1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel premton zbardhje të plotë të skandalit të përgjimeve

(ard, dpa) / Eliana Xhani15 Korrik 2013

Në një intervistë në televizion kancelarja Angela Merkel premtoi sqarim të plotë të skandalit të përgjimeve. Por opozita gjermane kritikon si të pamjaftueshme punën e qeverisë.

https://p.dw.com/p/197jb
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në intervistën e saj të dielën (14.7.) për kanalin e parë gjerman ARD, para pushimit të verës, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se qeveria gjermane do të kërkojë me forcë sqarimin e plotë të skandalit të përgjimeve nga shërbimi i fshehtë amerikan NSA. Shërbimi i fshehtë amerikan duhet të respektojë ligjet në fuqi, tha kancelarja: "Unë pres për të ardhmen një premtin të qartë të qeverisë amerikane që në tokën gjermane të respektojë ligjin gjerman.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: panomacc - Fotolia.com

"Qëllimi nuk justifikon mjetet"

Ne jemi partnerë miq. Jemi në një aleancë mbrojtëse dhe duhet t'i besojmë njëri-tjetrit", tha Merkel. Është e vërtetë se në luftën kundër terrorizmit duhet bashkëpunuar, por: "Qëllimi këtu nuk justifikon mjetet." Merkel kërkoi gjithashtu arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave. Në këshillimet për këtë temë Gjermania do të kërkojë që "firmat të cilat operojnë në Evropë, të na thonë se kujt ia përcjellin të dhënat." Në nivel shtetesh kombëtare të dhënat e qytetarëve nuk mund të mbrohen më, tha Merkel. "Ne vërtet kemi një ligj federal të shkëlqyer për mbrojtjen e të dhënave por kur Facebook është i regjistruar në Irlandë, vlen ligji irlandez dhe për këtë arsye na duhet një rregullim ligjor i njësuar evropian."

Në foto, Peer Steinbrück
Në foto, Peer SteinbrückFotografi: picture-alliance/dpa

Kritikë e ashpër nga opozita

Merkel theksoi se qeveria e saj i merr seriozisht shqetësimet e njerëzve, qytetarër janë me të drejtë të shqetësuar se çfarë ndodh me të dhënat e tyre jashtë Gjermanisë. Opozita e sheh këtë ndryshe: kandidati për kancelar i Partisë Socialdemokrate (SPD) Peer Steinbrück, e akuzoi Merkelin madje se ka thyer betimin e bërë me marrjen e postit, për të shmangur dëme ndaj popullit gjerman dhe kërkoi një hetim parlamentar.

Sekretarja e përgjithshme e SPD-së Andrea Nahles e akuzoi Merkelin se nuk ka bërë sa duhet trysni ndaj amerikanëve. Para intervistës së Merkelit, Nahles pati kritikuar se lidhur me skandalin e përgjimeve Merkeli do të thotë vetëm "gjëra pa rëndësi". "Shkelja masive e të drejtave civile të qytetarëve gjermanë nga shërbimet e huaja sekrete duket se nuk i intereson Merkelit", deklaroi Nahles.

Politikani i gjelbër Omid Nouripuor, ekspert për çështje të sigurisë, tha për gazetën "Passauer Neue Presse" se një komision hetimor parlamentar për skandalin e përgjigjimeve është një detyrë për periudhën e ardhshme legjislative. Ai pranoi se duhet të sqarohet pa rezerva se çfarë ka ditur apo miratuar qeveria gjermane, pas atentateve të 11 shtatorit 2001 për punën e shërbimeve të fshehta amerikane. Në atë kohë në Gjermani qeveriste një koalicion mes socialdemokratëve dhe të gjelbërve.

Në foto, Andrea Nahles
Në foto, Andrea NahlesFotografi: DW

Thirrje për udhëheqjen e re në Egjipt

Lidhur me situatën e tensionuar në Egjipt, kancelarja Merkel theksoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë gjermane, për lirimin e presidentit të rrëzuar Mohammed Mursi: "Unë kam të njëjtin mendim si ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, se zoti Mursi duhet të lihet i lirë, në mënyrë që në Egjipt të mund të zhvillohet një proces politik me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve të popullsisë. Gjatë qeverisjes së Vëllazërisë Myslimane u përjashtuan të tjerët, tani nuk duhet të ndodhë e kundërta, pra që ata të cilët mendojnë se kanë tani më shumë ndikim, të përjashtojnë Vëllazërinë Myslimane", kërkoi kancelarja.

Në foto, Angela Merkel
Në foto, Angela MerkelFotografi: AFP/Getty Images

Për një koalicion me liberalët

Merkel tha në intervistë se mbështet vazhdimin e një koalicioni konservatoro-liberal pas zgjedhjeve parlamentare, nëse kjo do të jetë e mundur. Por ajo përjashtoi mundësinë e huazimit të votave për partinë liberale, FDP. "Kush dëshëron që unë të mbetem kancelare duhet të votojë Partinë Kristiandemokrate (CDU)", tha Merkel. Ajo u shpreh optimiste për një rezultat të favorshëm që do të mundësonte vazhdimin e koalicionit konservatoro-liberal (CDU, CSU, FDP), megjithatë nuk përjashtoi mundësinë e një koalicioni me të gjelbrit.