1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: hegjemonia është e huaj për mua

Jens Thurau / Auron Dodi23 Prill 2013

Si e përfytyron daljen nga kriza e euros kancelarja gjermane? Me fjalë të qarta, Angela Merkel sqaron në paraqitjen e biografisë së saj qendrimet e saj dhe skicon vizione për të ardhmen.

https://p.dw.com/p/18L2w
Fotografi: John Macdougall/AFP/Getty Images

Ka shumë gjëra për të festuar të hënën (23.04.2013) në ambjentet fine të Deutsche Bank-ës në Bulevardin "Unter den Linden" në Berlin. Stefan Kornelius, drejtues i redaksisë së politikës së jashtme të gazetës "Süddeutsche Zeitung" kremton para një auditori të madh prezantimin e biografisë për kancelaren gjermane. Është një biografi e paautorizuar, shton ai shpejt, por e cila me sa duket ka gjetur pëlqimin e kancelares Angela Merkel: Ajo ka ardhur vetë në prezantim. Me vete ajo ka sjellë edhe dikë, i cili shpirtërisht është në atmosferë feste: kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, i cili të hënën mbushi 57 vjeç. Dhe më në fund, vëren Kornelius si përshëndetje, ka edhe diçka, jo, jo për të festuar, por për ta kujtuar: saktësisht tri vjet më parë, më 22 prill 2010, autoriteti evropian i statistikave Eurostat publikoi për herë të parë shifra horror për deficitin shtetëror të Greqisë: "dhe prandaj edhe eurokriza ka sot datëlindjen", u shpreh gazetari.

Angela Merkel, kancelarja e krizës

Eurokriza dhe kancelarja - kjo është bërthama e diskutimit, që pasoi dhe pak edhe e librit, për të cilin bëhet fjalë në fakt. Korneliusi ka vënë në qendër të biografisë së tij politikën e jashtme të Merkelit, pasqyron marrëdhënien e saj të ngushtë me Izraelin dhe Amerikën, distancën e saj me presidentin e Rusisë Putin – dhe sa e rëndësishme është për Merkelin vlera e lirisë. Evropa është për Merkelin vendi, ku kjo liri nuk mbetet abstrakte, por jetohet. „Ne nuk duhet ta sigurojmë veten çdo ditë në Bruksel që e kemi lirinë, ne thjesht e jetojmë atë“, thotë Angela Merkeli.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Reuters

Vetëm: në mënyrë që kjo të mbetet e tillë, Evropa duhet të ndryshojë, pra kriza e borxheve duhet të merret si shkas për reforma të thella – dhe në qendër për shefen e CDU-së është që shtetet t'i konsolidojnë buxhetet e tyre. „Nuk kam qenë unë që kam thënë që shtetet me borxhe nuk do të marrin më para, këtë e thanë investorët“, e kundërshton edhe njëherë tjetër kancelarja kritikën e shumë politikanëve në Greqi, Qipro, Spanjë dhe Portugali, se ajo synon që t'i imponojë Eurozonës vullnetin e saj: "Çdo përpjekje për hegjemoni është e huaj për mua.“ Me kritikën, se politika e Euros e Merkelit kërkon kursime deri në shkatërrim për vendet e varfra të jugut, këtë herë kryetarja e qeverisë gjermane nuk konfrontohet – gjë që duket që i pëlqen.

Polonia dhe euroja - "jo temë diskutimi!"

Akoma Polonia nuk e ka Euron, „por kjo nuk është një çështje „nëse“, por „kur“, jep siguri kryeministri nga Varshava. „Zhvillimi i idesë evropiane, konsolidimi i institucioneve të saj, kjo është më e rëndësishme se problemet financiare të shteteve të veçanta“, thotë Tusku.

Kopertina e librit të Stefan Kornelius për Angela Merkel
Kopertina e librit të Stefan Kornelius për Angela MerkelFotografi: Hoffmann und Campe

Evropa "jo automatikisht" një vend i mirëqënies

Merkeli e shfrytëzon ambjentin për të zhvilluar më tej vizionin e saj të Evropës. Në fund të fundit atë e akuzojnë që sjellja vetëm pragmatike nuk e lë të ketë fare vizione. „Nëse ne do ta ruajmë mirëqënien tonë, lirinë tonë, këtë e vendosim ne vetë, askush tjetër“, shprehet Merkeli. Amerikanët investojnë në Amerikë, japonezët në Japoni, sepse kjo është traditë kulturore. " Por një investor evropian nuk ka problem që të shkojë diku tjetër, po nuk i gjetëm ne zgjidhje krizës“.

Evropa nuk është automatikisht një vend i përparimit, në një botë me Kinën dhe ndoshta së shpejti edhe me Indinë si superfuqi të reja. Prandaj duhet edhe më shumë integrim (për shembull në politikën e arsimit dhe në mbledhjen e taksave) për ta mbajtur euron dhe për të shmangur borxhet.

Në foto, Merkel dhe Tusk
Në foto, Merkel dhe TuskFotografi: DW/Rosalia Romaniec

Kancelare gjermane me rrënjë polake

Kornelius shkruan në librin e tij se gjyshi i Merkelit, quhej Ludwig Kazmierczak dhe ishte nga Poznani në Poloni, „një fakt që për një kohë të gjatë unë nuk e kisha shumë në mendje.“

Prejardhja polake e Merkelit, „unë jam një çerek-polake“ kishte qenë temë e një darke të përbashkët. „Unë ju luta Donaldit, që të më thotë, si shqiptohet fjala Kazmierczak", thotë kancelarja.