1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mes protestave të opozitës - John Kerry në Egjipt

Björn Blaschke/ Auron Dodi4 Mars 2013

Ministri i ri i Jashtëm i SHBA, John Kerry në udhëtimin e tij në botën e jashtme bëri një ndalesë në Kairo - një vizitë shumë e diskutueshme. Partitë opozitare e vlerësuan vizitën si mbështetje për presidentin Mursi.

https://p.dw.com/p/17pZe
John Kerry ne Egjipt
John Kerry ne EgjiptFotografi: Reuters

Në mesditë, ministri i Jashtëm i SHBA John Kerry dhe presidenti i Egjiptit, Mohammed Mursi u takuan me njëri-tjetrin. Temë e bisedës së tyre: kriza, në të cilën ndodhet Egjipti. Nga ana ekonomike vendi ndodhet buzë greminës; politikisht është i paralizuar. Në përputhje me këtë ishte edhe apeli i kryediplomatit amerikan, që presidenti Mursi dhe grupet e ndryshme opozitare duhet të afrohen me njëri-tjetrin:

"Ne besojmë, se për popullin egjiptian në këtë moment, kur ka sfida serioze ekonomike, është e rëndësishme që të bashkohet dhe të gjejë një emërues të përbashkët dhe që të marrë vendime."

Vizita e ministrit të Jashtëm të SHBA në Kairo provokoi protesta - dhe kritika të tjera: në faqen e parë të një gazete kritike ndaj qeverisë doli një karikaturë e Kerry-t, ku ai paraqitej me mjekër dhe me shenjë të faljes në ballë, i shoqëruar nga shprehja: "Kerry, vëllai mysliman." Edhe kjo grua thotë:

"Unë jam kundër vizitës, sepse John Kerry ka ardhur këtu për të mbështetur qeverinë e vëllezërve myslimanë. SHBA i mbajnë ata në pushtet. Dhe unë jam kundër."

Shumica e drejtuesve egjiptianë të opozitës madje e refuzuan një ftesë të Kerry-t për bisedime. Ata protestojnë me këtë gjest me faktin se qeveria e Uashingtonit u përpoq pak kohë më parë të ushtronte presion kundër atyre, opozitarëve: shtabi i presidentit Obama besohet se ka ngulur këmbë tek Fronti i Shpëtimit Kombëtar, tek aleanca më e rëndësishme e grupeve dhe partive të ndryshme opozitare egjiptiane që ta tërheqë bojkotin e tij.

Kerry për bisedime në Kairo
Kerry për bisedime në KairoFotografi: Reuters

Opozita i quan farsë zgjedhjet parlamentare

Fronti i Shpëtimit Kombëtar, para së gjithash mbajtësi i Çmimit Nobel të Paqes, Mohammed el Baradei u pati bërë thirrje egjiptianëve që të mos marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, që do të zhvillohen në 22 prill. Shkaku për bojkotimin e planifikuar: opozitarët i akuzojnë islamistët se e kanë hartuar në dobi të tyre ligjin elektoral; një ligj, në të cilin zonat elektorale janë organizuar në mënyrë të tillë, që islamistët të fitojnë.

Në këto kushte, opozita, po të merrte pjesë në zgjedhje nuk do të ishte gjë tjetër veçse një gjethe fiku demokratike. Prandaj Khaled Dawoud, zëdhënësi i Frontit të Shpëtimit Kombëtar në bisedë me radion gjermane në Kairo tha:

Protesta kundër vizitës së John Kerry-t
Protesta kundër vizitës së John Kerry-tFotografi: Reuters

"Ne nuk do të marrrim pjesë në zgjedhje. Ne nuk do të marrim pjesë në zgjedhje, të cilat përsëritin vetëm atë, që ka bërë regjimi i vjetër i Mubarakut: të tregojnë se ka një opozitë, por e cila nuk është gjë tjetër veçse dekoracion. Ja, shihni: ne kemi 20 përqind opozitarë në parlament. Por me këtë ata mund të miratojnë ligjet që duan. Ata kujtojnë se ne jemi budallenj".

Por ligji i ri i elektoral është vetëm fundi i deritashëm i një vargu zhvillimesh në Egjipt, për të cilat opozitarët ngarkojnë presidentin Mursi. Kështu më parë islamistët miratuan me një procedurë të përshpejtuar një kushtetutë shumë të dyshimtë - pa bashkëpunimin e opozitarëve. Për ta, SHBA luajnë në të gjitha këto ngjarje një rol të rëndësishëm.