1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Migrimi i mjekëve brain drain vdekjeprurës

Nemanja Rujevic13 Maj 2015

Rreth 40.000 mjekë të huaj punojnë në Gjermani. Një pjesë e madhe e mjekëve të rinj duan të largohen nga Ballkani për në Gjermani. Në vendin e tyre ata lënë boshllëk. Një shembull është Serbia.

https://p.dw.com/p/1FOtH
pamje simbolike mungese mjekesh
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ajo që vërehet është një tendencë. Dhoma e Mjekëve serbë nxjerr që prej vitit 2012 një çertifikatë, e cila i mundëson një mjeku të punojë pa kufizim në botën e jashtme - të ashtuquajturën "Certificate of Good Standing". Vetëm vitin e kaluar u nxorrën 927 çertifikata të tilla - kjo vërtet nuk do të thotë se të gjithë mjekët e çertifikuar largohen menjëherë nga vendi, por me siguri që ata e kanë ndër mend një gjë të tillë. "Katër të pestat e tyre sapo i kanë mbaruar studimet, dhe kërkojnë më kot një vend pune. Nëse u jepet ndonjë mundësi, në rastin më të mirë ata mund të kryejnë punë vullnetare pa para", thotë Vesna Jovavonic, drejtore e Dhomës së Mjekëve. "Ka edhe mjekë që vërtet punojnë, por presin përjetësisht të marrin specializimin. Dhe specialistë me përvojë, të cilët në botën e jashtme mund të fitojnë gjashtëfishin e asaj që fitojnë në Serbi". Jovanovic druhet se së shpejti gjithnjë e më shumë vetë do të largohen nga vendi.

Janë jo vetëm kushtet e vështira të punës, që i bëjnë mjekët e Serbisë të largohen nga vendi. Kjo degë e ekonomisë konsiderohet shumë e korruptuar dhe shumë vende pune jepen vetëm me miqësi partiake. Një mjekt i ri, i cili preferon të mbetet anonim, e informoi DW për përvojën e tij në spitalin e përgjithshëm të Pozarevacit, në Lindje të vendit. "Drejtori thjesht donte 3.000 Euro nga unë. Vetëm kështu, tha ai, unë e marr vendin e punës."

Biznes i mirë për Gjermaninë

Pjesa dërrmuese e mjekëve, që i marrin çertifikatat në Dhomën e Mjekëve, kërkojnë që këto dokumenta të shtypen në gjuhën gjermane. Objektivi pra është thuajse gjithmonë Gjermania. Për këtë, Kristian Stambuk, drejtor ekzekutiv i portalit medizinerkarriere.de mund të përmendë argumenta të shumta: sektorin e ekonomisë të strukturuar mirë, klinikat moderne dhe një shans për të avancuar më tej në profesion. "Të ardhura të larta dhe vende të sigurta pune në krahasim me vendet e origjinës e plotësojnë paketën e përgjithshme tërheqëse", thotë këshilltari i personelit. Disa ekspertë vlerësojnë se deri në vitin 2030 në Gjermani do të mungojnë rreth 111.000 mjekë. Stambuk thotë "ne duhet të jemi shumë të gëzuar, që kemi kaq shumë mjekë të huaj."

Këtë tendencë, vende ekonomikisht të dobëta e kanë të vështirë ta kundërshtojnë. Serbia për shembull, ku papunësia i afrohet kuotës së 30-përqindshit, ku prej vitesh mungon zhvillimi ekonomik dhe ku një mjek i përgjithshëm pret të marrë një pagë prej 400 deri 500 eurosh në muaj. Në një sondazh aktual, mbi 60 përqind e mjekëve deklarojnë se do t'u rekomandonin fëmijëve të tyre që të largohen nga Serbia. E ngjashme është situata në Rumani, prej së cilës në Gjermani kanë ardhur deri tani 4.000 mjekë, numri më i madh i mjekëve të huaj. Në listën e mjekëve të huaj pasojnë Greqia dhe Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Sllovakia.

Boshllëk në vendet e origjinës

Por atje ku largohen mjekët, gradualisht po dalin në pah boshllëqe në shërbimin mjekësor. Me rreth shtatë milionë banorë, Serbia ka vetëm 22.000 mjekë, gjë që është shumë nën nivelin e Bashkimit Evropian. Në shumë rajone mungojnë specialistët, për shembull anestezistët dhe radiologët. Ministria e Shëndetësisë përpiqet ta paraqesë problemin më të vogël se ç'është. Vetëm mjekët më të vjetër migrojnë për të marrë shpërblime të majme, shpërndajnë së fundi mediet një pozicionim të Ministrisë së Shëndetësisë. Synimi është që të mundësohet më shpejt dhe më thjesht specializimi i mjekëve të rinj. Por, nga kjo nuk duket i bindur as Presidenti i vendit, Tomislav Nikolic. "Të rinjtë nuk largohen sepse e urrejnë Serbinë, por sepse duan një jetë më të mirë", tha ai javën e kaluar në një intervistë.