1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mik i paftuar - Izraeli i kthen krahët Xhimi Karterit

Clemens Verenkotte, Tel Aviv 16 Prill 2008

Ish- presidenti amerikan, Xhimi Karter, me famë si ndërmjetës në zgjidhjen e konflikteve, dëshiron ta përdorë tani aftësinë e tij negociuese në konfliktin e Lindjes së Afërt. Por ai ka ndërmend të flasë edhe me Hamasët

https://p.dw.com/p/Diwt
Ish presidenti amerikan Jimmy Carter dëgjon shpjegime për raketat që u lëshuan në Sderot - 14 prill 2008
Ish presidenti amerikan Jimmy Carter dëgjon shpjegime për raketat që u lëshuan në Sderot - 14 prill 2008Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai ka ndërmend të flasë me të gjitha fraksionet palestineze. Me këto fjalë e mbrojti mbajtësi i çmimit Nobel të paqes synimin e tij për të takuar në kryeqytetin e Sirisë Damask, shefin e byrosë politike të Hamasve, Khaled Mashall. Të kërkosh ta izolosh këtë organizatë është kundërproduktive, tha Xhimi Karter në një aktivitet të gazetës së përditshme "Haarec":

"Besoj se është absolutisht vendimtare, që Hamasët dhe Siria të përfshihen në një marrëveshje paqeje përfundimtare dhe të kërkuar në rajon. Aktualisht, për çdo kryetar qeverie është e pamundur që të flasë me Sirinë ose me Hamasët. Por të paktën unë kam mundësi të kthehem pasi i kam takuar dhe t'i raportoj si një lloj përcjellësi qeverisë së SHBA, se çfarë kanë thënë ata. Unë shpresoj se atëherë krerët e qeverisë izraelite do të kërkojnë të më takojnë. Deri tani e kanë refuzuar këtë."

Jimmy Carter, nderon varrin e Yasser Arafat në Ramallah, 15 prill 2008
Jimmy Carter, nderon varrin e Yasser Arafat në Ramallah, 15 prill 2008Fotografi: AP

Ish-presidenti i SHBA, i cili gjatë periudhës së tij në post në fund të viteve '70 dha një kontribut të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes së paqes së Camp Davidit midis Izraelit dhe Egjiptit, vërtet që u prit në krye të vizitës së tij nga presidenti i shtetit, Shimon Peres. Në këtë takim, Peresi e kritikoi takimin e planifikuar të Karterit me kryetarin e Hamasve me fjalë të qarta. Por qeveria izraelite e injoroi plotësisht Karterin. Kryeministri Olmert, ministrja e jashtme Livni dhe ministri i mbrojtjes Barak bënë të ditur se nuk kanë kohë për mikun amerikan. Shërbimi i fshehtë izraelit Shin Bet, i cili ndër të tjera është përgjegjës për mbrojtjen personale të miqve të huaj të nivelit të lartë, refuzoi që ta shoqërojë Karterin në vizitën e tij disaditore në Izrael. Siç u bë e ditur në qarqe të SHBA, ky reagim është "i pashembullt". Karteri shoqërohet si të gjithë ish-presidentët e SHBA gjithmonë nga anëtarë të secret service-it amerikan. Në një vizitë në qytetin kufitar Sderot, qytet i cili goditet rregullisht me raketa Kasam nga ekstremistët palestinezë, 83-vjecari Karter u tregua i paimpresionuar nga refuzimet. Ai e dënoi goditjen me raketa nga Rripi i Gazës me fjalët: "Çdo përpjekje e qëllimshme për të vrarë civilë të pafajshëm është për mendimin një krim për t'u përçmuar dhe shpresoj që së shpejti të arrihet një armëpushim."

Karteri i bëri thirrje qeverisë së presidentit Bush që të nisë bisedime të drejtpërdrejta me Iranin, për ta zgjidhur çështjen e programit bërthamor iranian. Opcioni më i mirë do të ishte një dialog me Teheranin, tha ish-presidenti. Shtëpia e Bardhë e dënoi ashpër planin e Karterit për të takuar shefin e Hamasve. Në përpjekjen për ta izoluar organizatën radikale islamike për shkak të vazhdimit të sulmeve prej saj, udhëtimi i Karterit "ndihmon pak", u bë e ditur.

Xhimi Karter konsiderohet më e vonta që prej librit të tij më të fundit, që mban titullin "Palestina- paqe në vend të aparteidit", jozyrtarisht si "persona non grata" në Izrael. Ish-presidenti i SHBA ka formuluar në këtë libër kritika të qarta për politikën izraelite të pushtimit.