton vëmendje maksimale standardeve të sigurisë. Sarkozy tha se nuk i takon të kritikojë politikën gjermane energjitike, pasi janë vetë gjermanët ata që duhet të vendosin se çfarë energjia dëshërojnë të përdorin. Kancelarja Merkel theksoi se Gjermania do të mbulojë vetë nevojën e saj për energji dhe nuk do të jetë e varur prej eksporteve nga jashtë.

Autor: Bettina Marx
Redaktoi: E. Xhani