1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Tusk kërkojnë emërues të përbashkët për paketën europiane në mbrojtje të klimës

Thomas Rautenberg 9 Dhjetor 2008

Kancelarja gjermane Angela Merkel të martën (9.12.) udhëton për në Varshavë ku do të marrë pjesë në konsultimet qeveritare gjermano-polake. Në qendër të bisedimeve është arritja e marëveshjes për mbrojtjen e klimës.

https://p.dw.com/p/GCGt
Donald Tusk dhe Angela Merkel, në Varshavë, 9 dhjetor 2008.
Donald Tusk dhe Angela Merkel, në Varshavë, 9 dhjetor 2008.Fotografi: AP

Vetëm mirësjellja diplomatike nuk do të jetë e mjaftueshme për asnjë prej palëve në takimin e së martës. Gjermanët nuk duhet vetëm të thonë se e shohin Poloninë si Francën, por duhet edhe ta bëjnë këtë. Kështu i konkretizoi pritjet e tij për takimin i ngarkuari polak për Gjermaninë, Bartoszewski:"Nga pala gjermane ne nuk presim as dashuri dhe as miqësi. Ne presim thjesht partneritet dhe normalitet."

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri polak Donald Tusk duhet të gjejnë një emërues të përbashkët për paketën europiane në mbrojtje të klimës. është e vërtetë se të dy duan t'i përmbahen objektivit për reduktimin me 20 për qind të emetimit të dioksidit të karbonit në krahasim me vitin 1990. Por të dy palët kërkojnë njëkohësisht edhe rregulla përjashtuese: Merkel p.sh. për industrinë kimike dhe Tusk për centralet polake me qymyrguri.

Pjesët e CO2 në përqindje
Pjesët e CO2 të emëtuara në përqindje

Rafal Grupinski, dora e djathtë e kryeministrit polak, shpreson që Merkel më në fund të tregojë kartat e negociimit për samitin e ardhshëm të BE-së për klimën:"Ky do të jetë një takim mjaft i rëndësishëm për akordimin e interesave mes dy palëve. Gjermanët i kanë vënë vetes objektiva mjaft ambiciozë për klimën dhe presin për këtë miratimin e Polonisë. Nga ana tjetër kancelarja Merkel ndodhet nën trsyni të fortë nga industria gjermane. Kështu në fund mundemi vetëm të shpresojmë që kancelarja gjermane do të bëjë vërtet të qartë pozicionin negociues të Gjermanisë. Ne synojnë arritjen e një kompromisi të ngjashëm me atë që kemi arritur me presidentin e këshillit të BE-së, Sarkozy."

Lech Kaczynski i puth dorën Angela Merkelit, 12 tetor 2007
Lech Kaczynski i puth dorën Angela Merkelit, 12 tetor 2007

Oferta për kompromis me të cilën Sarkozy tërhoqi në anën e vet qeverinë polake, e vendos kancelaren gjermane nën trysni të madhe për të vepruar. Nëse mbetet vetëm oferta që Polonia të marrë edhe për shumë vjet falas çertifikatat për ndotjen me CO2, ngrihet pyetja se kush do të paguajë në fund faturën. Eksperti polak për energjinë Tomasz Chruszczow thotë se polakët duhet të ndjekin një thënie britanike për mjeshtërinë negociuese: "Thuaj jo derisa të të bëhet gjuha copë. Paketa për klimën e meriton Jo-në. Ajo nuk çon as drejt një objektivi ekologjik dhe as nuk mbështet sigurinë energjitike të vendeve."

Krahas arritjes së akordit mbi mbrojtjen e klimës tetë ministrat gjermanë që marrin pjesë në konsultimet qeveritare gjermano-polake, do të nëshkruajnë edhe marrëveshje të shumta me partnerët e tyre polakë. Bëhet fjalë ndër të tjera për një thellim të bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe më shumë kooperim në shërbimet e shpëtimit ndërkufitar.