1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli e ka llogaritur votën kundër të Cameronit për Junckerin

Benr Grässler / Auron Dodi20 Qershor 2014

Në Berlin kanë rënë tashmë dakord për tri postet kryesore të BE: Junckeri do të drejtojë Komisionin dhe Oettingeri do të mbetet Komisar për Energjinë. Schulzin e kanë planifikuar si president të Parlamentit Evropian.

https://p.dw.com/p/1CNGZ
Brüssel Krisentreffen EU-Sondergipfel Griechenland
Fotografi: Reuters

Angela Merkel nuk pret votë unanime, kur kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Evropës të mblidhen javën e ardhshme në Bruksel dhe të propozojnë Jean-Claude Junckerin si president të ardhshëm të Komisionit Evropian. Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, me siguri që nuk do ta ndryshojë më mendimin e tij, tha kancelarja në Berlin, pas një takimi me kolegun e saj nga Estonia, Taavi Roivas. Cameroni e kundërshton emërimin e Junckerit, sepse nën drejtimin e tij ai druhet për ndërhyrje më të forta të Brukselit në çështje nacionale. Prandaj Londra kërcënoi madje me një dalje të Britanisë së Madhe nga komuniteti i 28 shteteve.

Por kancelaren Merkel duket se ky kërcënim nuk e frikëson më. Javët e fundit ajo u përpoq disa herë më kot që t'ia ndryshojë mendjen kryeministrit britanik. Në Bruksel ajo nuk pret vendim unanim, tha ajo.

Merkeli konfirmoi njëkohësisht atë që kishte thënë më parë në një takim me kryeministren daneze, Helle Thorning-Schmidt: ajo është e gatshme që t'i përgjigjet Britanisë së Madhe në çështje të tjera. Ekziston dëshira që të punohet në frymë evropiane dhe do të dëgjohet zëri i Britanisë së Madhe, veçanërisht kur të bëhet fjalë për programin e punës së Komisionit të BE-së.

Schulzi nuk do të bëhet Komisar i BE-së

Për dy vendime të tjera personeli është rënë ndërkohë dakord midis partive unioniste dhe socialdemokratëve në Bundestagun gjerman: SPD lëshon pe në mosmarrëveshjen për Komisarin e ardhshëm gjerman të BE-së dhe nuk ngul më këmbë për emërimin e Martin Schulzit. "SPD do të pranojë një komisar të partive unioniste - nëse Martin Schulz do të zgjidhet president i Parlamentit Evropian", i tha kryetari i Partisë, Sigmar Gabriel botimit online "Spiegel Online". Këtë e konfirmoi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Sigmar Gabriel.

Emërimi i Komisarëve të BE është një çështje thjesht nacionale. Oettingeri bën si komisar për energjinë "punë shumë, shumë të mirë", e lëvdoi kancelarja shokun e partisë së saj.