1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Midis mosbesimit dhe shpresave të mëdha

Nina Niebergall17 Tetor 2015

Angela Merkel shkon të dielën (18.10) në Turqi - me një agjendë, në të cilën çështja e refugjatëve është në krye.

https://p.dw.com/p/1GpZv
Merkel und Erdogan PK in Berlin 04.02.2014
Fotografi: Patrik Stollarz/AFP/Getty Images

Deklarata e zëdhënësit të qeverisë Steffen Seibert erdhi papritur. Kancelarja Angela Merkel do të shkojë në Ankara për t'u takuar atje me Presidentin e Shtetit, Rexhep Tayyip Erdogan dhe kryeministrin Ahmet Davutuglu, një javë pas atentatit të tmerrshëm në kryeqytetin e Turqisë. Në qendër të bisedimeve: lufta e përbashkët kundër terrorizmit ndërkombëtar, konflikti në Siri dhe sfida përballë së cilës e sheh veten Evropa me qindra mijëra refugjatët.

Që kancelarja e ndërmerr pikërisht tani udhëtimin e saj për në Ankara, është për politologen Gülistan Gürbey shprehje e reflektimeve të realpolitikës. "Çështja tani është vetëm deri në ç'masë mund të arrihen mëetë vërtetë marrëveshjet paketë, kur objektivat janë shumë të ndryshme", i thotë Gürbye Deutsche Welles.

Sepse rrethanat për vizitën e Merkelit nuk janë pa probleme. Raporti midis Gjermanisë dhe Turqisë prej kohësh karakterizohet nga mosbesim dhe strategji diverguese në politikën e jashtme.

Miqësore dhe rezistente

Kjo në një kohë kur midis të dyja vendeve ekziston një marrëdhënie e ngushtë, e zhvilluar historikisht, të cilën Ministria e Jashtme gjermane e karakterizon si "miqësore, me shumë elementë dhe rezistente." Gjermania është me një vëllim tregtar prej 32,6 miliardë eurosh partneri më i rëndësishëm tregtar i Turqisë, si partnere në NATO dhe person kontakti për BE, Turqia nga ana e saj është sërish një aleate e rëndësishme për çështjet gjeostrategjike. Në Gjermani jetojnë gati tri milionë vetë me rrënjë turke, duke bërë që të krijohet diçka e ngjashme me një hapësirë transnacionale gjermano-turke.

Para më shumë se 15 vjetësh, Evropa i paraqiti Turqisë madje perspektivën për në BE. Ky hap i qartë i afrimit ndodhi nën Presidencën Gjermane të radhës të BE. Ky hap fillimisht solli një zell të pashembullt reformash në Turqi. Një dinamikë që Gerd Andres, e shpjegon kështu në bisedë me DW. "Nga pala turke, Erdogani dhe AKP e kanë nxitur prej kohësh afrimin me Evropën. Një pjesë e partnerëve evropianë e bllokoi këtë. Duke nisur me Qipron dhe duke vazhduar me Francën. Pastaj u lidhën shpresa të mëdha me Gjermaninë, por të cilat Gjermania nuk mundi apo nuk deshi t'i plotësonte si duhej." Kjo solli zhgënjim tek të dyja palët.

Partnerë në vend të miqve

Zhgënjimin e pasoi ftohja. Në mes të viteve 2000, partitë unioniste folën vetëm për një "partneritet të privilegjuar", që mund t'i paraqitej si perspektivë Turqisë. Ndërsa në nëntor 2012 Merkeli e formuloi qartë refuzimin e saj: "Ne nuk e duam anëtarësimin e plotë të Turqisë."

Dikur u duk se edhe Turqia nuk e donte më këtë. Qeveria e Erdoganit nisi të ndjekë një politikë që nuk kishte më asgjë të përbashkët me vlerat evropiane, me të cilën u shkelën në mënyrë masive liria e shtypit, e mendimit dhe të drejtat e njeriut.

Kur Angela Merkel të shkojë të dielën në Turqi ndoshta do t'i duhet të kryejë një akt ekuilibri. Ajo, të cilën Presidenti i shoqërisë gjermano-turke, Gerd Andres e quan "klimë të memecërisë" do t'ia bëjë të vështirë kancelares që ta rifitojë besimin e humbur. Njëkohësisht asaj nuk i mbetet gjë tjetër, pasi anëtarët politikë të BE, ashtu edhe Republika Federale kërkuan ditët e shkuara që Turqia të luajë një rol kyç në krizën e refugjatëve.

Gürbey thotë se Merkeli vepron duke i dhënë përparësi realpolitikës. Këtë kancelarja madje e pranon hapur:" Politika e jashtme është gjithmonë një fushë e tendosur midis vlerave, ndaj të cilave ne ndihemi të detyruara dhe interesave, që kemi." Se cilat vlera do të peshojnë në fund më rëndë përballë cilave interesa, kjo do të dalë në pah në bisedimet në Ankara.