1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel u jep kurajo grekëve

Eliana Xhani (me dpa, reuters)10 Tetor 2012

Kancelarja gjermane Angela Merkel u premtoi solidaritet kryeministrit Samaras dhe popullit të tij. Demonstrime të dhunshme shoqëruan vizitën e shkurtër të kancelares Angela Merkel në Athinë.

https://p.dw.com/p/16N4E
Merkel dhe Samaras në konferencë për shtyp në Athinë
Fotografi: AP

"Ne jemi partnerë dhe miq", tha kancelarja Merkel pas bisedës me kryeministrin Antonis Samaras në Athinë: "(...) E them edhe njëherë se jam thellësisht e bindur që rruga e vështirë në të cilën po kalon Greqia do të shpërblehet dhe Gjermania dëshëron të jetë në këtë rrugë një partnere dhe mike e mirë".

Merkel tha se dëshiron që Greqia të mbetet në eurozonë. Në rrugën për daljen nga kriza është arritur tashmë shumë por ka ende edhe shumë për të bërë: "Kam ardhur sot këtu me bindjen se periudha që po kalon Greqia është një fazë shumë e vështirë për popullin grek dhe se shumë njerëz vuajnë pasi prej tyre kërkohen shumë sakrifica. Për këtë arsye dua të them edhe se një pjesë e madhe e rrugës tashmë është lënë prapa. (...) Është në interesin tonë të përbashkët që ne në Evropë të rifitojmë besueshmëri në botë dhe të tregojmë se në eurozonë i zgjidhim bashkarisht problemet. Ne po i vendosim piketat në mënyrë të tillë që fëmijët dhe nipërit tanë të jetojnë në mirëqënie në të ardhmen. (...)".

Merkel reagoi kështu ndaj deklaratave të palës greke se do të përmbushë premtimet ndaj donatorëve ndërkombëtarë. Nuk nevojiten as më shumë para dhe as lëshime të veçanta. Populli grek dëshiron të mbetet në eurozonë. Më parë Merkel kishte premtuar ndihma financiare për reformat në administratën publike dhe shëndetësi. Konkretisht bëhet fjalë për dy projekte të BE-së me një volum prej 30 milionë eurosh, të cilat drejtohen nga Gjermania.

Pritje me nderime dhe protesta të dhunshme

Protesta të dhunshme në Athinë kundër vizitës së kancelares gjermane
Protesta të dhunshme në Athinë kundër vizitës së kancelares gjermaneFotografi: AP

Kancelarja u prit me nderime ushtarake nga kryeministri grek Samaras në aeroportin e Athinës. Në rrugët e kryeqytetit grek më shumë se 30.000 demonstrues protestuan kundër vizitës. Për shumë grekë kancelarja gjermane është përgjegjësja kryesore për diktatin e rreptë të kursimeve që eurozona i ka vendosur Greqisë. Në afërsi të ndërtesës së parlamentit ku kancelarja bisedoi me Samaras për situatën e vështirë të vendit pati përleshje të dhunshme: një grup i vogël huliganësh hodhi mjete djegëse dhe gurë, policia përdori gaz lotsjellës dhe arrestoi shumë demonstrues.