1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel kërkon rregullim të gjerë ndërkombëtar të tregjeve financiare

Reuters/PP29 Tetor 2012

Sipas kancelares Merkel në këtë drejtim janë bërë përparime, por rregullat ende nuk zbatohen kudo, dhe mungojnë ende në shumë sektorë.

https://p.dw.com/p/16YPL
German Chancellor Angela Merkel speaks during a media conference at an EU summit in Brussels on Friday, Oct. 19, 2012. European leaders are gathering again in Brussels to discuss how to save the euro currency from collapse and support countries facing too much debt and not enough growth. (Foto:Virginia Mayo/AP/dapd)
Fotografi: dapd

Të martën e ardhshme kancelarja Merkel do të takohet me krerët e organizatave ndërkombëtare, përkatësisht FMN-së, Organizatës Botërore të Tregtisë WTO, Organizatës Ndërkombëtare të Punës ILO, OECD-së dhe Bankës Botërore. Një takim të tillë ajo e zhvillon prej disa vitesh çdo vit për t'u informuar hollësisht për situatön ekonomike ndërkombëtare dhe situatën e ekonomisë evropiane.

Kryetarja e qeverisë gjermane Angela Merkel tha në videomesazhin e saj javor (27.10.) se është e bindur se është e rëndësishme që të forcohet roli i organizatave ndërkombëtare, sepse globalizimi në rritje na detyron ne të gjithëve që të shohim përtej horizontit të secilit vend për të qenë në gjendje ta vlerësojnë situatën ekonomike.

Kancelarja theksoi se pas krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare është jashtëzakonisht e rëndësishme që rregullimi ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e tregjeve financiare, të shkojë përpara dhe se në këtë drejtim ka ende shumë për të bërë.

"Sipas mendimit tim ne në këtë çështje nuk jemi ende aty ku duhet të jemi. Sepse ne kishim planifikuar rregullimin duke vënë nën kontroll çdo qendër financiare, çdo aktor dhe çdo produkt të tregut financiar. Në këtë drejtim janë bërë përparime të qarta, por rregullat ende nuk zbatohen kudo, dhe ne na mungojnë akoma shumë sektorë. Për shembull, rregullimi i sistemit bankar në hije, që shpresojmë se do të miratohet në takimin e ardhshëm të G20.

Në lidhje me krizën financiare dhe ekonomike ndërkombëtare pas vitit 2007 me të ashtuquajturin sistem bankar në hije kuptohen sipërmarrje që merren legalisht me veprimtari financiare, por pa qenë vetë institute kredie apo banka, si p.sh. fondet e ndryshme, apo firma filiale të bankave të cilat veprojnë jashtë bilancit të bankave. Këto lloj sipërmarrjesh deri tani i nënshtrohen një rregullimi dhe kontrolli të ulët.

Reformat po bëjnë efekt

Në lidhje me gjendjen në eurozonë kancelarja është se mendimit se "reformat strukturore - edhe pse të dhimbshme - kanë filluar të veprojnë në disa vende, si për shembull, në Irlandë, në Portugali, por edhe në Greqi dhe Spanjë. Vetëm para pak ditësh trojka konstatoi në Irlandë se ky vend po e zbaton në mënyrë të shquar programin e tij dhe se rikthimi në tregjet financiare do të jetë e mundur në një të ardhme të parashikueshme."

Kancelarja Merkel tha se Bashkimi Evropian dhe në veçanti eurogrupi do të vazhdojnë politikën e tyre për financa publike më solide dhe strategjinë e rritjes në hapat vendimtare. Një gjë e tillë sipas kancelares do të thotë gjithashtu që bashkëpunimi në kuadër të eurogrupit, sidomos koordinimi ekonomik duhet të forcohet edhe më tej.