1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel përshëndet marrëveshjen amerikano-ruse për armët kimike të Sirisë

zdf/dw/PP15 Shtator 2013

Merkel thotë që pas marrëveshjes amerikano-ruse për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë duhet që fjalët të ndiqen nga vepra.

https://p.dw.com/p/19hl6
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) e përshëndeti marrëveshjen amerikano-ruse për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Kancelarja tha të shtunën (14.09.) gjatë një takimi elektoral në Mainz. "Fakti që tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia po ndjekin rrugën e diplomacisë, është lajm i mirë. Tani duhet që fjalët të ndiqen nga vepra."

Shumica e qytetarëve të Republikës Federale Gjermane janë skeptikë ndaj një ndërhyrje ushtarake kundër Sirisë. Pjesëmarrja e Bundeswehr-it në një mision të tillë jashtë vendit ndesh në refuzim që nga angazhimi gjerman në Afganistan ku kanë gjetur vdekjen 54 ushtarë gjermanë.

Këtë e di natyrisht edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, dhe ajo e bëri të qartë që nga fillimi: "Gjermania nuk do të marrë pjesë në ndonjë veprim ushtarak kundër Sirisë." Megjithatë, ajo bëri thirrje për pasoja të ashpra, nëse rezulton se diktatori i Sirisë Bashar al-Assad është përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër popullsisë civile.

Ruprecht Polenz (CDU), kryetar i deritanishëm i Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, mendon se nuk ka "asnjë dyshim të arsyeshëm" se pas sulmeve me gaz helmues, prej të cilave kanë rënë viktimë ndoshta më shumë se një mijë vetë, është udhëheqësi sirian. Por edhe ai është i lumtur që goditja ushtarake amerikane u shmang dhe tani po vepron sërish diplomacia. "Sulmi me gaz helmues nuk duhet të përsëritet," tha ai në një intervistë me DW. Nëse kjo arrihet me mjete diplomatike dhe më mirë. "Midis asgjësë dhe një sulmi ushtarak, ka edhe mënyra të tjera për të parandaluar sulmet me gaz helmues dhe për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës", tha Polenz.

Inspektorë të OKB-së duke hulumtuar pas sulmeve me gaz helmues në Siri
Inspektorë të OKB-së duke hulumtuar pas sulmeve me gaz helmues në SiriFotografi: Reuters