1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Metoda e Sarkozisë mund të dështojë

21 Nëntor 2007

Temat: mbrojtja e klimës, marrëdhëniet gjermano-kineze pas vizitës së Dalai Lamës, greva në Francë, shtyrja e procesit të Markos në Turqi

https://p.dw.com/p/CPqe
demonstrate ne Paris, 20 nentor 2007Fotografi: AP

Në dhjetor mbahet në Bali samiti i OKB-së për mbrojtjen e klimës.

"Berliner Morgenpost" shkruan

Mesazhi kryesor i dhënave të OKB-së është, se në qendër të politikës për klimën duhet të jetë përshtatja ndaj ngrohjes së tokës. Ashtu siç kanë reaguar gjithnjë njerëzit edhe kafshët ndaj ndryshimit të kushteve. Për ne kjo do të thoshte të përmirësojmë mbrojtjen e bregdetit, t´u shmangemi zonave të rrezikshme te banimeve, të mbjellim bimë të dobishme, të cilat përshtaten. Përqëndrimi i sotëm thuajse i pashmangshëm, por edhe i pashpresë vetëm te klima mund të dalë nesër si rruga e gabuar. Jo vetëm sepse ne mbetemi pas në synimet për reduktimin e pasojave. Edhe studjuesit e klimës thonë, se edhe respektimi komplet i protokollit të Kiotos mund ta ulte fare pak temperaturën e tokës në 50 vjetët e ardhshëm.


Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Kinës janë acaruar pas vizitës së Dalai Lamës në Gjermani dhe takimit të tij me kancelaren Angela Merkel. "Tageszeitung" shkruan për reagimin e Kinës:

Deri tani çdo qeveri gjermane ulej në gjunjë para Pekinit. Gerhard Schrëderi donte biles ta furnizonte me armë, kur Kina kërcënoi Tajvanin me luftë. A i ka acaruar Angela Merkel kinezët, që janë të fiksuar te ekonomia, por që harrojnë të respektojnë të drejtat e njeriut? Po, sigurisht. Ndoshta në të ardhmen do të shesin disa makina dhe avionë më pak në Kinë. Por te brezi i ri i Kinës Angela Merkel ka fituar pikë dhe simpati. Më në fund dikush mbajti qëndrim dhe i konsideroi të drejtat e njeriut si më të rëndësishme, se biznesi me shtypësit.


"Frankfurter Rundschau" shkruan për grevën në Francë:

Metoda e Sarkozy është të arrijë mundësisht shumë përnjëherë. Dhe kjo metodë shpesh mund të dështojë. Jo vetëm në Francë është e rrezikshme të realizosh atë që quhet modernizim, kur çmimi i bukës nuk është në rregull. Ky është shkaku se përse francezët solidarizohen me thirrjen e punonjësve grevistë për më shumë të holla, dhe simpatia për Sarkozyn bie. Shkurtimet masive të vendeve të punës në shërbimet publike trembin shumë francezë. Mësuesit, personeli i spitaleve, punonjësit e postës dhe telekomit dhe shumë studentë. Ende Sarkozy mendon, shumë armiq, shumë nder. Ndoshta monsieur le President për të shpëtuar nderin duhet të nxjerrë së shpejti në rrugë simpatizantët e partisë së tij.


«Schwäbische Zeitung»:

Për Francën nuk kanë rendësi vetëm pensionet e punonjësve të hekurudhave, por që të kryejnë ata reforma strukturore, që janë vënë në jetë prej kohësh në vendet e tjera evropiane. Problemi i Sarkozy është, se francezët e kanë sjellë në post si reformator. Por ata lëkunden ndërmjet idesë, se nuk mund të ecë më si deri tani, dhe frikës nga shkurtimet e pashmangshme. Prandaj hekurudhat e shesin grevën e tyre për privilegjet si luftën e fundit për gjoja shkatërrimin e shtetit social francez. Kësaj rradhe duket sikur, francezët nuk bien në këtë lojë.

I riu gjerman Marko Weiss, që mbahet në arrest në Turqi i akuzuar për abuzim seksual të një 13 vjeçareje, nuk u lirua. Procesi në Antalia u shty për 14 dhjetor.

"Berliner Kurier" shkruan:

Marco mbetet në arrest. Kjo është shumë e rëndë për të riun. Por ajo që bën drejtesia turke, është më shumë se një skandal. Kur një gjykatë nuk është në gjendje, që me muaj të tërë të përkthejë një deponim, kjo flet jo vetëm për neglizhencë ekstreme, por kjo është gati sabotazh i qëllimtë. Apo është një keqtrajtim i vetëdijshëm i një të krishteri në Turqinë islame? Unë e kuptoj mirë zemërimin e të gjithë atyre, që e mbështesin Markon. Por një gjë është tani e sigurtë, Ky proces nuk është as i rregullt, as i drejtë. Është turp për drejtësinë.


"Kieler Nachrichten" shkruan:

Procesi është degraduar prej kohësh në farsë. Që prej një gjysëm viti në rastin e Markos nuk duken rezultatet e hetimeve. Megjithatë gjykata turke këmbëngul, që të pritet deponimi i vajzës Charlotte. Dje gjykatësi u dha zemër avokatëve të Markosit, që për të shpejtuar procesin të mbledhë vetë dokumentet e përkthyera. Ky është një kuptim i çuditshëm i shtetit ligjor. Mbrojtja duhet të sigurojë deponimin e dëshmitares kundërshtare, sepse akuza as nuk është në gjendje dhe ajo që duket më e mundshme është, se nuk është e interesuar të bëjë një gjë të tillë.